Sigal

Intervistë me Mehmet Gëzhillin, botues i Shtëpisë Botuese “Argeta LMG”

Bill Clinton vjen sot në Panairin e Librit në Pallatin e Kongreseve në Tiranë

Presidenti zhduket. E gjithë bota është e tronditur. Por arsyeja e zhdukjes së tij është shumë më e rëndë seç mund të imagjinohet. Një libër me detaje, që vetëm një presidenti mund t’i dijë dhe në kureshtjen gjithë përfshirëse, që vetëm James Patterson mund të ngjallë.

Jakup B. GJOÇA

Sara A. FUGA

Sot Shtëpia Botuese “Argeta LMG” sjell në Panairin e Librit në Tiranë librin “Presidenti është zhdukur” të Ish-presidentit të SHBA Bill Clinton me bashkëautorësi James Ptterson. Ky libër është botuar në shumë gjuhë dhe vende të botës, deri edhe në Kinë dhe Rusi çfarë dëshmon që interesimin dhe suksesin e jashtëzakonshëm. Botimi në shqip i këtij libri, për më tepër të autorit Bill Clinton është, veç të tjerash, edhe një vlerësim shumë i madh dhe një mirënjohje e madhe e shqiptarizmit për Presidentin Bill Clinton, për kontributin që dha në çlirimin e Kosovës. Botuesi i Shtëpisë Botuese “Arieta” Mehmet Gëzhilli në intervistën për gazetën “Telegraf” zbardh detajet si lindi ideja për të botuar në shqip këtë libër të Bill Clinton, përpjekjet e tyre, deri në marrjen e të drejtës së botimit, përmbajtjen e librit të Bill Clinton dhe të James Patterson dhe rëndësinë historike, letrare për gjithë letërsinë shqiptare.

-Zoti Gëzhilli, si ju lindi ideja për të përkthyer librin e Bill Clintonit në Shqipëri?

– Shtëpia ime botuese “Argeta LMGka 22 vjet veprimtari, por një nga sukseset më të mëdha që kemi arritur këto dy vitet e fundit është lidhja me James Petersonin, një shkrimtar amerikan që deri sot ka fituar disa çmime, është bërë best seller në 37 milionë kopje në botë. Është më i lexueshëm, më i dashuri më i pranueshmi dhe nga ky autor ne kemi botuar 4 libra, është në proces botimi edhe një tjetër libër të tij, dhe Shtëpia Botuese na informoi që Z. Peterson së shpejti do të nxjerrë një libër shumë interesant që ndryshon shumë nga veprat e tjera me bashkautor, që do ta merrni vesh së shpejti. Ne kemi një kontratë ekskluzive me të gjithë botimet e Peterson në gjuhën shqipe në të gjitha trevat shqiptare. Ne i shprehëm menjëherë dëshirën, që edhe këtë libër të ri ta përkthejmë në shqip, por iu kërkuam, se jemi shumë kuriozë të dimë kush është ky bashkautor që paska Peterson. Na e mbajtën sekret deri sa duhet të dilte libri dhe, si përfundim, ne ishim në panair, në datën 4 qershor në panairin e Prishtinës dhe aty e mësuam, se bashkautor ishte Bill Clinton dhe kjo ishte koincidenca e bukur, që ne ishim pikërisht edhe në Kosovë. Madje atë ditë edhe gazeta “Nju Jork Times” i bënte këtij libri vlerësime të mëdha. Që aty vendosëm, që edhe ne, si Shtëpi Botuese ta merrnim ekskluzivitetin e të drejtës së botimit të këtij libri të Bill Clinton. Nuk ishte e lehtë, sepse shfaqën oferta edhe shtëpi të tjera botimi të Shqipërisë. Por Shtëpia Botuese që ka të drejtat e James Pattersonit na e besoi neve të drejtën e botimit. Brenda javës nga oferta që i dërguam ne, erdhi përgjigja, ishte madje dhe e diel dhe ky është një mësim që mos kujtoni se jo vetëm gazeta “Telegraf” punon të dielën, por punonin edhe ata. Nga ora 6 mbasdite në internet na hapet sinjali; na vjen kontrata, na vjen libri, na vijnë edhe udhëzimet që do të botohet varianti i botimit në Amerikë. Teksti nuk ka ndryshim në asnjë fjali, por mënyra grafike kishte një farë ndryshimi. Pati një dashamirësi jashtëzakonisht të madhe nga ana e tyre. Ky ishte privilegji tjetër aty, sepse ne kemi të drejtën ekskluzive për 5 vjet, mbas 5 vjetësh ne kemi të drejtën ta ribotojmë duke dërguar një honorar shumë simbolik; ky ishte një përjashtim që ne na gëzoi dhe iu futëm punës me shumë përgjegjësi që këtë vepër ta sillnim sa më parë te lexuesit, duke parë se shtetet e tjera, e kishin bërë tashmë: U botua në Spanjë, Holandë, Itali e deri tani kishte arritur deri në 26 gjuhë të ndryshme, dhe, ajo që më ka bërë shumë përshtypje, është botuar në Rusi, në Kinë, në Brazil dhe të gjitha këto evente në panair do të jenë në një poster gjigant, ku do jetë fotografia, kopertina e librit në shqip dhe kopertinat e këtyre botimeve në gjuhët e ndryshme të botës.

-Ju si e shpjegoni interesimin, që ka ngjallur ky libër i Clintonit për t’u botuar madje edhe në Kinë dhe Rusi?

-Nuk mundet ta paragjykoj fare këtë shtegtim a as të parashikoj se çfarë interesash kanë pasur ata, por nga leximi i veprës them se unë kam pasur fatin e madh, pasi ky libër është tronditës, madje është shumë tronditës. Njëkohësisht është shumë aktual për demokracinë, për lirinë dhe sidomos ajo më kryesore, për luftën që bëhet ditë për ditë kundër terrorizmit. Terrorizmi në çdo vend të botës është prezent.

-Cili është boshti i librit të Bill Clinton?

-Boshti i gjithë kësaj vepre është, ose e thënë ndryshe, morali final i saj që përbën edhe pikën kulmore të saj: Në qoftë se do të jesh president do të mbash përgjegjësinë e një vendi do ta shikosh veten, jo vetëm si presidenti i atij shteti, i atij kombi ashtu siç ishte 8 vjet Bill Clinton, president i 300 milionë qytetarëve amerikanë, por do ta shikosh veten si të barabartë, të shikosh edhe kombin tjetër edhe komshiun tjetër edhe të bardhin edhe të ziun, dhe problemet kundër racizmit edhe kundër.. çdo të keqeje në botë… dhe mendoj që nuk mund të jetë kurrë i lirë një shtet, nuk do të ketë kurrë barazi, në qoftë se ky burrë shteti që ka marrë përgjegjësi për jetën e njerëzve, miliona njerëzve; jetën e përditshme nuk mund të jetë i qetë.

-Pasi e mbaruat librin, çfarë ju mbeti juve në mendje nga ngjarjet në libër?

-Ka episode shumë tronditës shumë të dhimbshme, një jetë me peripeci, një president i sëmurë nga gjaku dhe që i përballon gjithë ato situata. Tragjikja ishte kjo: Nga Shtëpia e Bardhë ka dalë një nga kodet më sekrete, kohë të errëta, ky ishte një kod që lidhesh me viruse të ndryshme që e kishin marrë kodin dhe e bombarduan me viruse, do lexosh librin ta shikosh… dhe ishin 9 veta njerëzit më të besuar të presidentit, 8 dhe presidenti 9, zbulohet që një nga të 9-tët e ka nxjerrë kodin, se kush e ka nxjerrë kodin do ta merrni vesh gjatë leximit të librit, sepse një nga besnikët më të mëdhenj të presidentit, bashkëpunëtori më i afërt i presidentit…, si e nxori pse e nxori le ta lexojnë te libri lexuesit. Pikërisht presidenti 2 veta i përjashtoi: “Ti dhe ti nuk i ke bërë”, iu tha, “ndërsa ne të tjerët duke filluar nga unë si president mund të jem dhe unë që e kam nxjerrë kodin”. Dhe në fund fare mbas shumë peripecish del e vërteta, del edhe fajtorja se kush e kishte nxjerrë. Në mes natës mbledh pikërisht Kongresin, gjithë bashkëpunëtorët dhe është kapitulli i fundit dhe epilogu i fundit ku mban një bisedë dhe tregon rrugën ku do të shkojë shteti, demokracia, lufta kundër terrorizmit dhe në fund fare duhet të mendojmë, se kur ne dalim në mëngjes çdo njeri që do të shikosh duhet të mendojmë, çfarë duhet të bëj unë për ta ndihmuar këtë njeri dhe si ta ndihmoj; dhe jo si ta dëshpëroj si ta hidhëroj këtë njeri… A ka fjali më të madhe! A nuk është kjo motoja e ditës dhe këtë e ka mbi 10 vjet.

-Ju jeni Shtëpia e parë Botuese që e botoni në shqip këtë libër?

-Botohet për herë të parë, sepse libri, më 4 qershor ka dalë, 2 muaj këto peripecitë që morëm të drejtën e autorit, jo vetëm kaq, por ne e kemi marrë ekskluzivitetin për të gjithë shqipfolësit, jashtë territorit të Shqipërisë, qoftë Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e më gjerë kemi ekskluzivitetin kombëtar të detajuar, madje nuk kemi të drejtë as që t’i shtojmë veprës e as që t’i heqim asgjë.

-Duke qenë se vetë presidenca e Bill Clintonit është e lidhur drejtë për drejtë me luftën në Kosovë, a është në dijeni vetë Bill Clinton që libri i tij po botohet në shqip?

-Me siguri edhe ish-presidenti Clinton ka dijeni, sepse e ka informuar edhe Shtëpia Botuese që ka të drejtat ekskluzive të botimit të librave të tij.

-Meqenëse libri ka dalë në qarkullim nga shtypshkronja, ia keni dërguar një kopje Bill Clinton ?

-Patjetër, që do i dërgohet, sapo del libri, tani që ne po flasim, ikën 50 copët e para në libraritë e Prishtinës. Neve, mbasi të mbarojë panairi, do të bëjmë edhe Patërsonit edhe Bill Clinton edhe shtëpisë botuese do t’i dërgojmë kopjen e botimit në shqip të librit dhe të gjitha çfarë ka shkruar shtypi, edhe këto revistat e gazetat, dhe këtë intervistë edhe shkrime të tjera unë kam menduar që t’ia përcjellim ish-presidentit Clinton.

-Është në projektet tuaja që në një të ardhme, kur mund të krijohet mundësia që të ftoni vetë Bill Clintonin edhe njëherë në Shqipëri qoftë edhe për prezantimin e këtij libri?

-Së bashku me kopjen e librit të botuar në shqip, ne do t’i dërgojmë edhe me ftesën, që një ditë të vijë në Shqipëri, për të prezantuar, pse jo, edhe librin e tij shqiptarëve, të cilët e duan kaq shumë, sa edhe Bill Clinton i do shumë shqiptarët. Dalja e librit të Bill Clintonit dukej si një ëndërr, por tani që e kemi në tavolinë edhe sikur e kemi Bill Clintonin këtu, ndoshta edhe kjo do të realizohet, ndoshta do të jetë një ëndërr jo për mua thjesht, por do të jetë edhe për vetë shqiptarët për çfarë Bill Clinton ka bërë për Shqipërinë, Kosovë, Kombin shqiptar. Në fund të librit të Bill Clintonit ka një citat dhe një fotografi me Nënë Terezën, dhe thotë: “Nënë Tereza më bëri që ta dua kombin shqiptar dhe, duke bërë çlirimin e Kosovës, plotësova dhe ëndrrën e dëshirën e saj.”

-Procesi i përkthimit të librit të Bill Clintonit si ishte për ju? Sa i lehtë ose sa i vështirë?

-Për hir të së vërtetës ishte shumë i vështirë, sepse kishte një stil shumë modern, por ishte sa modern aq edhe intim në detaje të vogla dhe këto vështirësi i kanë përballuar me shumë sukses dy përkthyeset,që janë; Marklena Nika edhe Mirela Prifti. Madje ne testuam rreth 20 e ca përkthyes, morëm kontakt me përkthyes shumë të aftë dhe në përfundim arritëm te Marklena dhe Mirela Prifti, të cilat punuan me shumë përgjegjësi. Duke pasur këtë ekipe me tre femra profesioniste në profilet respektove e sollën veprën me atë imazhin, shijen, botëkuptimin dhe me atë stil.

-Sa është tirazhi i librit?

-Ne tani për tani kemi bërë 1 mijë kopje dhe s’ka asnjë ndryshim nga origjinali, edhe në faqosje edhe në germa dhe të gjitha gjërat përkojnë në librin i botimit amerikan me librin e botimit tonë.

Unë dua të falënderoj në mënyrë të veçantë djalin tim Gentin që e mori me aq seriozitet këtë punë pa zhurmë dhe përmes shumë peripecive ia doli me sukses, sepse vetëm kopertina është shtypur në 4 shtypshkronja. Ja shikoni vetëm këto modelet janë marrë në Greqi. Dhe pasi doli libri, djali im i madh, Altini që ka vërtet sy artisti, e vlerësoi dhe i pëlqeu shumë. Vajza ime, Merita, e shqetësuar për cilësinë e rezultatit final dinjitoz, u shoqërua gjatë gjithë kohës së përgatitjes së botimit nga ky ankth. Edhe ime shoqe, madje dhe unë, tani që e kemi përfunduar këtë nisme të bukur, jemi në një fazë që po ndjejmë një kënaqësi dhe gëzim. Ju pres t’iu dhuroj një libër të bukur!

 

Lexo këtë mesazh të Bill Klintonit, se si e mbyll librin dhe çfarë mesazhi jep

Mendoni sa shpërblyese do të ishte, nëse të gjithë ne do të punonim çdo ditë duke pyetur veten: “Kë mund të ndihmojmë sot dhe si?” në vend të, “Kë mund të lëndojmë sot dhe sa do të shpërblehemi për këtë?”. Themeluesit tanë na lanë një përgjegjësi të përjetshme: Të krijojmë një bashkësi të përsosur. Ata na lanë gjithashtu një qeveri mjaft të fuqishme për të mbrojtur liritë tona, dhe mjaft të ndryshueshme për të sfiduar çdo brez të ri. Këto dy dhurata na sollën drejt një rruge të gjatë e të madhe. Nuk duhet t’i marrim më si dhurata, madje as t’i rrezikojmë, për të përshpejtuar përparimin. Jo më larg se mbrëmja e djeshme, shumica e plagëve tona, përfshirë edhe dështimin ndaj mbrojtjes kibernetike, u shkaktuan nga vetë ne. Të falënderojmë Zotin që kemi përpara një të ardhme plot me mundësi, dhe jo detyrën e pamëshirshme të shkatërrojmë rrugën tonë. Kjo është një detyrë ndaj fëmijëve tanë, vetes sonë, bilionë njerëzve, paraardhësve tanë anembanë botës, të cilët ende na shohin si frymëzim, si një shembull, dhe si një mik që do të bëjë maksimumin në këtë mundësi të dytë. Le ta kujtojmë këtë natë si festimin e shmangies së shkatërrimit dhe si një ripërkushtim ndaj jetëve tona, fateve tona, dhe nderit tonë të shenjtë, në mënyrë që të krijojmë bashkësinë tonë më të përsosur. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë ata që e quajnë shtëpinë e tyre. Ju falënderoj! Mund të flini të qetë!