Bëmat e Loro Boriçit, nga eliminimi i Juventusit, tek ai i Gjermanisë

2104
Sigal

 Juventinët i nxori jashtë nga Kupa e Italisë, në vitin 1942; gjermanët, nga finalet e Euro 1968-s

Loro Boriçi (1922-1984), një prej legjendave më të ndritura të futbollit shqiptar, ish-lojtar kampion me Vllazninë (1937, 1945-1948) dhe Partizanin (1949-1956), i Kombëtares shqiptare (24 ndeshje, 6 gola), por dhe i Lacios në Itali (1941-1943) dhe Spartakut të Tiranës (1956), mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga trajnerët më simpatikë të Partizanit (tre tituj kampionë) dhe Kombëtares (20 ndeshje). Fotoja e kapitenit Loro Boriçi me kurorën e dafinës në kokë dhe me trofeun e Kampionit të Ballkanit, më 13 tetor 1946, pikërisht në “Qemal Stafa”, pas fitores 1-0 ndaj Rumanisë, është një ndër më të bukurat, në historinë e futbollit tonë. “Më i madhi të mëdhenjve, një lojtar i madh, një specialist i aftë, një pasionant i palodhur”. Ky është Loroja në kujtesën e atyre që e njohën, u stërvitën prej tij apo bashkëpunuan me të. Loro Boriçi nuk ishte vetëm një futbollist i shkëlqyer, jo vetëm i pari “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, i pari “Trajner Kombëtar”, por një sportist i dekoruar me të gjitha urdhrat dhe medaljet. I mençur, i matur, fjalëpak, tejet i edukuar, ai gëzonte vlerësimin e një etaloni të një sportisti kompleks e të gjithanshëm. Klubet që ka drejtuar Loro Boriçi si trajner janë: Partizani, Spartaku i Tiranës, Flamurtari, Lokomotiva, “Kombëtarja e të Rinjve”, ekipi “Shpresa”, ekipi i Kombëtares së Shqipërisë, Kombëtaren e Kinës.

 FILLIMET

 Loro Boriçi u lind në Shkodër, më 22 gusht të vitit 1922, ku dhe hodhi hapat e para të sportit. Cilësitë e tij spikatën në “Rrethin Don Bosko”, të Kolegjit Saverian të Shkodrës. Pasionat i madh pas futbollit, me një trup elegant, tepër i fuqishëm, në moshën 15-vjeçare bëhet pjesë e Vllaznisë, së vitit 1937, njëherësh edhe kampionati i shtatë Kombëtar dhe i fundit i para Luftës së Dytë Botërore. Boriçi luajti për herë të parë, sipas gazetarit Sotir Seferaj, në ndeshjen Vllaznia-Dragoi i Pogradecit, më 6 qershor 1937, kur ishte 14 vjeç e 297 ditë. Një rekord! Interesant është fakti se, vëllai i tij më i madh, Mark Boriçi, luante si portier. Familja përbëhej nga gjashtë fëmijë, tre djem, Marku, Loro e Pjerini, si dhe nga tri vajza, Angjelina Margarita dhe Klarinda.

 LACIO

 Thuajse një aventurë! Si e tillë duhet kujtuar, për vetë kohën kur ai luajti për ekpin italian: 1941-1943. Loro Boriçi shkoi për studime në Fakultetin e Drejtësisë në Itali dhe u ble nga ana a Lacios nga Vllaznia, në janar të vitit 1941, duke veshur fanellën e Lacios, në tre sezone (1942 -1944), ku u aktivizua në 18 ndeshje dhe shënuar 4 gola. Boriçi ishte lojtari i katërt i huaj, që mbërrinte në Itali në sezonin 1941-1942 të Serisë A, së bashku edhe me tre argjentisit: Hugo Llamana te Atalanta; Huan Landolfi te Ambroziana (te Interi) dhe Amerigo Menuti te Interi. Ndërkohë, në sezonin 1939-1940, Naim Kryeziu te Roma dhe Riza Lushta te Bari, ishin midis 17 të huajve të blerë atë sezon. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, në Itali kanë luajtur edhe Haki Korça, Sllave Llambi, ndërkohë që kronikat sportive italiane flasin dhe për Sabaudin Biçakun, Vasif Biçakun, Muc Koxhjen, këta të fundit në kampionatet inferiore. Vitin e parë në Itali luajti me ekipin rezerve të Lacios, ndërsa në dy sezonet e tjera si lojtar i skuadrës së parë. I njohur në Itali, edhe me emrin Lorenco Boriçi, Loro debutoi një një ndeshke kundër Novarës. Në një artikull të një gazetë italiane shkruhej: “…Lacio do të luajë kundër Novarës. Lacio do të prezantojë në publik, sulmuesin shqiptar Boriçi, një element që ka dëshmuar në stërvitje të dhëna të cilësisë së parë. Bëhet fjalë për një të ri mjaft të shpejtë, por dhe shumë të fuqishëm, që do të jetë shumë i dobishëm për skuadrën romane”. Loro ka luajtur me Lacion, përbri Silvo Piolës së madh. Një nga ndeshjet e tij të mëdha është ajo Lacio-Juventus 3-2, për një të tetat e Kupës e Italisë 1942-1943 (27 shtator 1942), ku përballë njëri-tjetrit ishte Loro Boriçi i Lacios dhe Riza Lushta i Juventusit, një duel shqiptarësh. Loro shënoi golin e barazimit 2-2, dhe më pas goli i tretë i realizuar nga gjermani Koenig (62’) vulosi edhe eliminimin e juventinëve. Gjithsesi, një vit më parë, Riza Lushta kishte arritur të fitonte e Italisë me Juventusin e vitit 1942, kurse Naim Kryeziu kampionatin e Italisë, me Romën, po në vitin 1942.

 VLLAZNIA

 Përvoja në Itali i shërbeu për ta kompletuar në bagazhin teknik, driblimet magjike, pasimet e përpikta, aftësitë organizuese, e sidomos në goditjet e sakta. Rikthimi i tij në Shqipëri, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, dhe aktivizimi me Vllazninë, e bën atë kampion kombëtar në vitet 1945 dhe 1946, dy të parët e pasluftës, pikërisht, pavarësisht se në këtë fundit ai luajti vetëm një ndeshje, pasi u dëmtua rëndë në gju dhe u çua për kurim dhe rehabilitim në Jugosllavi. Gazetari i njohur Anton Mazreku e cilësonte kështu Loron: “Loja e tij do të meritonte një kapitull më vete, golat e tij janë njëri më i bukur se tjetri”. Dhe flasim për një Vllazni, dominuese totale të kampionatit të vitit 1945. Në 10 ndeshje, 8 fitore,  1 humbje (për mosparaqitje) dhe 26 gola të shënuar dhe 2 të pësuar! Vllaznia e trajnerit Ibrahim Dizdari dhe e sulmuesit Loro Boriçi ishte për herë të parë kampione e Shqipërisë. Ndërsa në kampionatin e vitit 1946: 12 ndeshje, 12 fitore! Loro Boriçi ka qenë pjesë e Vllaznisë në kampionatet e viteve 1945, 1946, 1947 dhe 1948.

 PARTIZANI

 Një fletëthirrje për ushtar e çoi Loro Boriçin te Partizani, në vitin 1949. Qysh atëherë, jeta i tij futbollistike lidhet me skuadrën e kuqe. Kampion i vitit 1949 me trajnerin Sllave Llambi, dhe golashënuesi më i mirë i atij sezoni, me 12 gola. Boriçi e udhëhoqi Partizanin në qindra ndeshje të kampionateve, kupave, në mjaft takime ndërkombëtare, deri në vitin 1956, ndërkohë që ai pati dhe një sezon me Spartakun e Tiranës. Mbi 80 ndeshje ndërkombëtare dhe 38 gola është bilanci i tij. Pas mbylljes së karrierës si futbollist, Loro u bë trajneri i Partizanit, “shtëpia” e tij e dytë, duke iu përkushtuar tërësisht trajningut. Fiton tituj kampion si trajner me të kuqtë: 1962-1963, 1963-1964 dhe 1970-1971. Në palmarasin e tij janë dhe katër Kupa Republike: 1964, 1966, 1968 dhe 1970. Loroja bën Partizanin,  Kampion Ballkani në vitin 1970, por ai është dhe kampion Ballkani me Shpresa, dhe fiton me Partizanin medaljen e argjendtë në Lojërat e Ushtrive të Lindjes (Hanoi) 1963. Loroj dallohej për “dashurinë” e tij për futbollistet e fuqishëm fizikë, duke sjellë një numër të konsiderueshëm nga rrethet.

 KOMBËTARJA

Si futbollist, Loro Boriçi u aktivizua në 24 ndeshje me Kombëtaren, 11 me fanellën e Vllaznisë dhe 13 të tjera me Partizanin. Ndeshja e parë tij e parë është ajo kundër Malit të ZI, më 22 shtator 1946, në Shkodër, ndërsa ajo e fundit, kundër Kinës, më 15 shtator 1957. Loro ka luajtur kundër ekipeve të tilla si: Rumania, Bullgaria, Jugosllavia, Hungaria, Polonia, Cekosllovaka, duke shënuar gjashtë gola: tre gola kundër Bullgarisë; dhe nga një gol ndaj Jugosllavisë, Polonisë dhe Cekosllovakisë. Si trajner i Kombëtares ai e drejtoi Shqipërinë në 20 ndeshje, nga miqësorja me Kinën, të fituar 3-2, më 15 shtator 1957, dhe deri tek ajo e fundit, me Algjerinë, më 10 tetor 10.1976, të fituar me Algjerinë. Një nga ndeshjet e tij më të mëdha është barazimi 0-0 me Gjermaninë Perëndimore, më 16 dhjetor 1967, në Tiranë, e që u hoqi mundësinë gjermanëve të merrnin pjesë në finalet e Euro 1968. Një barazim spektakolar ndaj Gjermanisë së Helmut Shënit, që në vitin 1954 kishte fituar Kampionatin Botëror, ndërsa në Tiranë vinte me statusin e nëkampiones së botës. Formacioni i Shqipërisë: Dinella, Gjinali, Jorgaqi, Vaso, Rragami, Shllaku, Pano, Mema, Zhega, Kazanxhi, Bizi. Ky barazim vazhdon të mbetet një nga sensacionet e futbollit tonë, ndërkohë që në Gjermania konsiderohet si në humbje. Trajneri Helmut Shën: “Dua t’i bëj komplimente kolegut tim, Loro Boriçit”. Dhe të mos harrojmë se Shqipërisë iu anulua nga gjyqtari Marshall, një gol i rregullt i realizuar nga Frederik Gjinali. Bilanci i Loros me Kombëtaren është: 20 ndeshje; 2 fitore, 4 barazime dhe 14 humbje. Loro, në fakt ka hyrë në histori edhe si trajner i Kombëtares së futbollit të Kinës. Ai arriti të krijonte atje një ekip shumë të mirë, dhe atë gjë ai e bëri me shumë pasion. Por ai s’ka drejtuar vetëm kombëtaren, por edhe disa skuadra të tjera kineze.

BALLKANIADA

 Loro Boriçi është kapiteni i Kombëtares shqiptare, të drejtuar nga trajneri serb, Ljubisha Broçiç, që fitoi në tetor të vitit 1946, Kampionatin Ballkanik, të organizuar në vendin tonë. Shqipëria humbi ndeshjen e parë 3-2 me Jugosllavinë, fitoi 3-1 me Bullgarinë (dopjetë e Boriçit) dhe 1-0 me Rumaninë, që i mjaftoi edhe për t’u shpallur Kampione e Ballkanit. Boriçi ishte përkrah kampionëve të mëdhenj si Pozelli, Dibra, Llambi, Fakja, Kavaja, Parapani, Spahiu, Biçaku, Mirashi. Në vitin 1948, Shqipëria zuri vendin e dytë në Kampionatin Ballanik dhe të Europës Qendrore.

 ZYRTAR

 Loro Boriçi u dallua edhe si organizator i aftë. Ai ishte anëtar i Kryesisë së Federatës Shqiptare të Futbollit, i Këshillit të Bashkimit të Fizkulturistëve Sportivë Shqiptarë, pedagog në Institutin e Kulturës  Fizike “Vojo Kushi”. Ai ka drejtuar edhe ekipet kombëtare për të rinj dhe Shpresa. Për kontributin e tij, Loro Boriçi, u nderua me titujt e lartë sportivë: “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Trajner Kombëtar”, si dhe urdhra të ndryshëm: Urdhri “Naim Frashëri” Klasi i Parë, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, Medalje pune: “Mjeshtri i Madh i Punës”

 NDARJA NGA JETA

 Loro Boriçi vdiq, më 25 prill të vitit 1984, pas një sëmundjeje të rëndë. Në fakt, për të u tregua një kujdes i posaçëm nga ish-sekretari i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, dhe më pas Sekretari i Parë, Ramiz Alia. Loro u dërgua jashtë shtetit për kurim, por nuk mundi të mbijetojë. Sipas bashkëkohësve të Loros, në vdekjen e shpejtë të tij një rol ka pasur edhe gjendja e tij shpirtërore, pasi ishte tip i ndjeshëm, dhe i përjetonte jashtë mase, si fitoret ashtu dhe humbjet.

“Loro Boriçi”

 Emri i Loro Boriçit është i përjetësuar në stadiumin e qytetit të Shkodrës, që mban emrin “Loro Boriçi” dhe në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive, në Tiranë.

SKEDA E NDESHJES

JUVENTUS-LACIO 2-3

 Kupa e Italisë

Sezonit 1942-1943

E diel, 27 shtator 1942

Stadiumi: Torino

Raundi: Një të tetat

Arbitër: Galeati

Shënuesit:

1-0   Ventimiglia 13’

1-1   Pisa 35’

2-1   Ventimiglia 48’

2-2   Borici 57’

2-3   Koenig 62’

SKEDA E NDESHJES

SHQIPËRI-GJERMANI

Eliminatoret Euro 1968

E mërkurë, 16 dhjetor 1942

Stadiumi: “Qemal Stafa”

Trajner: Loro Boriçi (SH)

Trajner: Helmut Shën (GJ)

Arbitër: Marshall