Belul Lufo: Qeveria t’ia u dërgojë nga një CD drejtuesve të lartë ta shohin se ku janë sot

744
Sigal

Në një kanal televiziv ‘Shqiptarët’ po shfaqej filmi shqiptar “Rrethimi i vogël” i xhiruar në vitin 1978 në Pogradec me skenar të Rruzhdi Pulahës dhe regji të Saimir Kumbaros… Befas më bie telefoni dhe ish-Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të asaj kohe, Belul Lufo më fton menjëherë pas filmit të pinim një kafe.

-A e pe filmin “Rrethimi i vogël”, më drejtohet Beluli sapo u takuam ?…

Një film aktual që pëlqehet edhe sot, edhe pse është krijuar në diktaturë. Realiteti i asaj kohe që mbetet aktual dhe sot …- A ka ndonjë njeri që nuk i pëlqejnë ushqimet bio, ky film është bio. Shikojeni zotërinj qeveritarë e pushtetarë që merrni një karrige dhe më pas punësoni me soj dhe sorollop, sikur institucionin ta kishit të babit…Kryeministri duhet që të bëjë fotokopje të këtij filmi dhe t’ia u japi ministrave kryetarëve të bashkive dhe gjithfarë drejtuesish, që ta shohin me kujdes dhe të skuqen para këtij filmi. Më pas Beluli më tregon detaje se si u krijua ky film nga mjeshtri i dramave dhe skenarëve, Rruzhdi Pulaha që në atë kohë ishte transferuar në Pogradec si libretist në estradën profesioniste të Pogradecit. Beluli tregon se sapo ishte kthyer nga kryetar kooperative në një fshat të Mokrës në Kryetar të Komitetit Ekzekutiv dhe kjo e kishte shtyrë Rruzhdi Pulahën që ta shkruajë në kohë rekord, madje me laps skenarin e këtij filmi në variantin e parë me titullin “Si u bëra kryetar”. Më vjen Rruzhdiu në zyrë dhe ma jep për të lexuar skenarin. E lexova dhe të them të drejtën më pëlqeu, aty aludohej për ngritjen në detyrë të një njeriu të thjeshtë me arsim të lartë, që drejtonte një koooperativë dhe e bëjnë kryetar komiteti. Nuk më pëlqeu ai momenti për vjehrrën e kryetarit, pasi vjehrra ime jetonte në fshat dhe as bëhej fjalë që mund të më ndërhynte mua në emërimet, por Rruzhdiu më tha se ky është film artistik dhe do të bëhen dhe përgjithësime edhe me kryetarët e tjerë…
 Miratohet skenari dhe në një kohë rekord filluan xhirimet. Më vinte aktori ynë i mrekullueshëm, Timo Flloko çdo ditë në zyrë, qëndronte në pritjen e popullit në mbledhjen e Komitetit, i cili donte të vilte tërë atë sharmin e kryetarit, pasi në film atë rol e luan Timua. Gjithçka shkoj në rregull, filluan xhirimet, madje unë i lëshova zyrën e Kryetarit të Komitetit dhe gjithë ambientet e tjera dhe veturat e Komitetit. Desha të sqaroj një moment, thotë Beluli se në momentin e fundit, filmit i ishte ndërruar titulli nga ai “Si u bëra kryetar me atë aktualin “Rrethimi i vogël”. Shfaqet filmi në Tiranë, kur befas me bie zilja e telefonit dhe më thotë shefi i kuadrit të KQPPSH të asaj kohe, Mihal Bisha dhe më thotë se duhet të isha në Tiranë nesër, pasi më kërkonte Lenka Cuko, anëtare e Byrosë Politike të asaj kohe. Shkoj në Tiranë dhe takoj Lenka Cukon. Sapo futem në zyrë, ajo më pret me ‘këmbët e para’ dhe pa më përshëndetur më thotë: -More Belul, kush je ti që i lëshon zyrat e partisë për të luajtur filma artistikë, të zhgërryhen aktorët në ato zyra të shenjta të partisë dhe popullit. Në fillim e humba, më pas i thashë, pse mos kam bërë ndonjë krim shoqja Lenka? Dil jashtë më tha ajo me inat dhe do ta shohim punën tënde, se më duket se ke nevojë të shkosh andej nga ke ardhur. – Dola i tronditur, thotë Beluli dhe më vonë më vjen një vërejtje nga Lenka Cuko për xhirimin e filmit… Kjo është historia e filmit, tha Beluli që gjithçka e tregoj me një emocion të veçantë. Prandaj duhet që CD e këtij filmi kreu i ekzekutivit t’ia u bëjë dhuratë drejtuesve aktualë, që e kanë bërë përshesh. Ja të të tregoj dhe një fakt të thjeshtë. Vëllai im i vogël, Astriti kishte mbaruar Institutin e Fizkulturës dhe e kishin emëruar në Mokër. 5 vjet Kryetar Komiteti dhe nuk e transferova dot vëllain tim, edhe pse ishte familjar kisha dhe frikë, por njëkohësisht dhe përgjegjësi se do të thoshin të tjerët e transferoj të vëllain Kryetari i Komitetit. 
Po këta të sotmit kanë ngatërruar profesionet, qeverisin analfabetët me diploma të blera, rrugaçët që kanë ndërruar emrin, kriminelët që janë marrë me prostitucion, hajdutët, tradhtarët që tentuan t`i shesin detin Greqisë, servile që janë përhapur në formën e epidemisë. Nepotizmi, si forma e qeverisjes, ku kreu i një institucioni qeveris me familjen baxhanakë dhe nipër, mbesa i papenguar nga ligji dhe drejtësia…Shoqëria shqiptare karakterizohet nga mungesa e alternativave. Alternativat shfaqen si përralla, sepse rruga që do të shpinte në to mungon, pasi e kanë mendjen se si mund të vjedhin, sapo hipin në karrige. Botëkuptimi i tyre është i destinuar të mbetet primitiv dhe i shtrembëruar. Nëse shqiptarët nuk janë në gjendje të bëjnë dallim midis mendimit dhe realitetit, atëherë si mund të bëjnë dallim midis së vërtetës dhe gënjeshtrës? Koha e sotme, lind pyetje, na sjell përgjigje, sqaron dyshime, por mbi të gjitha na tregon të vërtetën…!

Bardhyl Berberi