Bashkimi i “Rilindësve” me “Republikanët e Rinj” dhe socialistë e demokratë që 26 vite… “i kanë rënë legenit kot”

561
Përparim HALILI
Pas dy ditësh, PS ka datëlindjen e 26-të, të regjistruar pas datëlindjes së 50-të si PKSH e PPSH me distancim prej saj, të cilën prej 4 vitesh e feston me logon mavi të “Rilindjes”, që në vend të trëndafilit rozë të socialistëve të 12 qershorit 1991, ka vendosur një tufë gjethesh hashashi! Prej 18 ditësh, PD është bërë pjesë e kupolës së “Rilindjes”, duke bashkuar forcat nën një qeveri me të! Qysh prej vitit 1991, siç na janë vetë-prezantuar me qëndrimet e tyre, PS e PD kanë qenë në dy “transhe armike” me njëra-tjetrën, deri me agresivitet ekstrem, por që në çdo 8 vite, kanë lëshuar dhe marrë pushtetin me “luftë” ditën e me puthje natën. Të 26 vitet deri në datën 22 maj 2017, kanë qenë të mbushura me parulla luftarake, me postera dordolecësh, me montazhe e karikatura kryetarësh, me citate e logo zgjedhore, me fletushka-programesh false, me kërcënime reciproke në grupe militantësh, me presione e piramida financiare ku të dy palët “hanin dhe shanin” njëra-tjetrën duke akuzuar “me gojët plotë” për vjedhje shqiptarësh. Anëtarët e PS e PD, në emër të idealeve “blu” e “rozë”, janë përballur dhe kanë luftuar egërsisht me njeri-tjetrin sidomos në 180 ditët e rebelimit antiqeveritar të vitit 1997. Në këto 26 vite, anëtarët dhe militantët e të dy partive PS e PD, sot “R”(Rilindje) dhe “RR” (Republika e Re), janë përballur me dajak e pranga policore, me dhunë fizike militantësh të armatosur në fushata e qendra votimi, me thirrje për hapje e mbyllje të kutive të votimit. Shumë prej tyre kanë përfunduar edhe si viktima, nën sakrificat dhe përkushtimin e idealit partiak! E ndërsa liderët bënin “teatër dramatik” me denoncime reciproke në prokurori e polici, anëtarët janë përballur me denoncime reale në prokurori, me burgosje e deri me vrasje në protesta! Por asnjë nuk ka qenë familjar i liderëve të partive, mbasi ata e ndiqnin luftën mes palëve nga maja e zyrave të pushtetit, ose nga fundi i shesheve! Socialistë e demokratë, tashmë “rilindës” dhe “republikanë të rinj”, kanë mbajtur verbërisht linjën e drejt të bindjeve politike, duke shërbyer me besnikërinë dhe përkushtimin deri në sakrifica fizike, familjare, sociale, financiare, ekonomike e shoqërore. Deri më 22 maj 2017, nën flamujt dhe thirrjet e liderëve të partive të tyre, ata kanë qenë të pozicionuar hapur kundër e përballë njeri-tjetrit, duke rendur pas fjalës së liderëve të partive, të cilët rezultoi se nuk ishin si anëtarët, por bartës e përcjellës të një ideali fals, vetëm e vetëm për të mbajtur militantët në… “kazermat” e partive, gati për betejat e tyre fiktive të radhës! Këtë e provoi fakti, që pas 26 vitesh “pas kuintave” me puthje dhe në skenën me lojë autoriale si “armiq”, liderët e PS e PD, pas një takimi kusarësh natën, kanë vënë duart e tyre mbi “timonin” e pushtetit, ulur në “prehër” të njëri-tjetrit, duke shpërfillur idealin, moralin dhe sakrificat e anëtarësive të tyre të sinqerta e të përkushtuara, të cilat i kanë besuar verbërisht! Kupola e “Rilindjes” dhe kupola e “Republikës së re”, patjetër në datëlindjen e PS më 12 qershor 2017, do të jenë bashkë si dy “parti motra”, të dala nga “mitra” PPSH, por të ndara sa për të krijuar sundimin reciprok gjoja pozitë-opozitë në çdo 8 vite. Nuk e dimë nëse, po të ishte gjallë Azem Hajdari, do të ulej në “prehrin” e PS-“Rilindjes”! Nuk e dimë, nëse po të ishin brenda “Rilindjes” themeluesit e PS-së të vitit 1991 (jo ata që pranojnë me përulje të jenë deputetë të përjetshëm), do të “putheshin me “Republikën e re” që po trashëgon PD-në e Dhjetorit ’90! Por dimë faktin, që anëtarët (jo zuzarët) e dy partive, ndihen të tradhtuar, të mashtruar, të denigruar, të tallur, të përdhosur në idealin dhe moralin e tyre 26-vjeçar, që rininë dhe jetën ua falën këtyre partive, të cilat për hir të vërtetës, kanë pasur në krye paraardhës batakçinj dhe pasardhës, që partitë i kanë marrë si dhuratë me “akt-trashëgimie” për vazhdimin e sundimit të familjeve, klaneve e fiseve respektive, siç e treguan edhe listat e fundit të kandidatëve të pastruara nga themeluesit e të mbushura me trashëguesit! PS nën logon “Rilindje” dhe PD nën logon “Republika e Re”, të cilat komandohen nga dy ish-emigrantë me profesion rinie, njeri kamerier dhe tjetri vizatues trotuaresh, kanë nisur rrugën e re të përbashkët. Por, jashtë dhe kundër “korsive” të idealeve e programeve, për të cilat u krijuan këto dy parti! Pas 26 vitesh, PD-PS dallohen vetëm nga ngjyra e logove dhe flamujve, nga emrat, datëlindjet, pasuritë dhe pamja fizike e dy krerëve! Prej 8 vitesh “Rilindje” dhe prej 100 ditësh “Republikë e Re” nuk ka më PS e PD, por ka vetëm dy “sera” politike, që “mbjellin e kultivojnë” interesat e liderëve dhe kupolave përkatëse, të importuar nga emigracioni si “princër” nga paraardhësit e tyre! Dhe po prej tyre, u “certifikuan” si “mbretër” me falje “kurore” në krye të froneve të këtyre dy “monarkive” partiake, që në 26 vite fshehurazi e prej 20 ditësh haptazi, kanë ndarë “sarajet” e pushtetit së bashku! Tashmë ish-PD-ja dhe ish-PS-ja, janë bërë bashkë, 26 vite pasi shkatërruan këtë vend e këtë popull, duke përdorur si “mish për top” deri në lodhje e degradim të plotë fizik, ekonomik, moral e jetësor anëtarët besnikë e idealistë, që u “thinjën”, u ngjirën e u rropatën mitingjeve dhe fushatave elektorale të dy partive, në pritje të futjes në Evropë. U masakruan, duke rendur pas liderëve me thirrjet e tyre mashtruese për pronat, për të drejtat e të përndjekurve politikë, të veteranëve e familjeve të dëshmorëve, të punësimit të të rinjve, të emigracionit ligjor, për fuqizimin e ekonomisë, për strehimin, për rritje pagash e pensionesh si në vendet e BE, për trajtimin dinjitoz të invalidëve, jetimëve e të moshuarve, për të drejtat e ish-ushtarakëve, që të dy palët i përzunë nga ushtria me ligje të vulosur e firmosur nga të dy palët në mirëkuptim. Por, tashmë PD e PS janë bashkë, duke lënë pas me baltosje mosmirënjohëse, dy histori të mëdha e dinjitoze sakrificash 26 vjeçare të anëtarësive dhe themeluesve të tyre! “Republikanët e rinj” të PD që të kujtojnë “Zapatën”, groposën guximin dhe sakrificën, idealin dhe kontributin e studentëve të Dhjetorit ’90, të cilët nisën dhe diktuan përmbysjen e diktaturës komuniste. Pas 26 vitesh, “Rilindja” që të kujton Enver Hoxhën e “Republikës së re popullore” të 1945-’46-ës, hodhi në kosh sakrificën e madhe dhe rezistencën edhe morale të intelektualëve e mijëra anëtarëve të ndershëm të PPSH, të cilët e reformuan atë në PS. Bashkimi “Rilindësve” me “Republikanët e Rinj”, kanë dhënë mesazhin tek socialistët dhe demokratët, se prej 26 vitesh brenda këtyre partive, ata “i paskan rënë legenit kot”!
Sigal