Bashkim Koçi: Porosia e fundit e një veterani

964
Shkrim-homazh për ndarjen nga jeta të veteranit të LANÇ-it, partizanit të Luftës së Dytë Botërore, Besim Prishta (Dervishi)
Veteranët e Luftës Nacionalçlirimtare po ikin një e nga një, duke na krijuar një boshllëk disi të veçantë, ndjesinë e humbjes të “arkivit” të gjallë, të atyre që sakrifikuan si askush tjetër për Shqipërinë. Një ndër ta, që u përcoll me nderimet e merituara nga qytetarët e Vlorës më datën 3 Qershor, në moshën 97 vjeç, ishte edhe Besim Prishta (Dervishi). Besim Bektash Prishta kish lindur në maj të vitit 1920 në fshatin Prishtë të Skraparit. Në një jetë gati shekullore, ai “la shpirtin” për të dhënë kontribute të çmuara për vendin dhe shoqërinë. Ai u bë pjesë e Lëvizjes dhe e Luftës Nacionalçlirimtare në moshë fare të vogël, duke u frymëzuar nga luftëtarë e patriotë të asaj zone si Zylyftar Veleshnja, Kahreman Ylli, Mane Nishova, Tajar Grepcka, Vaip Çepani, Asllan Osoja etj. Në fillim u bë pjesë e formacionit luftarak të Grupit partizan të Skraparit, e më pas, më 20 Gusht të vitit 1944 u rreshtua në Brigatëne 16-të Sulmuese, ku mbajti pozicionin e komisarit të Kompanisë II-të e të komisarit të batalionit. Edhe pas çlirimit të vendit ai mbeti një kuadër i lartë dhe i rëndësishëm i ushtrisë. Kryesisht, shërbeu si drejtues i forcave të kufirit ku, siç shkruan ai në kujtimet e tij, “përpjekjet ishin, pa asnjë mëdyshje, jo më të lehta e më të parëndësishme se lufta kudër pushtuesve”. U shkollua në Bashkimin Sovjetik, gjë që do ta kompletonte partizanin e zbritur nga malet me kulturë të lartë ushtarake. Si oficer ai punoi në disa sektorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme e në Ministrinë e Mbrojtjes. Detyrat, nga shef shtabi deri në zëvendëskomandant i prapavijës në brigadë, i kreu në mënyrën më të mirë të mundshme. Veprimtarinë dhe përkushtimin e tij të gjatë në Forcat e Armatosura e gjen në Korçë, Sarandë, Tropojë, Vlorë, anekënd vendit. Pas daljes në pension, për rreth katër dekada, ai u shqua si veprimtar i dalluar shoqëror ku ndihmesën më të madhe ia kushtoi organizatës së veteranëve të qytetit të Vlorës. Madje për merita të shquara Besim Prishtës i është akorduar titulli “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”.Pak muaj përpara se të ndahej nga jeta, edhe pse në moshën 97 vjeçare, dha këto kujtime për gazetën “Telegraf”: “Brigada e 16 Sulmuese u formua diçka më shumë se tre muaj përpara se të çlirohej vendi. Vërtet aty u inkuadruan partizanë, pjesë e Grupit të Skraparit, por numrin më të madh e përbënin luftëtarë beratas, por edhe nga Kurveleshi e Mallakastra. Formimin e Brigadës së 16-të në Therepel të Skraparit e diktoi situate që ish krijuar në këtë krahinë. Të mos harrojmë që Skrapari në atë kohë ishte pastruar nga hordhitë nazifashiste. Këto ngjarje, për kohën kur ndodhën, ishin shumë të rëndësishme. Ju ndoshta, as që mund ta përfytyroni se ç’emocione krijoi tek ne partizanët formimi i këtij formacioni të madh luftarak. Edhe tani pas 72 vitesh, kur i kujtoj, më rrëqethet mishtë. Ishim në luftë, përballeshim me pushtuesit, me nazistët gjermanë. Ndaj, të mos e harroni këtë luftë, mos na harroni as ne që u bëmë pjesë e saj. Ditën që u krijua Brigada ishin 520 luftëtarë, nga të cilët 60 vajza. Më pas, ky numër shkoi 1300, shumica e të cilëve ishin djem e vajza myzeqare. Më vjen mirë t’i kujtoj themeluesit, ata që formatuan këtë formacion luftarak, me kontribut të veçantë në çlirimin e vendit. Batalioni i parë kish partizanë myzeqarë, me komandant Rrahman Uruçin, i cili u caktua të ishte edhe komandant i Brigadës. Batalioni tjetër kishte partizanë, kryesisht, nga Kurveleshi me komandant Kadri Aliun. Batalioni me partizanë skraparas komandohej nga Petref Therepeli dhe, i katërti, përfaqësonte Mallakastrën, nën drejtimin e Luto Sadikut. Edhe me një vështrim të sipërfaqshëm kuptohet që kjo brigadë përfaqësohej me partizanë e komandantë të sprovuar në luftë. U caktuan dhe drejtuesit e Brigadës. Ndjehem mirë, edhe pse jam në pleqëri të thellë, të përmend emrat e komandant Rrahman Uruçit, të zëvendësit të tij Gjon Gjonaj, komisarit Abdyl Këllëzit dhe të zv/ komisarit Myzafer Trebeshina. Nuk mund të harrohet nga ne ish partizanët ajo ditë. Dhe do ta kujtojmë sa të jemi gjallë. Mbajmë mend edhe ca “vogëlsira” të cilat kishin të bënin me formimin tonë si ushtarak. Më kujtohet çasti kur komandanti i Brigadës së sapoformuar pasi mori në dorëzim Flamurin Luftarak të Brigadës, nuk vazhdoi komandën ushtarake për t’u thënë partizanëve “Qetësohu!”. I la “të ngrirë”, në pritje që të jepej komanda “Qetësohu!”. Pra, komandant Rrahmani ashtu si e nisi, ashtu edhe e bitisi ceremoninë e inaugurimit. Kjo, sigurisht, nuk shkaktoi asgjë, sepse partizanet ishin të rinj e pa përvojë. Myzeqeja, e gjithë ajo zonë, por sidomos rruga Lushnje-Fier ishte fronti ku ne u përballëm me forcat gjermane. Gati të gjithë aksionet tona u përqëndruan në këtë segment kalimi, mbasi kolonat gjermane, tanke, autoblinda, të gjitha mjetet luftarake ishin të detyruara të kalonin aty. Ishte kjo arsyeja që Brigada e 16-të mund të quhet, pa u gabuar, e myzeqarëve dhe që aksionet i kreu kryesisht në Myzeqe. U bënë edhe luftime shumë të ashpra në atë segment rrugor. Kanë qenë datat 2-3 shtator 1944 kur u sulmua posta gjermane në rajonin e Poshnjes, në rrugën për të lëvizur drejt Fierit. Po atë ditë u ndërmor aksioni tjetër për të marrë depon me municione ne Petovë. Janë vite të largëta, por më vjen mirë t’i kujtoj. Këto dy aksione i dhanë emër të mirë Brigadës së 16-të. Nga fillimi i atij shtatori e deri në çlirimin e vendit, më 29 Nëntor, ky formacion luftarak meritoi emër të lavdishëm. Tani jam plak, por më vjen mirë që kam qenë një nga drejtuesit e saj. Iu rikthehem kohë pas kohe atyre shënimeve. I lexoj, bëj ndonjë shënim për ndonjë gjë që më duket e rëndësishme dhe, të them të drejtën, i ruaj si gjëra të shenjta, si shumë të çmuara. Kam të shënuar emra shokësh, miqsh, me të cilët mbajta lidhje gjatë gjithë jetës. Me ata që janë ende gjallë, mundohem të këmbej ndonjë fjalë, kujtojmë njëri-tjetrin. Në këtë përvjetor të formimit të saj po tregoj vetëm një nga aksionet tona, i cili lidhet edhe me ndihmën që u jepte populli brigadave partizane. Kur kompania e dytë, komisar i të cilës isha unë, ndodhej në fshatin Verbas, 8-10 km në verilindje të Fierit, na erdhën tri vajza, të cilat na thanë se ishin të dërguara nga organizata e terrenit të qytetit të Fierit. Mund edhe t’i kisha harruar, por siç ju thashë, emrat ua kam shënuar në defterin e kujtimeve që kam mbajtur. Dy nga ato, Afërdita dhe Idri Havari, ishin motra. Tjetra ishte Aferdita Nasi Gallani. Sapo kontaktuan me ne na dhanë këtë informacion: “ Organizata e terrenit e rinise na vuri për detyrë që të vijmë këtu dhe të informojmë se gjermanët kanë zënë rob një partizan të grupit të Mallakastrës, Rrapo Sadush Toskën nga Cakrani, të cilin do ta pushkatojnë. Këtë urdhër, vijuan ato, e ka dhënë krimineli Hajdar Cakrani. Partizani ndodhet në burgun afër shtëpisë së Bajrush Kosovarit, eksponent i Ballit. Atje ka edhe të burgosur të tjerë”. Forcat që morën pjese në aksion, ndoqën itinerarin Verbaz-Zharrëz-Kënatë e Frashërit- Lagja Çeligrad. Pasi u kalua lumi i Gjanicës, u përcaktua vendi ku ndodhej burgu ( afër shkollës pedagogjike që është sot ). U sulmuan rojet e burgut në befasi, të cilët u thyen, duke hyrë në brendësi të qytetit. Partizanët hapën burgun, morën partizanin dhe liruan të burgosurit e tjerë. Morën me vete dhe armatimet dhe municionet që u zunë rojeve të burgut. Pastaj partizanët u rikthyen në bazë. Lufta Nacionalçlirimtare nuk është thjesht një fjalë, por një epope e lavdishme. Për kohën për të cilën po flasim janë dhe do të mbeten të patjetërsuara, nuk do të zhvleftësohen edhe po të kalojnë qindra vjet. Moshat e reja nuk e dinë, dhe nuk kanë se si ta dinë se ç’ishte nazi-fashizmi, murtaja që shfarosi miliona jetë njerëzish. Për çka bëri brezi ynë, atë që tashmë e kemi kthyer në fjalë, pra luftën, është diçka e shenjtë, nuk duhet ta mbulojë pluhuri i harresës asnjëherë. Më duket se kryej një detyrë patriotike nëse në përvjetorët e formacioneve partizane flasim për ngjarje konkrete. Po sjell diçka nga kujtimet e mia. Një ditë, (data nuk më kujtohet) aty nga ora 13 mbërriti komandanti i batalionit, Kadri Aliu, i cili dha këtë informacion në formë
urdhri: “Informohemi se nga Fieri për në drejtim të Lushnjës do të lëvizë një autokolonë e madhe gjermane prej rreth 300-400 ushtarë dhe 50- 60 makina lëvizëse. Ka dhe mjete të blinduara, si tanke dhe autoblinda. Kjo autokolonë, dha urdhër komandanti, duhet të shpartallohet me çdo kusht. Prita do të organizohet në rrugën automobilistike, në rajonin Rrapëz-Bishqethm. Kam besim se kompania juaj do ta kryejë me sukses këtë detyrë.” Ky ishte urdhri i komandant Kadri Aliut. Ai iku në punën e tij, ne na duhej të kryenim detyrën luftarake që na ngarkoi. Ju nuk mund ta kuptoni çdo të thoshte të të jepej detyrë në kohë lufte. Duhej të kryhej me pa derman. U mblodh shtabi i Kompanisë, bëri planin luftarak. Kompania filloi lëvizjen në drejtim të rrugës automobilistike dhe, si u afrua rreth 1 km nga vendi ku do të bëhej prita, partizanët u vendosën në pozicion luftimi. Nuk dua të zgjatem sepse këto janë histori pa fund, por në këtë dy luftim arritëm të bënim atë që nuk e mendonim. Po ç’materiale u kapën? Pa hesap. Na u desh të vinin dy kompani në ndihmë për të tërhequr materialet që ua zumë. Të them edhe diçka tjetër. Në këtë sulm shumë të suksesshëm u vra edhe një kolonel gjerman, komandanti i autokolonës. Të vrarit i gjetëm harta topografike, një kasafortë, një pistoletë TT sovjetike me 300 fishekë, si dhe monedha gjermane e të huaja. Nuk dua të zgjatem, nuk dua të bezdis lexuesin me kujtimet i mia. Lufta merr jetë njerëzish dhe kjo është shumë e rëndë. Brigadës tonë iu vranë plot 72 partizanë e partizane që mbetën atje, nuk u kthyen për të festuar bashkë me ne të tjerët, kur u çlirua Shqipëria. Ata janë me emra e mbiemra, nuk i harrojnë familjarët, të afërmit, një popull i tërë. Unë nuk harroj, e kam plagën në zemër Sadush Mytarin nga fshati Vërzhëzhë i Skraparit, Asllan Nasufi nga Berati, Nako Bozo nga Lushnja, e të tjerët, si Maliq Sanxhaku, Liri Gero, “Heroinë e Popullit”, Mustafa Radovicka, Islam Klosi, Izet Rapo. Janë plot 72 dëshmorë. Qofshin të paharruar! Formacionet partizane duhet të mos harrohen sepse kanë bërë histori, kanë dhënë aq shumë për këtë vend, për Shqipërinë. Kam vënë re që pushtetarët mbajnë qëndrim të dyzuar ndaj luftës, por sidomos dëshmorëve të Atdheut. Pjesa më e madhe e këtyre zotërinjve janë bij e bija komunistësh, nipër e mbesa partizanësh, të atyre që e dhanë jetën në saje edhe të thirrjeve që bëri Partia Komuniste e themeluar dhe udhëhequr nga Enver Hoxha. Unë di të them që ata, pra politikanët, kryesisht të krahut të majtë, janë të ndërgjegjshëm, por nuk e thonë që nuk e thonë të vërtetën. Duhet të jesh hipokrit i madh, duhet të jesh demagog, që të mohosh luftën Nacionalçlirimtare. Një gjë nuk mund të rri pa e thënë: Vitet që bëmë luftën ikin e ikin pa u ndjerë. Ja tek u bënë 72. Amaneti ynë, është të mos e harroni Luftën, dhe atë çka dhamë për Shqipërinë! Le të ngrihen ca lapidarë e përmendore sepse është shenjë nderimi, tregon se jemi popull i emancipuar e që dimë të vlerësojmë të mirën dhe të keqen. Bëni kaq të paktën, që të mos të ikim nga kjo botë me kokën mënjanë.”
Sigal