Bashkim Koçi/ Syri magjik i Niko Xhufkës

679
Sigal

Ngjyrat janë buzëqeshja e natyrës. Kjo thënie, e cila merr përsipër të na japë poetikisht të panjohurën, magjinë e bukurisë së natyrës, gjen veten si të jetë vetë ajo, tek albumi  “Riviera Shqiptare” e fotografit, tashmë të mirënjohur, Niko Xhufka. Unë kam parë dhe kam shfletuar disa albume që Nikoja ka përgatitur në vite, me punën e tij prej artisti brilant për afro një gjysmë shekulli. Janë gjashtë të tillë: për heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun; për qytetin e një mbi një dritareve, Beratin; për Arbëreshët e Italisë, për Kështjellat, për Turizmin dhe një album të veçantë për poetin Dritëro Agolli.  Por albumi “Riviera Shqiptare” e botuar kohët e fundit, sipas meje, është si t’i  bësh “pushtim” absolut prej artisti, nga toka, deti dhe ajri, asaj që ne të gjithë i themi “bukuri e rrallë, të falur nga zoti”, Rivierës.  Pamjet e fiksuara nga syri magjik i fotografit janë çuditërisht përrallore, diçka si pjesë e parajsës tokësore, copëza mrekullie “të kafshuara” nga shkrepja e një mekanizmi misterioz nga një njeri absolutisht po kaq misterioz për nga profesionalizmi. Është mundësia e të bërit realitet një ëndërr, ajo që e bën jetën interesante. Fotoreporteri Niko Xhufka  për nga përvoja, por edhe nga pjekuria profesionale që ka arritur për disa dekada, mund të thuhet se i ka kapur majat, madje po na shfaqet si një artist i pazakontë i fotografisë. Syri dhe fantazia, dy “shqisa” me të cilat ai gatit befasitë artistike, janë bashkuar dhe kanë punuar të shkrira në një, të fokusuara për të nxjerrë në sy të soditësit të fotografisë atë çka cituam më sipër, buzëqeshjen e natyrës. Sepse artisti Niko, e ka parë Rivierën tonë të magjishme jo thjeshtë për të evidentuar pjesë të bukurive të saj, por se këto bukuri i sjell ashtu si di ai, ashtu si nuk ia pret mendja një soditësi të zakonshëm të atyre bukurive. Nuk besoj të mos ketë bërë fotografi kush ka shkuar në qytetin e Sarandës si turist, ashtu si  e ka bërë një gjë të tillë edhe tek Syri i Kaltër,  në Ksamil, në Parkun Kombëtar të Butrinit, Llogara, apo pamjet që të lënë pa mend të fshatrave të Bregut. Absolutisht këto pika ka zgjedhur edhe aparati dhe syri i Niko Xhufkës. Vetëm me një ndryshim “të vogël”. Ai ka ditur të fiksojë e të veprojë jo me “shkrepe një herë”, por si artist i përmasave të profesionistit fantazist, të papërsëritshëm për nga ajo që ka grumbulluar deri më sot enciklopedia e universit të këtij fotografi me emër të mirë. Shtatë Ishujt e Ksamilit, fjala vjen, janë sjellë në album me një finesë të jashtëzakonshme, që të bëjnë të marrësh udhën për t’i parë atje ku janë vendosur, ashtu “bio”,  atë pikturë “të pikturuar” nga natyra. Me këtë mjeshtëri e merak janë fiksuar pamje të Butrintit. Por jo “mure e gurë” për t’i thënë atij që shfleton albumin “këtu je në Butrint”, por që ai të shijojë artistikisht, të mund të ndjehet i lumturuar e i befasuar. Kalaja e Ali Pashë Tepelenës dhe mozaiku i Kështjellës në Butrint janë sjellë në albumin e Rivierës si pjesë të brendshme të bukurive të harruara.

Niko Xhufka e bën shkëmbin të të flasë me gojë. Trungun e një peme ta sjell si të jetë bust njeriu, me këmbë e duar, që të huton, që të bën  për  të “bashkëbiseduar” me të. Shkëmbinjtë e Karaburunit mund të të duken si mure kalaje, si gurë “ciklopë” të vendosur si me dorë njëri mbi tjetrin.  Një fytyrë njeriu ta sjell të vizatuar në ujë, shikuar nga lart, shqisat e të cilit janë qëndisur nga dallgët e detit. Ku dhe si i ka gjetur këto “gjallesa”  të natyrës fotografi-artist, duhet të kesh këmbënguljen, durimin, mjeshtërinë e mjeshtrit Niko Xhufka. Nuk janë një apo dy, por plot 177 faqe të mbushura me fotografi, mbase më të mirat e realizuara falë përvojës dhe pjekurisë si artist i fotografisë. Nuk janë hedhur në këtë album “me ç’të gjesh përpara”. As për të njohur gjeografikisht kufijtë e Rivierës Shqiptare dhe as për t’i  marrë objektet me radhë, si në një udhëtim qejfi. Jo. Niko Xhufka në të gjithë atë inventar fotografish ka bërë përpjekje maksimale prej mjeshtri të thekur, sa profesionist po aq edhe sedërli, për të dalë përpara opinionit si një magjistar i fotografisë. Nëse të duket se në duar mban një dëng me letër, pra albumin, në fakt  aty është pozuar Riviera-perlë, bukuritë e saj. Fotografitë, si njëra dhe tjetra, si ajo e kapur nga toka dhe ato të fiksuara nga ajri, sjellin tek shikuesi ndjesi jo pse sheh e shijon pamje në një mënyrë tjetër, artistikisht, por në një farë mënyre të duken edhe si poezi, që të fusin në siklet për t’i dhënë përgjigje asaj që pyet poeti Dritëro Agolli diku për një gur që e rreh dallga e detit: Ku qëndron bukuria vallë?

Nëse një turisti, të ardhur këtu në Shqipëri, qoftë dhe nga vende me natyrë e klimë ku nuk mbahet dora për të shpenzuar para, do t’i jepet në dorë, nëse do t’i krijohej mundësia të shfletojë albumin fotografik “Riviera e Shqipërisë” të Niko Xhufkës,  jam i bindur se ai, pa asnjë ngurrim, do t’i binte pash më pash “gjerdanit të florinjtë” të Rivierës, duke lënë për qejf  të shpirtit edhe centin e fundit. Por kjo, për fat të keq, nuk ka bërë vaki të ndodhë. Përkundrazi, albumet e fotoreporterit të talentuar nuk i ka zënë kush me dorë, nuk u janë afruar as drejtues të pushtetit vendor të zonës së Rivierës, të cilët, kush më shumë e kush më pak, do të mundte që ky album fantastik të bëhej pjesë e ngritjes të turizmit elitar.

Sidoqoftë, albumi “Riviera Shqiptare”, me apo pa kujdesin e Qeverisë, me apo pa kujdesin e pushtetarëve, ua bën ftesën turistëve: Mirësevini në Shqipëri , në vendin ku secili mund të admirojë dhe shijojë natyrën e bukur dhe të virgjër; shkëlqimin dhe ngrohtësinë e diellit; ajrin e pastër dhe klimën e shëndetshme. Këtë, sigurisht, e bën syri magjik i Niko Xhufkës.