Bashkim Kozeli: “Ëndrra e Ismail Qmalit”, pas 100 vjetësh!…

784
Sigal

INTERVISTA/Flet dramaturgu Bashkim Kozeli, fituesi i çmimit të parë të dramës me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë

Më datën 4 shtator MTKRS organizoi shpalljen e fituesve të Konkursit të Dramës Shqipe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në këtë konkurs u paraqitën mbi 30 drama më autorë shqiptarë. Juria e përbërë nga z. Mihallaq Luarasi (kryetar), Ndriçim Xhepa, Yllka Mujo, Sesilia Plasari, Bashkim Hoxha, Basri Capriçi, Josif  Papagjoni. Çmimi i parë në prani të ministrit Aldo Bumçi, iu dha dramaturgut  Bashkim Kozeli për dramën “Endrra e Ismail Qemalit”.

Kush  është Bashkim Kozeli, pasi për brezin e tanishëm në një farë mënyre jeni i panjohur?

Arsyeja pse jam i panjohur për vajzat gazetare është se unë i përkas një moshe tjetër dhe ngaqë dramat e mia janë vënë në skenë vite më parë.

Sa kohë u është dashur për të shkruar këtë dramë?

Po bëj një krahasim të vogël: Skenarin e filmit televiziv me dhjetë seri “Dhimbja e Dashurisë” e kam shkruar për 3-4 muaj, ndërsa për këtë dramë më janë dashur mbi 4 vjet.

Si  ju lindi ideja për dramën “Ëndrra e Ismail Qmalit”?

Pas dy dramave, “Lidhur si fishekë gjerdani” dhe “Pavdekësi”, që evokojnë periudhën e Pavarësisë dhe Luftës së Vlorës, ku Ismail Qemalin e kam sjellë nëpërmjet ngritjes së Monumentit të Pavarësisë, apo xha Brahos, bashkëkohës i tij, kisha lexuar aq shumë për të, sa e shikoja pothuajse të gjallë, që herë më afrohej, herë më largohej, herë më shfaqej si shtetar, herë i përvuajtur nga internimi, herë baba i dhembshur me shumë fëmijë e me dashuri platonike për gruan, herë i prerë dhe i vendosur që t’i mposhtë këto ndjenja për hir të sakrificave që kërkonte çështja kombëtare. Më duhej pa tjetër të gjeja pikën e vlimit, ku të shpaloseshin dramaturgjikisht të gjitha këto vlera….Dhe gjeta pikërisht momentin, kur më 1900 Ismail Qemali, shtetar i lartë i Perandorisë më të madhe të asaj kohe, braktis të gjitha funksionet, pasurinë, sakrifikon familjen dhe rrezikon jetën, duke u arratisur nga Stambolli në Europën Perëndimore, për të siguruar bashkimin e katër vilajeteve shqiptare.

A ka tingull aktual kjo dramë historike?

Të  them të vërtetën, po të mos kisha gjetur pika takimi me aktualitetin, nuk do kisha marrë mundimin t’i  hyja kësaj pune. Së pari, qysh në ekspozenë e dramës, Ismail Qemali jepet një burrë shteti me kulturë liberale,  kundërshtar i absolutizmit sulltanor. Ai kërkon ndryshimin e Perandorisë në një Federatë të madhe, pak a shumë si ajo Helvetike, ku çdo popull të rregullohej në mënyrë autonome në përmasën e  një bashkësie ekonomike e  politike të përbashkët. Ky koncept  largpamës, ishte tepër modern për ato kohëra, njëfarësoj modeli, që sot urohet për Bashkësinë Europiane.. Vizioni i tij është sa kombëtar, aq edhe europian e ballkanik.

Cila është pika kulmore e kësaj drame?

Pika kulmore është kur Ismail Qemali merr vesh se Isa Boletini, kryetrimi i Kosovës martire, me 30.000 luftëtarë, i ka dërguar ultimatum Sulltanit për të drejtat e shqiptarëve.  Ky moment e bind  Ismail Qemalin se nuk është vetëm rruga diplomatike për krijimin e shtetit të ri, por edhe faktori i brendshëm me veprimet konkrete, madje dhe luftarake.

Sa personazhe ka “Ëndrra e Ismail Qemalit” dhe cili është personazhi më i vështirë në artin skenik?

Drama ka rreth 20 personazhe. Jam përpjekur të vizatoj deri në imtësi individualitetin e çdo personazhi, por natyrisht, Ismail Qemali është më i kompletuari, i cili vepron nga fillimi deri në fund të dramës.  Sa për pyetjen, cili personazh është më i vështiri në artin skenik, mendoj se vështirësia nuk qëndron tek  një personazh, por tek harmonia e të kundërtave në gjithë strukturën e dramës.…Në muzikë nuk mund të ketë ritëm pa melodi. “Sekreti” i pikturës është  dritë-hija…  Kështu që, edhe  dramën e mban konflikti “drite-hije”, pra, marrëdhënia e  karaktereve të kundërt…Ashtu si brenda vetë karaktereve vlojnë ndjenjat e kundërta: dashuria, urrejtja, ndershmëria, hipokrizia, gëzimi, hidhërimi, etj, etj..

Pse e keni titulluar kështu dramën?

Sepse ky titull i përshtatet situatës, subjektit. Drama zhvillohet në harkun kohor 1900-1908. Gjatë kësaj periudhe kontaktet e Ismail Qemalit me personalitetet politike të Romës, Parisit, Londrës e Athinës, do të përbënin preludin e Pavarësisë së Shqipërisë, por që në 1908-n ishte akoma një ëndërr… Mirëpo, gjatë bashkëpunimit me regjisorin Spiro Duni, na u duk interesante që Ismail Qemali të trajtohet disi ndryshe, në një këndvështrim te ri  poetiko- dramaturgjik, në formën e intervistës me një gazetar amerikan, madje duke e sjellë ngjarjen disa vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Natyrisht, autorit i dhemb edhe për një batutë të ndryshuar, por rashë dakord nga që kam besim tek regjisori Duni dhe tek interpretimi i trupës së Teatrit Kombëtar.