Blerina Sadiku: Ja tre masakrat e fundit ndaj Çamërisë

948
Sigal

INTERVISTA/ Flet studiuesja dhe shkrimtarja Blerina Sadiku

Pas revolucionit grek të vitit 1821 në Greqi filloi një spastrim etnik filloi një reprezalje e egër ndaj çamëve në tokat e tyre në Greqi. Por jo vetëm çamëve, por ndaj të gjithë etnive të tjera që nuk kishin kombësi greke. Në këtë valë gjenocidi u përfshinë më shumë shqiptarët e Çamërisë, turqit e Thrakës, arumunët dhe hebrenjtë. Ky është një informacion shkencor që e paraqit në një libër nga studiuesja çame Blerina Sadiku. Çdo studiues në librin e saj do të gjejë një informacion shumë të pasur dhe të patrajtuar ndonjëherë. Ajo që trajtohet më qartë dhe me nota shumë të sakta është Konferenca e Paqes në Paris.

-Përse e keni titulluar këtë libër “Lindja e Çështjes Çame”?

Këtë libër e kam titulluar “Lindja e Çështjes Çame” pasi në të analizohen situatat historike të cilat ishin vendimtare në krijimin e kësaj çështjeje në një periudhë kohore prej vitit 1820 deri në vitin 1943. Një periudhë më shumë se një shekullore është e mjaftueshme për të parë mënyrën sesi u trajtua kjo popullsi nga shteti grek, por edhe nga ai shqiptar. Në këtë libër lihen jashtë vitet  tepër të tensionuara për Çamërinë, që përfunduan me gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë shqiptare të kësaj krahine. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë që përpara vitit 1943 nuk ka pasur tensione në këtë krahinë, përkundrazi konfliktet që nisën që prej vitit 1820 deri në vitin 1943 janë një pasqyrë e qartë për të kuptuar mohimin e të drejtave themelore të njeriut që popullsia shqiptare pësoi, ndonëse duhet të kishte ndodhur e kundërta pasi gëzimi i këtyre të drejtave ishte sanksionuar në të drejtën ndërkombëtare të kohës, por edhe në ligjet lokale të Greqisë. Për këtë libër, dua të falënderoj Profesor Hajredin Isufin, historian i shquar, i cili më ka ndihmuar me sugjerimet tepër të vlefshme dhe dokumentacionin e pasur shqiptar dhe të huaj.

-Kur ka lindur sipas jush kjo çështje?

Sipas mendimit tim, tërësia e faktorëve gjatë periudhës së marrë në këtë studim mund të konsiderohet si lindja e Çështjes Çame, pasi gjatë kësaj periudhe u krijuan themelet e saj të cilat patën kulmin e tyre më tej me gjenocidin e viteve 1944-45.

-Cili është mesazhi i këtij libri dhe përse e përkthyet në gjuhën angleze?

Ky libër ka për qëllim të tregojë mohimin e të drejtave themelore të njeriut ndaj të cilave u gjend vazhdimisht popullsia shqiptare e krahinës së Çamërisë. Përkthimi i këtij libri në anglisht synon të arrijë një publik më të gjerë, pra të huaj, pasi mendoj se duhet të rritet sensibilizimi për Çështjen Çame dhe në nivel ndërkombëtar.

-Cilat janë masakrat më të mëdha që janë kryer ndaj komunitetit çam?

Fatkeqësisht, jetesa e popullsisë Shqiptare në krahinën e Çamërisë ka qenë vazhdimisht e shoqëruar nga masakrat e herëpashershme drejtuar kësaj popullsie që me krijimin e shtetit grek, e më herët se kaq, me qëllim për t’i terrorizuar ata e për t’ua bërë jetesën të pamundur, në mënyrë që ata t’i linin territoret e tyre ose vullnetarisht, për shkak të rrethanave ose forcërisht, gjithashtu dhe me ndikime të tjera. Masakra të ndryshme janë kryer ndaj kësaj popullsie si para aneksimit të krahinës së Çamërisë nga shteti Grek, ashtu dhe pas tij, por do doja të ndalesha në tre masakrat e fundit që iu bënë kësaj popullsie, siç është masakra e Paramithisë me 27 Qershor 1944, masakra në Filat, Margëlliç, Pargë etj., në Shtator të vitit 1944, dhe gjithashtu masakra e Filatit dhe rrethinat e tij në Mars të vitit 1945. Masakra e fundit iu drejtua asaj pjese të popullsisë shqiptare të Çamërisë të cilët pas shpërnguljes disa mujore drejt Shqipërisë ishin kthyer përsëri në shtëpitë e tyre në Çamëri. Ky ishte një mesazh i qartë për popullsinë shqiptare të Çamërisë për të mos u kthyer më në trojet e veta, pasi kjo masakër përveç vëmendjes që pati në postën diplomatike të kohës, nuk u dënua më tej, ashtu si dhe masakrat e tjera, dhe çamëve nuk iu dha asnjë ndihmë konkrete për rikthim në trojet e veta.