Bombë në Beograd, romani i ri i Shtëpisë Botuese “Pegi”

974
Libri me një fjali
Shumë kohë para dronit të famshëm ishte “Bombë në Beograd”.
Informacion i përgjithshëm rreth librit
Një armë e shkatërrimit në masë ka nisur rrugëtimin drejt Beogradit. Nëse
bomba shpërthen, kjo do të shënojë fundin e luftës në Kosovës, por edhe fillimin e Luftës së Tretë Botërore.
“Bombë në Beograd” është një rrëfim i zhanrit thriller, i shkruar në stilin e
prozës filmike, plot aksion, ankth dhe intriga. Edhe pse janë viktima të një represioni sistematik, personazhet janë njerëz të ushqyer me ideale fisnike dhe jo nga urrejtja për kombe dhe raca të tjera. Kjo gjen shprehje më së miri në pikat kritike të rrëfimit, ku personazhet i rezistojnë tundimit që të përqafojnë zgjidhje moralisht komprometuese.
Në sfond të të gjithë kësaj është dashuria mes dy heronjve kryesorë. Agroni dhe Linda, bashkëluftëtarë dhe dashnorë, janë të përfshirë në një dashuri të pamundur, që autori na e sjell të përshkruar me shumë ndjenja dhe pak fjalë. E ndërtuar në imagjinatën krijuese të shkrimtarit, kjo bombë përfaqësonte tërësinë e zhgënjimit, dhimbjes dhe vuajtjes, të përmbledhur në
njëqindvjeçar, por edhe të shpresës dhe të ëndrrave për një të ardhme ndryshe.
Këtë roman, Albatros Rexhaj e ka shkruar në vjeshtën e vitit 1998 (asokohe
vetëm 22-vjeçar), menjëherë pas ofensivës së madhe të forcave serbe, kur rreth njëqind mijë trupa serbe u mobilizuan me idenë që të shpartallonin luftëtarët shqiptarë. Botimi i parë arriti të shpërndahet në vetëm dhjetëra kopje, pasi pjesa më e madhe e tirazhit u konfiskua nga policia serbe, por ishte pikërisht ky rrëfim, që vetëm një vit më vonë, Albatros Rexhajt i hapi dyert e shtëpisë botuese prestigjioze “Rizzoli RCS” në Itali.
Në Qershor të vitit 2012, romani “Bombë në Beograd” prezantohet në panairin e librit në Prishtinë, ku radhitet në pesë librat më të kërkuar, ndërsa më pas, për tre muaj rresht, ishte në top të shitjeve në Prishtinë. Me dëshirën e autorit, ky roman tani i prezantohet publikut mbarëshqiptar.
Mbi autorin
Albatros Rexhaj është shkrimtar shqiptar i lindur në Prizren (1975). Veprimtarinë e tij krijuese e zhvillon midis Tiranës dhe Prishtinës. Fitues i çmimit “Shkrimtari i vitit 2013” në panairin jubilar Prishtina 2013. Ai është autor i disa dramave për teatër dhe i librave “Lettera a un amico italiano dal Kosovo” (1999), “Ditar dashurie i një shkrimtari” (2012), “Edith” (2013) dhe “Zonja Z” (2014). Veprimtaria e tij publicistike dhe letrare mund të ndiqet në blogun elektronik www.filozofiaurbane.com
Fragmente nga libri
[…]
Kampi, që vetëm pak kohë më parë flinte në një qetësi prej së cilës në pamje
të parë nuk pritej asgjë e keqe, tanimë ishte shndërruar në një arenë të përgjakshme plot me trupa të pajetë dhe të tjerë që mundoheshin të mblidhnin forcat e fundit për të mbijetuar. Diku dëgjohej zëri i një fëmije që qante, ndërsa komandanti i parashutistëve serbë, ende i pangopur me kasaphanën që i shfaqej përpara syve, shante shërbimin e zbulimit:
– Ata nuk duhej të ishin këtu! – tha, i tërbuar nga zemërimi.
– Kush ata? – e pyeti rreshteri i tij.
– Fëmijët, gratë… jo kaq shumë…
– Por këta janë vetëm shqiptarë… – ia ktheu rreshteri.
[…]
Që kur kishte mbërritur në Prishtinë, agjenti Smith kishte arritur ta kuptonte tashmë arsyen përse shqiptarët kishin filluar kryengritjen. Një popull i tërë detyrohej të jetonte si rrogëtar i një pakice të vogël që ishte mësuar të kishte të gjitha privilegjet e botës.
[…]
Që të gjithë së bashku u afruan ngadalë afër vendit ku gjashtë civilët i kishin lidhur nëpër shtylla. Nuk ishin më larg se dhjetë metra nga muri i gjallë, ndërsa policët serbë po rrinin vetëm disa hapa mbrapa civilëve fatkëqij. Djemtë që ishin me Agronin dhe policët serbë ndërkaq ndodheshin përballë njëri-tjetrit dhe po shiheshin në sy. Një skenë e denjë për dyluftimet e përgjakshme të dikurshme në Perëndimin e egër, ku kundërshtarët vështroheshin në sy, me gishtin në këmbëz.
– Nëse nuk i vrasim ne, atëherë do t’i vrisni ju! – tha një polic në serbisht.
Ndërkaq, në pjesët e tjera të qytetit, sa vinin e shtoheshin të shtënat nëpër natë nga të gjitha llojet e armëve. Mbase ishin të shtëna kuturu, por ku i dihej…
Agroni u tha ushtarëve të rinj që secili prej tyre të merrte shenjë mbi çdonjërin prej policëve serbë, megjithëse ishte i vetëdijshëm që, në të njëjtën kohë, edhe ata ishin në shënjestër të dikujt andej nga ana tjetër.
Të gjithë ishin në tension dhe si të ngurosur para njëri-tjetrit. Koha sikur kishte mbetur në vend. Dukej sikur edhe po të merrje frymë, mund ta prishje drejtpeshimin e atyre çasteve delikate. Ishte më shumë se provë durimi e luftë nervash dhe asnjëra palë nuk po merrte guximin të qëllonte e para. Agroni nuk po jepte urdhër për zjarr ngaqë kishte frikë se vriteshin njerëzit e pafajshëm. Por as policët serbë nuk guxonin të hapnin zjarr të parët, sepse e dinin që pastaj edhe ata vetë do të qëlloheshin për vdekje. Sekondat dhe minutat dukej sikur zvarriteshin, po diku larg po dukeshin
shenja se nata do t’ia linte vendin agimit. Patjetër duhej bërë diçka për t’ua shpëtuar jetën njerëzve të mbërthyer nëpër shtylla, por ende Agroni nuk po arrinte dot të gjente një zgjidhje.
U dëgjuan edhe gjelat e parë që filluan të këndonin.
“Si u bie ndërmend të këndojnë!” tha me vete Agroni.
Sigal