BILBIL NË KËNGË, SHQIPONJË NË VALLE

1068
Sigal

Arap Çeloleska, një përcjellje si i ka hije Labërisë

Vranishti në zi ka rënë

S’dëgjohet muzik’ e këngë

Se përcjell në tokën mëmë

Burrin e valles së rëndë…

I valles së rëndë, i këngës së madhe  dhe i culës dyjare, ky mbetet portreti artistik i Arap Çeloleskës,  këtij burri  Labërie që, me dhimbje  të rëndë sa Bogonica, po e përcjellim sot në tokën mëmë..Unë e di mirë se Ti, Arap Çeloleska, edhe në përcjellje doje një këngë labe a një valle burrërore  vranishiote,  a ca tinguj nga cyla dyjare që përmes saj krijoje avazet e zogjve por ja që ne sot do bëjmë zakonin,këngë s’do këndojmë po të japim fjalën, se këngën dhe vallen Tënde do ta duam e do ta kujtojmë gjithë jetën.  Do ta duam ne, por edhe brezat që do vijnë se ajo tanimë është futur  thellë në zemrat e njerëzve dhe në fondin e artë të polifonisë shqiptare. Si rrallë kush e pati fatin tënd në jetë dhe si askush tjetër sa Ti si ka shkelur skenat e vendet, ku bëhej këngë e hidhej valle. Ku bëheshin davete, koncerte e festivale. Cep më cep Vlorën e Shqipërinë, plot hijeshi në Kalanë e madhe të festivaleve, por i kudondodhur, edhe në skenat e Kosovës, Maqedonisë,  Gjermanisë, Lituanisë, Francës, Holandës, Italisë etj.. Atje ku skena kërkonte këngën dhe vallen e Labërisë, aty ku duhej portreti yt i dritësuar dhe opinga me xhufkë dhe fustanella si bora dhe jeleku i shkruar e qëndisur nga nënat labe, dhe brezi me gjalmin kuq e zi të pleksur dhe qylafi si majë Çike me borë, mbi kokë.  Se tek Ti, Arap i dashur,  ishin bërë bashkë të gjitha dhe Tinë të gjitha ishe “mbret”  edhe bilbil në këngë edhe shqiponjë në valle edhe me plot nure portreti yt me fustanellën labe. Me zërin tënd virtuoz Ti i dhe dufe këngës polifonike të Lumit të Vlorës,vallja e Vranishtit u bë simbol i valles shqiptare, Kurveleshin dhe Labërinë i gdhende në këngë, vajzën labe gjeraqinë e bëre me flatra, heronjtë e dëshmorët i bëre të pavdekshëm. Ti u këndove me gjuhën e zogjve edhe leshverdhës llërë përveshur  edhe shamiverdhës  si diell edhe fijes së barit në korie  po dhe vlagës së ugarit në fusha se Ti, si asnjë tjetër, pate fuqinë e këngës, këngës së popullit, të Labërisë tënde që e deshe dhe i këndove aq shumë. Nuk do ta dëgjojmë më “a-pa-pa-në…” Tënde të papërsëritshme, pasthirrmën kushtrim të gjerdanit të valles vranishjote, po më beso, ai kushtrim do rrojë e do jetojë sa vet  vallja e Labërisë se me “a-pa-pa-në…” Tënde, kënga dhe vallja jonë labërishte u certifikua nga Botasi Kryevepër ndërkohë që nga Europa  u vlerësua me  “Çmimin e Madh për Folklorin”. Ndaj, Arap i dashur, kanë ardhur sot në këtë  festival mortor gjithë shokët e miqtë e tu të këngës, rapsodët e krijuesit e Labërisë, këngëtarët e valltarët nga të gjitha krahinat e viset, njerëzit e kulturës dhe artit, këngëtaret e grupit të Vranishtit ku me ta ti bëre epokë, këngëtarët e grupit “Bilbili” ku ti ishe themeluesi e frymëzuesi e ku me ta tunde shumë skena Europe po dhe grupi “Çipini” ku ti dhe kontributin tënd të pa kursyer si dhe shumë e shumë krijues e interpretues të tjerë kënge që kanë patur rastin e fatin të venë buzën në këngën e meloditë e Tua.  Të gjithë vijmë e përulemi sot me nderimin më të thellë për veprën dhe jetën tënde që e shkrive në këngë e valle. Së fundi po e mbyll këtë fjalë lamtumire me katër vargje të Mjeshtrit të Madh, Lefter Çipa, thurur në këtë ditë të trishtë:

                                 Pse po rrëshqet loti i syrit

                                 Sipër dheut të varrimit

                                  Gur i Qiellit të Vranishtit

                                  Mbete shpirti i bilbilit…

Lamtumirë, Arap Çeloleska dhe të qoftë i ëmbël dheu, si vetë kënga Jote!

* Nënkryetar i Përgjithshëm  i shoqatës “Labëria”/ Kryetar i Rrjetit Kombëtar të Grupeve dhe Shoqatave të Iso-Polifonisë