Branko Merxhani, përsëri në horizontin letrar shqiptar

856
Sigal

Në përgjithësi pothuajse të gjithë shkrimtarët shqiptarë kanë qenë fatkeq në jetën e tyre, pasi i tillë ka qenë edhe fati i historik i vendit të tyre. Por për Branko Brexhanin ky fat është përsëritur dy herë. Një herë se ai shndriti si një meteor në qiellin shqiptar për një fragment të shkurtër kohor, nga vitet 20 deri në vitet 30 të shekullit të kaluar për t’u zhdukur dhe harruar më pas si nga bashkëkohësit ashtu edhe ata që erdhën më pas dhe s’gjetën asnjë shenjë të vetme të tij nëpër letra. Për 60 e ca vjet nuk u përmend fare, madje u luftua nga diktatura komuniste, kurse në vitet e demokracisë, njerëz të kulturuar dhe njohës të fushës e risollën përsëri, duke i ribotuar veprën, por edhe duke bërë qartësimet e nevojshme. Tani, për ata që lexojnë dhe e njohin letërsinë dhe publicistikën, Branko Merxhani hyn në dhjetë shkrimtarët më të lexuar shqiptarë. Branko Merxhani iu shfaq në shoqërisë shqiptare në një kohë të vështirë, ku mjedisi intelektual merrte e jepte për të gjetur veten midis perëndimit dhe të kaluarës osmane të trashëguar. Kur ai u shfaq pakkush dinte ndonjë gjë për Merxhanin dhe me siguri në kafe “Kursal” apo në mjediset e tjera kulturore kryeqytetase shfaqja e tij është pritur me shpërfillje në mos në mënyrë armiqësore. Tek e fundit kush ishte ky Merxhani? Thashethemet e përhapura me këtë rast informonin se kishte lindur në Turqi se ishte shkolluar në një kolegj perëndimor në Izmir se kishte studiuar në Gjermani, informacione këto që në fund të fundit nuk thoshin ndonjë gjë të madhe pasi Tirana ishte e mbushur me intelektualë të kësaj natyre që kishin mbaruar shkolla jashtë e ktheheshin në Shqipëri me ambicien për të gjetur një hapësirë në sfondin kulturor e politik të Shqipërisë së atyre viteve. Ajo që e bënte të ndryshëm Merxhanin nga të tjerët ishte pikërisht fakti se ai nuk bënte asgjë për të sqaruar mjegullnajën që shoqëroi shfaqjen e tij. Ai nuk tundi diplomat kafeneve si të tjerët, nuk tregoi spaletat e gjyshërve të fituara nga shërbimet ndaj Stambollit. Merxhani mbeti deri në fund enigmatik dhe pa dëshirën për të shuar kureshtjen e thashethemexhinjve shqiptarë me të dhëna nga jeta e tij private. Por me të ardhur në Shqipëri ai filloi të shpaloste shkallë-shkallë qëllimin e kthimit. Dhe këtë e bën me shkrimet e tij. Shkrime të botuara në organe shtypi si “Demokratia”, “Neoshqiptarizma”, “Përpjekja Shqiptare”, “Minerva”, “Ilyria”. Dhe pikërisht nga këto shkrime kuptohet se ai është pikërisht një shfaqje e domosdoshme pasi shkrimet e tij i ofrojnë shoqërisë shqiptare atë çfarë i nevojitej më shumë: – një alternativë zhvillimi. Dhe në këtë pikë Merxhani mbetet ndoshta intelektuali më emancipues i shoqërisë shqiptare ose më saktë intelektuali më i vetëdijshëm për nevojën e modernizimit të saj, shoqëri që në atë periudhë ishte në një udhëkryq të vërtetë. Cilin nga alternativat shoqërore që i ofroheshin duhej të zgjidhte shoqëria shqiptare? Konservatorët e shtynin shoqërinë shqiptare drejt tradicionalizmit, modernët drejt imitimit të modeleve të huaja, të majtët drejt komunizmit, të djathtët drejt fashizmit dhe absolutizmit, ekscentrikët drejt anarkisë e kështu me radhë. Në këtë vorbull alternativash dhe ideologjish, në këtë qerthull politikash dhe ndërthurje interesash Merxhani ofron një ideologji të vetën, neoshqiptarizmën – ideologji e mbështetur në njohjen e realitetit shqiptar dhe të nevojave të tij për ndryshim. Pikërisht këtu qëndron edhe vlera kryesore e ideologjisë së tij pasi ai është i vetmi që arrin me ideologjinë e tij ekuilibrin e duhur mes dy elementëve të mësipërm pra realitetit dhe ndryshimit të tij. Ajo që të bie në sy në krijimtarinë e tij është origjinaliteti. Si të gjithë shkrimtarët e asaj kohe, të pangjashëm me njëri-tjetrin, Merxhani nuk i ngjan asnjërit. Ai ka një penë të veçantë, një mënyrë të hapur komunikimi, sidomos në publicistikë. Ai nuk është patetik, siç ishin disa kolegë të tij, nuk është satirik, siç ishin disa të tjerë, përkundrazi publicistika e tij ishte e qetë, e shtruar, logjike dhe në shumicën e saj lexohej përmes rreshtave. Bashkëpunoi shumë me Petro Markon, por më në fund u nda prej tij për pikëpamjet kundërta që kishin Në vitin 1938, Ahmet Zogu e mbylli “Përpjekjen shqiptare”, revistën më në zë të kohës dhe Branko Merxhani u detyrua të lërë Tiranën dhe të shkojë në Athinë. Duke mos gjetur mjedis të botonte, ai mori rrugën drejt Stambollit, vendit ku kishte studiuar. Por edhe në Turqi, ai nuk e gjeti atë që kërkonte, pasi në atë kohë kishte shpërthyer Lufta e Dytë Botërore. Branko Merxhani, ishte ndër brezin e ri të shqiptarëve që shkëlqyen në shtypin turk. Ai kishte një penë të fortë dhe turqishten e zotëronte në mënyrë të përkryer. Gjatë luftës ai mbrojti dhe shkroi shumë mirë për lëvizjen nacional-çlirimtare. Por asnjëherë nuk devijoi nga pikëpamjet e tij liberal-demokrate, dhe u mundua të qëndronte asnjanës duke parë tablonë politike të Tiranës mbas çlirimit. Ai punoi për shumë vjet në gazetat kryesore turke, Tan (Agimi), Yeni Gazete (Gazeta e Re), Gunaydin (Mirëmëngjes) apo Hurriyet (Liria) etj. Ai bënte komente dhe përkthime rreth gjeopolitikës, ballkanologjisë dhe rolit të Turqisë në Ballkan, dhe e trajtoi shumë herë e shumë gjerë Shqipërinë në shkrimet tij. Branko Merxhani është një personalitet i madh i kulturës dhe i letrave shqiptare. Është detyrë e akademikëve, studiuesve, institucioneve studimore që vepra e tij të gjej pasqyrim të plotë e të denjë nëpër antologjitë e ndryshme, në tekstet shkollore, por edhe në veprimtari më të gjera, që njerëzit jo vetëm të vrasin veshin me këtë emër, por ta njohin në thellësi bashkë me gjithë vepër.

MA Serxhio VEHBIU