Beqir Elshani/ Librat e Titos dhe hallet e biznesmenit

689
Një biznesmen i shkruan redaksisë: 
E nderuara, Redaksi! Babai im, rahmet shpirtit të tij, ka qenë njeri me autoritet në pushtet. Ai më ka lënë një fond bukur të madh me libra të Titos, të kënaq syrin kur i shikon: me ngjyra të kuqe dhe me shkronja të arta që vezullojnë. Librat janë të ruajtura dhe askush nuk i ka prekur me dorë. Një ditë shkova në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë, jo për t´ua shitur librat e Titos, por për t´ua falur. Merreni me mend, bibliotekarët në vend se të më nderonin, më ndoqën me fshesë. Ai drejtori i Bibliotekës i ngrysi vetullat sikur t´ia kisha mbytur babën. Bile njëri nga bibliotekarët, që zyrën e kishte në krye të shkallëve, për fat të mirë, që arkitekti nuk ka lënë asnjë dritare të hapur se përndryshe do të më hidhte për dritare jashtë. Prandaj kërkoj të më udhëzoni se kujt duhet t´ia dërgoj këta libra të shkreta. Unë sot jam biznesmen dhe fare nuk më interesojnë librat që m´i ka lënë babai. Së shpejti do të hap një qendër të madhe tregtare. Shpresoj që ju do të më gjeni ndonjë dashamir të librave të Titos. Përshëndetje nga bamirësi. 

Redaksia i përgjigjet kështu: 

Letrën tënde e lexuam dhe kuptuam hallin që të mundon. Të njëjtin rast kishte edhe një qytetar nga ana e Karadakut. Mësuam se babai yt kishte qenë njeri i pushtetit dhe ka jetuar në luks, të cilin po e trashëgon ti. Ti shkruan se librat janë të stolisur me ngjyra të bukura vezulluese, megjithëse ato nuk janë asgjë tjetër pos gjemba që t´i vrasin sytë. Ke bërë mirë që fare nuk i ke shfletuar, sepse në veprat e Titos vetëm dreqi s’ka hyrë. Gjatë luftës në Kosovë shkiet nuk lanë shtëpi pa shkrumbuar, prandaj është çudi që librat e mikut tënd, Titos, kanë shpëtuar pa u djegur. Kuptuam që ti sot ke zgjedhur profesionin e biznesmenit dhe së shpejti do të hapësh një qendër tregtare, prandaj të urojmë punë të mbarë. Na erdhi keq, që bibliotekarët nuk të kishin nderuar, së paku me një llokum, si dhurues i librave, mirëpo siç shkruan ti, të ndoqën si një langua. Megjithatë, ti duhet t´i kuptosh bibliotekarët e Bibliotekës Kombëtare, sepse kanë vuajtur të zitë e ullirit nga pushtuesi serb. Shkiet ua kanë plaçkitur ndërtesën, kurse fondin e librave në gjuhën shqipe e kanë djegur. Këtë e di vetëm lëkura e bibliotekarëve shqiptarë se çfarë pasoja kanë vuajtur nga barbaria serbe gjatë luftës në Kosovë. Për inat të kupolave të bardha të Bibliotekës, që i ngjanë qelesheve shqiptare, shkiet këtë institucion e kanë bërë për faqe të zezë, duke kthyer në stallë derrash. pijetore, shtëpi publike dhe depo armësh. Megjithatë, bibliotekarët e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, si demokratë dhe intelektualë shqiptarë, në mënyrë të kulturuar duhej të kishin udhëzuar ty që t´i dërgosh në Fabrikën e Letrës në Lypjan për reciklazhë dhe jo të kërcënohen me fshesë. Mirë që paske shpëtuar pa e thyer qafën shkallëve tatëpjetë.  Meqë ti banon në Rrafshin e Dukagjinit, të këshillojmë që librat t´i dërgosh në fabrikën e tullave në Landovicë. Shpresojmë që ata pranojnë t´i marrin librat nga shtëpia jote, meqë kohët e fundit ndihet mungesa e rrymës në Kosovë. Ti vetëm duhet të lajmërosh fabrikën e tullave dhe ata vijnë menjëherë t´i marrin me kamionin e tyre. 
Sigal