Berluskoni do t’i japë 1.4 mln euro në muaj ish-gruas pas divorcit

532
Një milion e 400 mijë euro në muaj. Është kjo shuma marramendëse që Silvio Berluskoni është i detyruar t’i paguajë ish-gruas së tij Veronika Larios. Kështu ka vendosur Gjykata e Monzës, duke konfirmuar shifrën e vendosur në seancën e parë për shkak të divorcit. Vendimi i gjykatësit është bërë i njohur për të dyja palët. Nga ajo që është mësuar, gjykata ka përllogaritur shumën mujore që do të përfitojë ish-gruaja nga pasuria e Berluskonit.
Gjykata e Monzës,në shkurt të vitit të shkuar kishte zgjidhur martesën mes ish-kryeministrit dhe gruas, duke lënë hapur kapitullin ekonomik, që tashmë është i mbyllur. Veronika Lario dhe ish-kreu i qeverisë italiane, kishin gjetur një marrëveshje, por çdo përpjekje është rrëzuar përfshirë dhe kërkesën e Larios për të marrë një shifër prej rreth gjysmë miliardë euro.
Pas kërkesës për divorc, zonja Lario kishte kërkuar 3 milionë euro e gjysmë dhe tani Berluskoni, arriti të ulë gjysmën e kësaj shifre. Kërkesën për divorc e kishte bërë zonja Lario, e cila, sipas mediave italiane ishte lodhur dhe ndihej e poshtëruar nga tradhtitë e shpeshta e të vazhdueshme të ish-të shoqit, me të cilin kanë edhe fëmijë.
Sigal