Bora e kuqe

927
Nga Eqerem Canaj
Atë mot, dimri, si asnjëherë tjetër, në fshatrat e Kurveleshit pati derdhur borë të kuqe. Kjo flamë, çuditërisht e ngjyrosur në të kuq a portokalli allosoji, në fillim pati rrokur majëmalet e më pas, në ditë-netët e qametit ogurkeq, pati pushtuar paq, një pas një, fshatrat malorë, si dhe fshatin e Seri Gurit. Në atë rrëzomë malesh, përfund këmbëve të gurta, tejet stërrallore, gjendeshin katër – pesë pëllëmbë dhe e zhavorrinë, ku njeriu mund të çapiste për t’u ngjitur në fshatin fqinj për hall jetese, gëzim a hidhërimi ose ndo hallexhi mund të ulej më bythë e të merrte paksa frymë për të vazhduar sërish më tej. Ishte “fshati i qershive” një udhëkryq nga ku lidhte dy krahina të rëndësishme, ndonëse i gurtë. Dhe i ndodhur në atë pikë të horizontit, ku bashkoheshin dy vargmale me kahe të kundërt, si dy koka deshësh me brirët kacorrë që, në zemërim e sipër, tërhiqeshin prapa, merrnin forcë e suleshin tërbueshëm ballë njeri – tjetrit, për të lënë kokën në pikëtakimin e përplasjes. Këtë shëmbëlltyrë të jepnin malet ku ngrihej fshati i cili përjetoi, për herë të parë në jetën e tij, borën e kuqe, ndërsa bujqit e paktë e vreshtarët e pikuar me ato çikapikat e motit, e kishin bërë hallin dimëror: patën mbledhur misrat serikoje, arrat, fiqtë, bajamet, qershitë në kavanoza, prerë e sajdisur bletët, madje ëma azgane e Seriut e kishte cytur të shoqin që ta bluante edhe zahirenë e grumbulluar nga ato pak tokë xebërishteje, pse dimrit nuk i zihej besë. Dhe përfund dhomës së fëmijëve truponin dy thasë të çulltë, ai me rripa bardhë – zi, i cili qe mbushur me misër ose elb, tërshërë apo thekër, tjetri me brezare të kuq, qe me miell të bardhë, bluar taze, ashtu siç edhe dëshironte mëma e Seriut. Kështu, mendohej e veprohej në përgjithësi. Ndërkohë mbrëmja e katavasisë i pati vënë fshatit kapakun natar, siç edhe bënin fshatarët me kazanin e rakisë në vaktet e saj, sepse ishte kohë lufte, po prishej dynjaja, gjaku përskuqte dheun, se qe ngritur në këmbë partia e popullit, siç flitej e dëgjohej, se qenë krijuar njësitë partizane, bij bujqish e barinjsh, qytetarë të mendjes e të dyfekut e të tjerë nga ata që armikun e quanin mik… Të gjitha e të tëra këto nuk ishin të panjohura për fshatarët e “Fshatit të qershive”, pse aty e kishin folenë edhe shqiponjat, edhe kukuvajkat. Dhe dimri po binte i zi. Dhe i gënjeshtërt e mashtrues po aq.

Fshati i vogël po mblidhej e shtillej me ethe në kurriz, ata të “syrit të pushkës”, duke rrëmbyer njëri – tjetrin, patën marrë arrati nëpër tek partizanët, kishin zotëruar detyra e bërë beli: dikush qe plagosur, dikush, rënë dëshmor i atdheut, dikush… Edhe këto i patën mësuar të mbeturit në fshat: pleqtë, sakatët, gra e fëmijë, si dhe Seriu fytyrë ftua e sykaltër.

Përgjatë natës, kureshtari vuri re ca gjëra të pazakonta, si: ati dhe e ëma komunikuan mërzitshëm përmes, mandej u dëgjua krisa e derës së jashtme, ati me dikë foli nëpër terr, nëna s’bëzajti. Pastaj heshtje, kuisja e qenit lidhur në rrënjët e përrallit të vjetër, pastaj gjëmime natare të herëpashershme. Mëma, trak! U ngrit nga shtresa e vjetër, mbuloi krahët të bir, mandej u ul pranë oxhakut me pak zjarr, e cikoi ngadalë atë dhe vazhdonte të dremitte me kokë ulur mbi hirin e druve që, ngadalë, digjeshin, ngrihej pas ca, vërdallisej nëpër dhomë e fliste me vete fjalë të pakuptimta. Dukej qe stërpik gjumi i natës. Dhe djali i vogël përpiqej të binte në gjurmët e brengës. Edhe ai bëri të flinte e s’gjumonte dot. Për më tej, vulosi mendim: dinte se kopenë e dhive e kishin në majëmal, në shpellën vjeshtake dhe… Por kishte dëgjuar, sa një fëmijë, se gjermani po bënte një operacion hakmarrës të pashoq me barbarizmat më të papara. Dhe përpëlitej teksa përfytyronte mëmën në kthetrat e bishës Kësisoj, i zuri mëngjesi: babain tek partizanët, nënën kërcure ndanë hirit, djalin kruspullosur si gërthja nën gurë.

Ballë dimri bëri turrin e hatashëm të të papriturave në fshatrat kurveleshas . Dhe ja se si. Pas erërave jugore, moti ndryshoi ndërkaq e majëmalet u bënë vezë. Ditë më prapa sqotat sollën, kushedi nga ç’anë e dheut, re mjegullore të kuqe dhe bora u bë e kuqe, dëftonin të moshuarit se çudia ishte shenjë fatkeqësie, çka pritej të ndodhte hataja… Barinjtë kokëfortë nuk u besuan dukurive, këmbëngulën në tekat se kush e kush të sfidonte motin. Po, pas borës së kuqe, sulmoi patërshana natyrore, e cila derdhi që lart nënçatinë e zemëruar jo vetëm shi e breshër, por edhe gurë. Shpellat e rëzomat morën rrokullimën. Në fshat mbërriti vetëm jehona e fund-keqit. I vogli i përjetoi këto çaste me ngashëri të qarash e britma kukurisjeje si gjithë bashkëmoshatarët e fisit.

Do të kalonin ditë – javë e muaj provash me përheqje ethesh, ku një ditë ditësh edhe “Fshati i qershive” provoi dhembët e bishës. Gjermani përparoi gjer aty në fshatin e Seri Gurit.

Kur e kur, çamarrokët e fshatit do të vrullonin të shihnin mjegullën borane, që po pushtonte fshatin e tyre të gurtë, të parët vunë re gjarprin jeshil (ashtu u dukej) i cili po zvarritej teposhtë brinjës së rrëpirës. Dhe ngrinë. Fjalët ua përpiu grija mjegullore në atë të ftohtë brisk.- Gjermanët! – theri zëri i Seriut.- Mos janë tanët? – kushëriri i tij.- Gjermanët… Kanë bërë pushkatime në “Bletaj”, “Memi”…-Nuk dihet…- Të lajmërojmë!- Të…

Një e qethur plumbash ua vrau fjalët sakaq. Veç fëmijët e trembur kuptuan të vërtetën. Dhe, pas kësaj vrapuan e u mbyllën nëpër shtëpitë tek mëmat e drithmëruara e të tjerë morën gërxheve në humbëtirë. Ndërkohë, skuadra pushtuese, ndo njëzetë e kusur burrash të armatosur gjer në dhëmbë, zunë qendrën e fshatit te rrapi i madh, rrahën gjethet e të cilit me breshëri të shtënash, vunë tellallë, bënë thirrje të dilnin në shesh: burra, gra, fëmijë… Për më tej, hynë ndër plevica e nxorën forcërisht njerëz të radhës, të mbetur fillikat a fëmijë që nuk ishin shkëputur dot prej mëmave. Nënokja e Seriut s’ia lëshonte krahun e dobësuar vogëlushit, i cili kërkonte të vërvitej në greminë të lumit. Po, kur numri i të grumbulluarve u shthur, ata i tërhoqën që aty e i nxorën në një ledh, ku bora ende ishte e pashkelur dhe i kërcënuan të tregonin për gjurmët e partizanëve. Nga që të tërë tregoheshin gojëmbyllur pushkatuan nja pesë fshatarë, trupat e të cilëve ranë mbi bore e gjaku i tyre skuqi bardhësinë e ngrirë. Seriu vuri re, ndërkohë, një burrë që siç dukej, pasi kishte bërë plaçkitje ndër shtëpitë shkretë, pati ngarkuar e sjellë aty, një thes me miell. Në një çast pushimi, përpara pesëshes së radhës që do të pushkatohej, burri hapi grykën e thesit, derdhi miellin mbi borë e mbi gjak… Po vogëlushi e njohu thesin me brezare të kuq, bërtiti:Mami!… Mielli… Gjaku…

Gjermani vrastar e kapi klithën ë çamarrokut dhe atë çast e derdhi breshërinë në erë. Një shqiponjë egrane, duket, sa ora, zbriti nga gërxhet e borëzuara, lëshoi kthetrat mbi ata që përzienin keq borën, miellin e gjakun, rrëmbeu klithmëtarin e fluturoi grykëmaleve. Dhe thoshin të tjerët (ata që i shpëtuan plumbit nazist) se gjermanët e patën përcjellë shqiponjën me breshëri të shtënash, asish e plagosur, flatrathyer shpendi me viktimën bashkë qenë rrëzuar në lumë. Mandej, flitej sërish se, kur gratë e nuset e fshatit, posa zbritën në vaun e zakonshëm për të larë rrobat e partizanëve, vunë kujën se ujana qe bërë krejt e kuqe. Ndërças pikëllimtaret vështruan njëra – tjetrën, teksa edhe sytë e tyre, po ashtu, derdhnin lot të kuq.
Sigal