Botimet më të fundit të Shtëpisë Botuese prestigjioze “DITA 2000”

1728
Psikologjia e sportit nga Petraq Simo
1-Psikologjia është një nga shkencat më të aplikuara në shekullin e njëzet. Në varësi të disiplinave të saj, ajo në përgjithësi fokusohet tek ato probleme, sjellje ose çrregullime qoftë psikike apo psikosomatike, të cilat mundohet dhe t’i modifikojë. Psikologjia e shëndetit është një nga disiplinat më të aplikuara dhe një nga shtyllat e psikosomatikës. Ajo është një nga nëndegët më të rëndësishme të psikologjisë klinike, e cila fokusohet tek lidhja e pamohueshme e trupit dhe mendjes së njeriut, dy gjendje këto të cilat kanë një ndikim kaq të fuqishëm te njëra-tjetra.
2-Vitet e fundit fusha e Psikologjisë së Shëndetit është rritur dhe ka bërë shumë përparime në kërkimet shkencore. Faktorë kryesorë në këto zhvillime ka qenë rritja e përdorimit dhe përmirësimi i modelit biopsikosocial studimi i problemeve shëndetësore nga këndvështrimi i faktorëve biologjik, psikologjik, dhe social, të cilët ndërveprojnë së bashku. Gjithnjë e më tepër kërkimet janë përpjekur të identifikojnë mënyrat psikologjike nëpërmjet të cilave faktorë të tillë psikosocialë si stresi mund të ndikojnë tek efektet negative ndaj shëndetit dhe nëpërmjet të cilave faktorë të tillë mbrojtës si mbështetja sociale, mund të zbusin impaktin e stresit. Qëllimi në botimin e këtij teksti është të shpalosë sofistikimin në rritje dhe kompleksitetin e fushës në një mënyrë që e bën atë të arritshme, të kuptueshme dhe emocionuese për studentët e degës së psikologjisë pa kompromentuar natyrën shkencore të fushës. 
3-Psikologjia e shëndetit trajton të gjitha ndikimet e gjendjeve tona fizike tek psikika jonë dhe anasjelltas, të gjitha çrregullimet me bazë psikike, të cilat rëndojnë gjendjen shëndetësore. Pra siç mund të mendohet ajo është nga degët më kryesore të psikologjisë, pa të cilën asnjë nga disiplinat e tjera duket se nuk e ka të mundur të zhvillojë trajtimin e duhur me klientët e saj. Kur e them këtë kam parasysh faktin se asnjë çrregullim psikik i mundshëm nuk shfaqet pa anën e tij fiziologjike, ashtu si edhe çdo problem mjekësor nuk pretendohet të mos rëndojë gjendjen tonë psikologjike.
Dhe pse kjo disiplinë është shumë e lidhur me mjekësinë, brenda kapitujve të këtij libri del qartë lidhja por dhe diferenca midis të dyjave. Vetë psikologjia e shëndetit ka nevojë për drejtimet e tjera të psikologjisë. Ajo s’mund të fillojë punën e saj pa ruajtur në sfond metodat psikoterapeutike të çfarëdo lloj drejtimi qofshin, pa pasur parasysh diferencat individuale të personave me sëmundje apo çrregullime të ndryshme, etj.
4-Si çdo shkencë psikologjia e shëndetit është kumulative duke u ndërtuar mbi zhvillimet e kërkimeve të mëparshme për të ndërtuar ato të rejat, në këtë mënyrë jam përpjekur të paraqes jo vetëm kontributet kryesore në këtë fushë por edhe format e tashme të kërkimit të cilat janë të nevojshme për këto problematika. Duke qenë se psikologjia e shëndetit është duke u zhvilluar dhe duke ndryshuar në mënyrë të shpejtë, është thelbësor fakti që teksti i lidhur me këtë fushë të jetë aktual. 
Një objektiv i dytë, është portretizimi i psikologjisë së shëndetit në mënyrën e duhur ashtu si ai është i përfshirë në problemet e kohëve tona. SIDA është tashmë një realitet i rëndësishëm mjekësor, duke u bërë një nga shkaqet kryesore të vdekjes tek të rinjtë. Nevoja për mjete të tilla të shëndetit si përdorimi i perzevativave është i dukshëm, nëse ne do të ndalojmë përhapjen e kësaj sëmundje. Vjetrimi i popullsisë dhe ndryshimi i numrave drejt viteve të mëvonshme krijojnë nevoja shëndetësore të paprecedentë ndaj të cilave duhet t’u përgjigjet psikologjia e shëndetit. Përpjekje të tilla përfshijnë edhe nevojën për promovimin e një fushate shëndetësore për këto grupe të moshuarish, dhe në të kuptuarit e problemeve psikosociale të cilat shfaqen si përgjigje ndaj çrregullimeve kronike. Kërkimet të cilat përfshijnë gjithnjë e më tepër zakonet e shëndetit në zhvillimin e çrregullimeve më të shumta, nënvizojnë gjithnjë e më tepër rëndësinë e problematikës së ndryshimit të sjelljeve të shëndetit të tilla si pirja e duhanit dhe konsumi i alkoolit. Gjithnjë e më tepër kërkimet dokumentojnë rëndësinë e një diete të shëndetshme, ushtrimeve në mënyrë të rregullt, dhe vetëkontrolli i gjoksit tek femrat, ndërmjet zakoneve të tjera shëndetësore pozitive për pasjen e një shëndeti sa më të mirë. Duke zgjeruar mbulimin e problemeve të promovimit të shëndetit dhe duke i integruar ato në mënyrë më të plotë në kapitujt e mëvonshëm në kërkimin e trajtimeve dhe menaxhimin e sëmundjes, ky botim thekson këto zhvillime duke ofruar një prezantim të integruar të marrëdhënieve komplekse midis zakoneve të shëndetit, burimeve psikosociale, stresi dhe menaxhimi i stresit si dhe pasojat e shëndetit e sëmundjes.
5-Në këtë libër ne do të paraqesim ato koncepte dhe modele të punës së psikologut të shëndetit, bazuar tek drejtimet më me eksperincë të universiteteve të Amerikës. Kapitujt në vazhdim janë një paraqitje koncize e atyre sjelljeve të cilat ndikojnë në modifikimin, lartësimin ose përkeqësimin e gjendjeve shëndetësore.
6-Një hyrje të përgjithshme se çfarë studion psikologjia e shëndetit do e paraqesim në kapitullin e parë, i cili vijon me kapitullin e dytë promovimi i shëndetit dhe praktika e sjelljes shëndetësore, i cili luan një rol të rëndësishëm për personat e prekur nga një sëmundje e caktuar, sepse është determinuese për vazhdimësinë ose zbutjen e sëmundjes në të ardhmen. Se çfarë impakti ka kjo në shëndet duket më mirë në librin “Trajtimi psikologjik i sëmundjeve”, që është pjesa e dytë e psikologjisë së shëndetit. Kapitulli i tretë na njeh me natyrën sociale të sëmundjes. Ndërkohë që në kapitullin e katërt jepen konceptet kryesore të psikologjisë së shëndetit ato të lidhjes mes somas dhe psyches, pra mendjes dhe trupit. Kapitulli i pestë, i gjashtë dhe i shtatë janë një zinxhir ku shfaqen më së miri metodat e bihejviorizmit, pa të cilat ne nuk jemi në gjendje të kontrollojmë sëmundje specifike, që vijnë si rrjedhojë e sjelljeve tona jo të përshtatshme lidhur me veten, me të tjerët dhe ambientin ku jetojmë. Kapitulli i tetë është i fokusuar tek ato ngjarje stresuese të ditës e jetës sonë që ndikojnë negativisht në shëndet dhe shkaktojnë ose agravojnë sëmundjet në trupin e njeriut. Mënyrat e përballimit me stresorët e jashtëm i kemi përshkruar në kapitullin e nëntë. Kapitulli i dhjetë specifikon vendin e punës si një faktor determinues i lindjes ose shkaktimin e sëmundjeve. Kapitulli i njëmbëdhjetë nxjerr në pah ato faktorë të personalitetit, të cilët bëjnë diferencën e secilit prej nesh në prekjen, përballimin dhe modifikimin e një çrregullimi të caktuar. Kapitulli i dymbëdhjetë ka të bëjë me profesionistin e kujdesit shëndetësor. Siç shihet ky libër është një përshkrim i hollësishëm i të gjithë atyre elementëve që së bashku ndikojnë në gjendjen tonë shëndetësore. Vetëm duke ditur shkaktarët mund të ndikohet tek sëmundja. Sëmundje të veçanta me specifikat e tyre dhe efektet psikologjike që ato kanë te njerëzit e sëmurë do i paraqesim në një libër të veçantë të psikologjisë së shëndetit.
Sigal