Besim Fusha: 170-vjetori i shpikjes së fotografisë

1731
Sigal

19.08.1839 – 170-vjetori i shpikjes së fotografisë

 

Epokat fotografike…

 

Besim Fusha- Studiues i fotografisë

Kur caku i fantazisë njerëzore mbërrin në pragun e lodhshëm, rruga e veprimit për t’u bërë e pranueshme dhe jetësore, mbetet ende e gjatë. Për çdo shpikje. Si kurdo e për gjithçka nga shpikjet që i shërbyen njeriut. Fotografia, po ashtu, shërbestarja zonjë në përmasat e saj, eci e erdhi nga hamendësi e rrugë mundi evoluive, deri në veçanësinë e plotësisë produktive. Është vështirë të thuash se mbetet cak i jetësisë pa u rrokur nga fotografia. Në mikro e makrobotë. Nga bota e përtej bota, në zbërthimet shkencore, te kinematografia e televizioni – te mirësitë e pamatë të tyre – madje, deri në evoluimin kompjuterik, aq të pranishëm e kudondodhshëm në të përditshmen e sotme. Qe shpikja e fotografisë ajo që hapi rrugën e përmasave të pa fantazuara. Mbeten merita lapidare ecuria e asaj shpikjeje dhe rezultantet e vijueshme, ngase, pamohueshëm, njeriu u bë më zot e më i ditur se kurrë, veçanërisht këto pesëdhjetë vjetët e fundit.

Ç’është në themel fotografia?

Ngulitja e pamjeve në fletë të posaçme, të ndjeshme ndaj dritës, të riprodhueshme për shumëfishim, mjeshtria dhe teoria e kësaj fushe. Shkurt: Ndalja e një çasti të pamjes, për t’i shërbyer ecjes së jetësisë.

Fotografia, në kuptimin klasik të fjalës, u shfaq së pari më 1816, por parahistoria e saj shtrihet në thellësi të shekujve. Të mençurit e hershëm, jo vetëm që kuptuan vlerën e ndaljes së pamjeve, por edhe parapanë mundësitë e ecjeve për rrokjen e imazheve. Pesë shekuj p.e.r. Aristoteli vuri re mundësinë e projektimit të imazheve duke vëzhguar thyerjen e diellit gjatë një eklipsi. Nga ku edhe pikënisi ideja e përthyerjes së dritës në një dhomë të errët, që u bë baza e ndërtimit të fotoaparatit. Matematicieni arab Al-Hazen, dishepull i Ptolemeut, flet për Dhomën e zezë, qysh në shek. e 11-të. Më 1515 Leonardo Da Vinçi e përshkruan dhomën e errët me të gjitha hollësitë, duke nisur nga vrima e vogël që lejon depërtimin e dritës. 1550: Zherom Kardan zëvendëson “vrimën e vogël” me një thjerrëz. Albert Durer dhe piktorët e Rilindjes përdorin dhomën e zezë për të vizatuar me saktësi perspektivat e tablove të tyre. Pas 1650-s dhoma e zezë përmban thjerrëza me distanca të ndryshme fokusimi, bëhet e transportueshme. Ajo është tashmë pothuajse një aparat fotografik.(?)

Sipërfaqja e ndjeshme: Veprimi i diellit mbi ngjyrosjen e disa trupave organikë njihej prej kohësh. Arkitekti i Jul Qesarit, Markus Vitruv i këshillonte romakët që tablotë e tyre të mos i ekspozonin në rrezet e diellit. Alkimistët e Mesjetës kishin vënë re nxirjen e kripërave të argjendit kur ekspozoheshin në dritë dhe përdornin nitrat argjendi për të ngjyer fildishin, drurin, flokët. Në shek. XVIII, suedezi K.W.Shell, gjermani J.H.Shulz, zviceriani Senebie, francezi Y.A.C. Sharl dhe anglezi Tomas Wexhwud studiuan këto kundërveprime fotokimike pa ia arritur të fiksonin (stamponin) imazhin e dhomës së zezë.

1814: Nisefor Niepse (1765-1833) ish-oficer i Revolucionit i larguar në Sën-Lu de Varen pranë Shalon-sur-Sonë, nuk njihte pothuajse asnjë nga zbulimet e bëra para tij. Letërkëmbimi i tij i bollshëm me të vëllanë Klod, që ruhet në Muzeun e Shalon-it dhe në Akademinë e Shkencave të Rusisë, përmend edhe kërkimet e tij, e pikërisht shpikjen e një motori me shpërthim baruti… pastaj me naftë. Ai ishte shumë i dhënë edhe pas litografisë (e shpikur nga Alois Senefelder, më 1796).

1816: është data e vërtetë e shpikjes së fotografisë. Niepse përfton imazhet e para mbi letër me klorur argjendi që arrin ta stampojë me acid nitrik – por imazhet janë negative (Letra e 5 majit 1816). Dy nga këta negativë ekzistonin akoma, më 1865.

1822: Niepse realizon imazhe pozitive me bitum Judée – të përhapur mbi pllakë qelqi (ky bitum, normalisht i tretshëm në esencën e lavandës e naftës, bëhet i patretshëm aty ku fiksohet (shtypet) nga drita. “Pamje nga një dritare dhe tavolinë e shtruar”, njhen si dy fotografitë e para. Niepse shpiku gjithashtu edhe fotogravurën “Kardinali i Ambuazës”, “Familja e Shenjtë”.

Niepse dhe Dagerr meritojnë të dallohen. Më 1829, pothuajse i shkatërruar, në moshën 64 vjeçare, Nisefor Niepse (me ndërmjetësinë e opticienit Shëvalie që e furnizonte me thjerrëzat për aparatet e tij), takoi Lui Zhak Mande-Dagerr, piktor dekorator, pronar shfrytëzues i Diorama-s, teatër i panoramave të animuara me lëvizje e lojëra dritash. Me ndihmën e dhomës së zezë, Dagerr bashkonte tablo me pamje shumë reale. I interesuar për rezultatet e Niepse-s, Dagerr bashkohet me të, më 14.12.1829. Autorësinë e shpikjes teksti ia njihte Niepse-s. Por Nisefor Niepse vdiq më 05.07.1833, në moshën 68 vjeçare. Pa u arritur ende suksesi bindës. Pasardhësi i Niseforit, Izidori, nuk diti të mbante vendin e rëndësishëm në shoqatë. Kështu, Dagerr punoi i vetëm dhe rezultatet e tij mbi jodimin e argjendit i pagëzoi me emërtimin Dagerrotipi (1838). Rezultatet qenë bindëse dhe Akademia Franceze, e njohu zyrtarisht shpikjen. më 19.08.1839.

***

Parimi i fotografisë mbështetet në tranformimin ose në shkatërrimin e komponentëve minerale ose organike nën efektin e dritës ose të radiacioneve aktinike (rreze ultravioletë, infra të kuqe, rreze X, rreze gama etj.). Figura që përftohet nga ky proces nuk është e qëndrushme. Kësisoj është e nevojshme të përpunohet shtresa sensibël në solucione të veçanta. Kështu eksperimentimet e mendjeve të pavarura gërryen edhe dekada vitesh. Cardan, më 1550, pati idenë të forcojë ndriçimin duke vendosur një lente përpara vrimës zmadhuese. Po ashtu, alkimistët e dinin që drita transformonte pamjen e klorurit të argjendit të shkrirë. Por, për të bashkuar këto dy fenomene përbërës në fotografi, puqja nuk bëhej, asnjë libër nuk bën fjalë për këtë. Më 1727 J. H. Schulze, tregon se një letër e lyer me gëlqere dhe nitrat argjendi, jep një figurë nën një vizatim kur ekspozohet në diell. Veçantë kështu edhe fizikanti francez Charles ka prodhuar silueta njerëzish. Por duhej pritur Nicephore Niepse të saktësonte shpikjen e fotografisë, duke përdorur si shtresë sensibël bitumin e judesë për të fiksuar pandërprerë pamjen e një peizazhi, në jo më pak se tetë orë. Vite më vonë i eci J. Daguerre arritjet e Niepses. Talbot në Angli (1839) prodhon fletë sensibël me kripë deti dhe nitrat argjendi. Kështu, në përmasën e kuptimit të rëndësisë së shpikjes, u afruan vitet e eksperimentimeve me ecuri të mbarë. Niepce – De Sant Victor (Abel), aplikoi një cipë albumine që përmbante kripëra argjendi mbi pllaka qelqi. (1841). Lagray, më 1850, përdori kollodionin. Gaudin, më 1861, propozoi xhelatinën, por dhjetë vjet më vonë (1871) e vuri në përdorim Madooxi. Përgatitja e emulsioneve me xhelatinë bromur argjendi, e bënë fotografinë më cilësore. Kërkimet e mëvonshme çuan gradualisht në prodhimet cilësore që evoluuan fotografinë e traditës. Imtësia e kokrrizave, shtimi i sensibilitetit kromatik, mundësia për të vepruar lirshëm dhe saktësuar imtësi detajesh brenda kuadratit të pozës, ka qenë preokupimi i vazhdueshëm i shkencëtarëve të industrisë filmike. Dhe fotografia e traditës klasike e përmbushi shkëlqyer misionin e saj. Në të gjithë hapësirën e gjysëm shek. XIX dhe në krejt të përditshmen e shek. XX. Duke dhënë pa fund mirësi. Në çdo imtësi të jetës dhe përtej jetës.

***

Epoka digjitale

Fotografia e traditës klasike pothuajse e përmbushi misionin e saj në mbarim të shek. XX. Ajo polli bijat e saj që ndikuan pangjashëm në ecurinë e mençurisë njerëzore. Rikujtojmë këtu kinematografinë, TV-në etj. Shekulli XXI erdhi me nismën e masivizimit të fotografisë digjitale. Që ndryshon thelbësisht mënyrën e marrjes së pamjeve. Në çdo procesion të këtij arti. Duke krijuar një përplasje të vërtetë me rrugëzimin tradicional të marrjeve fotografike. Jo vetëm në tjetërsimin teknik dhe eleminimin e industrisë së përfitimeve me metodën e gjermëtanishme. Por edhe për të qenë më e kollajshme, për rrjedhojë më masive – më e drejtpërdrejtë, dmth. më efektive dhe e kontrollueshme pa shumë mundim – më pak e kushtueshme, për t’i lënë hapësirë kimikateve në përdorime të tjera, veçanërisht, nitratit të argjendit, përmasa e të cilit qe vështirë e përballueshme për fotografinë tradicionale.

Ç’është në thelb fotografia digjitale?

Thjesht: Vjelja e figurës në impulse elektronike, zbërthimi teknik për ta manipuluar dhe bërë shërbestare për njeriun. Pikënis me një pikël, grimca më e vogël e dritës dhe ngjyrës në një pamje. Ndodh më tutje një ndërlidhje e “elementit figurativ”. Ngjeshja së bashku e shkrin, më në fund, në “njollëzime” të ngjyrimeve të pastra, për të imituar arritjen e një fotografie të plotësuar. Impresionisti frances i shek. XIX Xhorxh Sërat, ndërtoi me mundim piktura me pikëza te vogla boje mbi beze. Duke qëndruar pak larg kapej efekti i një figure të plotsuar, ngase, syri i njeriut nuk i dallon ndarjet e piklave dhe njollave aq të vogla. Është rruga që edhe grimcat e argjendit bëjnë në suportin e filmit, për të ndërtuar imazhin fotografik. Krejt ngjashëm, sensori i vogël i një kamere digjitale, mat dritën si ngarkesë elektrike, shndërrohet në ton ose ngjyrë e copëzuar në grimcë. Ndryshimi magjepsës vazhdon: shenja që ndien dritën mund të përpunohet matematikisht. Të dhënat që përfaqësohen në një pikzel mund të transmetohen, ndryshohen, krahasohen, mund të përdoren për të përpunuar krejt veprën figurative. Një fotografi digjitale, kështu, mbetet shumë më pak çudi sesa përfitimi me rrugët tradicionale. Dixhitalizmi përpunon elektricitetin e ndriçimit në vend të kimikateve, ul koston dhe bëhet shpejt e përdorshme. Nuk duhet shumë kohë mbas shkrehjes së aparatit: Përmirësimi kompjuterik, printimi në letër, në film ose në kinema. Madje, përmes TV-së, ne mund të marrim drejtpërdrejtë dhe cilësisht ngjarjet e kudondodhura. Shkurt: Mundësitë shkojnë aq larg sa boll të kujtojmë Internetin. Mençuria njerëzore pra, ka arritur të manipulojë masën më të vogël të dritës dhe ngjyrës në ate ndërlidhje të “elementit figurativ”. Që, përherë, kanë qenë rrotull nesh, por, vetëm së fundmi, ne i kapëm dhe vazhdojmë t’i zbërthejmë e bëjmë sa më të dobishme.

***

Në të vërtetë shkencëtarët i kanë kapur grimcat e dritës dhe ngjyrës qysh në vitet ’60, rreth dyzet vjet më parë. Imazhi fotografik qe domosdoshmëri e hiperzhvillimeve të teknikës kozmike. U bë nevojë e dorës së parë marrja e imazheve që nga hapësira e largët. Vetëm imazhet fotografike mund të ishin burim studimi për arritje të mëtejshme. Dhe, çelësi u gjet: te grimcat e dritës… duke e kthyer figurën në impulse elektronike. Që vileshin nga kozmosi. U arrit kështu në bërthamën e imazhit digjital. Që në thelb mban “fshehjen” e fotografisë në thërrmija të vogla drite. Që u emëruan: picture elements (elemente të figurës), prej nga doli edhe termi PIXEL. Çdo element i figurës pozicionohet në foto me një numër të caktuar. Numrat u konvertuan pastaj në kompjuturat ekzistues me procesionin themelor 1’s dhe 0’s. Kështu, imazhet u digjitalizuan. Në fillim me pamje bardhë e zi. Në fillim, po ashtu, me një rezolucion (tashmë të pa përfillshëm): 800X800, për një total 64 mijë pixel që përmbante secila foto. Mijëra numrat që u sollën në Tokë u shdërruan në foto nga laboratorët special të NASA-s. Zbulimi, si kurdo, solli ecjen: U volën pa vonesë edhe foto me ngjyra, nisur nga përpunimi përmes një serie filtrash: e kuqja, jeshilja dhe bluja. Dhe, digjitalizmi i vjeljes së fotos, pikënisi udhën e mbarë. Tashmë edhe udhën e perfeksionimit, në teknikë, në sensorët me pixel e megapixel… për ta bërë sa më masive e të mirëpërdorshme. Tashmë, edhe pse jo pa kundërshti të prodhuesve të teknollogjisë tradicionale, fotografia e re po ecën në shinat e ndryshimit të madh. Pasviti dymijë solli epokën tjetër të vjeljeve fotografike. Sigurisht, më komode dhe përherë e më cilësore. Për shërbesa të vlerëshme në hapësirat e pafund të jetësisë dhe nevojave njerëzore.

Fotografia në shek. XXI po sjell vlera madhore në shërbesë të jetësisë. Tani mund të fotografojmë dhe studiojmë 60 milionë Galaktika, me miliarda yje dhe planete. Dhe eksplorimi i Universit vazhdon.

 

 

Somario

170-vjetori i shpikjes së fotografisë

…edhe pse i kontraktuar me Nisefor Niepse dhe i biri: Izidor – Louis-Jacques Mandé-Daguerre, punoi i vetëm për arritjen finale. Arritjen e pagëzoi me emërtimin Daguerréotype (1838). Rezultati qe bindës dhe Akademia Franceze e njohu zyrtarisht shpikjen më 19.08.1839

 

Louis-Jacques-Mandé Daguerre. (1789-1851)

Rradhitur i 47-ti në librin e personaliteteve të njerëzimit.