Bashkim Koçi/ Në Tomorr, tek “shtëpia” e Abaz Aliut

2091
Qafa e Kulmakut. Mizëri njerëzish, mizëri makinash. Kanë ardhur peligrinët. Kanë ardhur me mijra, dhe të tjerë vijnë pa mbarim si t’i ndjellë një betim pagan i përcjellë prez pas brezi për të marrë urata e bekim nga Mali i Tomorrit dhe nga Abaz Aliu. Baba Tomorri dhe Abaz Aliu qëndrojnë të dy atje si dy vëllezër, si dy shënjtorë që plotësojnë njëri-tjetrin në uratat që u japin njerëzisë të ardhur nga larg nga e gjithë Shqipëria, nga e gjithë bota. Të të gjithë besimeve: myslimanë, ortodoks e bektashinj. Këta të fundit, bektashinjtë, ndjehen si të jenë të zotët e shtëpisë ndaj nuk u mungojnë përafrimet, fjala e ngohtë dhe të gjendurit pranë miqve të ardhur aty në këto ditë të shënuara të muajit gusht.

Kryetrimi i betejës së Qerbelasë. 

Lart në majë, në Ҫukën e Tomorrit, 2416 metra mbi nivelin e detit, qëndron hipur përmbi kale “me dy foshnja në duar” Abaz Aliu, simboli i luftës së drejtë, kryetrimi i betejës së Qerbelasë. Peligrinët kanë bërë me qindara, e ndoshta mijra kilometra me qëllimin final: që t’i ngjiten asaj maje të thiktë me dëshirën e zjarrtë për të parë me sy e për të prekur me dorë diçka nga ai vend i shenjtë, tek i cili gjejnë ilaçin e shpirtit, e që ai, shpirti, të jetë paqësor, i prirur për dashuri e vëllazërim në këtë botë të helmuar nga e keqja. Sepse Mali i Tomorrit është si një gjallesë e shenjtë, si një qënie që jep e merr, që komunikon e bashkëbisedon me njerëzit. Është kjo arsyeja që e thërrasim Mal Baba, Baba Tomorr. Edhe fakti tjetër që të gjithë besimtarët, nga të gjitha anët e botës, që nga lashtësia në Antikitet, Mesjetë e deri më sot, vijnë për të takuar të mirën, mirësinë e tij. Sepse Tomor do të thotë “e mirë”, Tomirë.

Bektashiu tepelenas

Në makinën që ngjit të përpjetën drejt Qafës së Kulamakt, kam Naim Derën, një bektashi i thekur tepelenas i cili paskësh vendosur qysh vitin e kaluar të shkonte me paderman në festën e shënjtë të Tomorrit. Ai thotë se ka lexuar me dhjetra shkrime që bëjnë fjalë për Malin e Shenjtë, Malin Baba, Tomorrin. Më tregon diçka edhe për Dodonën. Historianët mendojnë se Dodona mëmë ka qenë në Tomorr dhe bijat në Janinë, Volos dhe Selanik, thotë i apasionuari Naim. Gjurmimet në studimin e gjuhësisë, toponimisë, historisë, gojëdhëna e legjenda, gjurmime e zbulime arkeologjike, ndoshta një ditë do të identifikojnë Dodonën mëmë pellazgjike në Tomorin e Shqipërisë, në malin tonë të shenjtë-vazhdon të ligjërojë ky peligrin me plot kulture bektashiane.

E, ndërsa i ngjitemi të përpjetës, rrugës të ndërtuar vitet e fundit, enkas për peligrinët, biseda vërtitet për malin e shenjtë dhe Abaz Alinë.
Abaz Aliu zu Tomorrë…

Vendi i shenjtë, sipas të treguarit nga baba Ali Turabiu, u ndërtua mbi një vendndodhje të një varri pagan. Abaz Aliu mund të ketë trashëguar nga zoti pagan fuqinë e tij mbinatyrore, të cilit i zuri vendin. Po kush është “Abaz Aliu që zuri Tomorrë, ai që erdhi midis nesh, ai që nuk e la Shqipërinë të gjorë sepse Zoti e desh”, siç i këndon i madhi Naim Frashëri? Abaz Aliu lindi më 4 tetor në vitit 26 hixhri hënor (648). Nëna e tij quhej Fatime. Ai lindi si djali i Imam Aliut, modelit të përsosmërisë njerëzore. Imam Aliu pati katër djem me këtë grua të nderuar; ata quheshin: Abaz, Osman, Xhafer dhe Abdullah. Në vitin 37, hixhri në luftën e Sifinit, megjithëse ishte një djalosh shumë i njomë, vetëm 14 vjeç, ai luftoi me një heroizëm dhe trimëri të pashoqe. Në fushën përvëluese të Qerbelasë, kur Abaz Aliu vuri re buzët e thara dhe sytë e përlotur të fëmijëve të Imam Hysenit (vëllait nga babai), rrëmbeu kacekun dhe u nis për të dhënë provimin më të madh të jetës së tij. Mirpo armiku mori shenjë dhe e goditi në krahë Abaz Aliun. Trimi, si i humbi të dy krahët nga kjo goditje fatale, ra nga kali. Imam Hyseni i shkoi pranë, i qëndroi mbi kokë dhe e shtrëngoi fort në gji vëllain e dashur që më pas shkoi te Zoti. Abaz Aliu ra dëshmor në moshën 35-vjeçare. Si ka ardhur Abaz Aliu në Tomorr? Si ka ardhur Abaz Aliu në Tomorr, si “e zuri” Tomorrin? Thuhet se Demir Hani mori porosi nga Hysenj Tusiu që të nisej në Berat dhe prej andej të shkonte në Vokopolë, kryeqendrën e Skraparit në shek. XVI. Aty ndodhej një misionar tjetër i huaj, Mustafa Tusiu me origjinë nga qyteti Tussi i Horasanit të Persisë, i cili kishte lindur në Vokopolë. Stërgjyshi i tij kishte ardhur misionar i parë dhe i kishte sjellë me vete si dokumente të ngarkimit të tij me mision një Kuran të shkruar me dorë, një shpatë dhe një torbë me dhé nga vendi ku kishin rënë dëshmorë Imam Hyseni e Abaz Aliu në Qerbela. Ai, duke parë se shqiptarët e mbanin si mal të shenjtë malin e Tomorit, dheun e sjellë nga Qerbelaja e vendosi në Çukën e Tomorit (varri kenotaf) dhe ngriti kështu mekamin e Abaz Aliut. Dokumentet flasin se Tomori ka dy mekame “Abaz Ali”, një në jug dhe tjetri në veri të malit të Tomorrit. Ata që morën përsipër mirëmbajtjen dhe përkujdesjen e këtij vendi ishin bektashinj. Përjetësimi i figurës së Abaz Aliut në Skrapar është edhe tek gjurmët e tij dhe të kalit të cilat ndodhen në Dërrasën e Kajcës (Përmet); në malin e Taroninës në Prishtë dhe në Shkëmbin e Kanionit të Osumit pranë fshatit Dhores. Ndërsa gjurmën e dorës së tij e gjejmë në afërsi të Bargullasit, në Dërrasën e Novajt, tek “Vendi i shenjtë” mbi Dardhë të Beratit dhe “Çuka e Tomorit”, tek varri i tij kenotaf. Këto vende vizitohen nga besimtarët e dashamirësit gjatë gjithë vitit, por sidomos në ditët e Tomorrit, 20-25 gusht.

Teqeja 100 vjeçare e të madhit Dervish Iliaz

Nuk e dimë saktësisht sesi iu fut punës për ngritjen e atij tempulli madhështor, sesi guxoi për të realizuar të pamundurën, e më tej të bëhej frymëzuesi i peligrinazhit në Malin e Tomorrit çdo 20 gusht, por mendja të shkon tek fuqija që mund e duhet t’i ketë dhënë një thënie profetike e Naim Frashërit që, sipas tij, “Në Tomorr që moti, kishte shtëpinë Zoti, kështu thoshte Herodoti”. Dervish Iliazi e ngriti teqenë e Kulmakut në korrik të vitit 1916. Fillimisht paska ndërtuar një ngrehinë të vogël diku tjetër, tek Qershia, siç thonë të vjetrit. Por dora dorës, edhe me ndihmën e klerikëve bektashinj, të palodhurit baba Medin Gllava (Caushi) dhe besimtarë të zonës, Dervish Iliazi mundi të ngrejë të famëshmen “shtëpi të zotit”, të bukur, krenare e hijerëndë. Atë teqe që kemi sot. Më 28 Korrik të këtij viti bektashinjtë e zonës, nën kujdesin e Kryegjyshatës Botërore dhe të kreut të saj, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përkujtuan 100 vjetorin e ngritjes së teqesë të Kulmakut, ngritur nga i miri Drvish Iljaz. Sigurisht, gjatë këtyre viteve teqeja është bërë më madhështore dhe mjedisi rreth saj është tjetërsuar, ka marrë pamjen më të bukur e më funksionale të mundëshme. Janë bërë investime serioze dhe sipas Zalo Qatos, Sekretarit të Gjyshatës për Skraparin e Beratin, në vitet që vijnë Teqeja e Kulmakut, ajo që ia hodhi themelet Dervish Iliazi, do të kthehet vend pëligrinazhi jo vetëm në ditët 20-25 gusht, por për çdo muaj, gjatë gjithë vitit. E kam amanet nga Dede Reshat Bardhi, deklarona Zaloja, si për tu thënë bashkëbisedesve në atë takim solemn “amanetin nuk e tret as dheu”! Diku, në një pozicion admirues, të vlerësuar nga peligrinët, qëndron busti i shenjtorit, i çudibërësit Dervish Iliaz. E ka realizuar “Skluptori i Populli’ Muntaz Drami dhe sponsorizuar nga tomorricari i mirë Albert Metani. Bukur, shumë bukur. Atë ditë, pra në 100 vjetorin e ngritjes së teqesë së Kulmakut, u mbajt edhe një sesion shkencor. U sollën fakte e vepra nga jeta e Dervish Iliazit nga studius seriozë si Bardhosh Gaçe, Ermal Baze, Nuri Ҫuni, Gjergj Qafoku etj.

Mesazhet e Kryegjyshit Botëror

Kryegjyshi Botëror, Haxhi Dede Edmond Brahimaj e solli portretin e Dervish Iliazit me fjalët e një udhëtari të njohur, Novlla Roxher, në një prej përshkrimeve të tij të vitit 1922: “Befas na shfaqet drita e teqesë bektashiane, kjo shenjë zjarri e vendosur aq lart që na thërret, kjo dritë njerëzore pas kaq orësh tmerri dhe vetmie. Më në fund mbërrijmë. Dërvishët veshur me të bardha, njëri pas tjetrit vijnë tek shkallët dhe baba Iljazi në krye na pëshpërit me zërin e ëmbël: Edhe gurët dhe drurët ju falenderojnë që erdhët…Dhoma e përgatitur, postiqet mbi të cilat ulemi dhe ndërsa dremisnim dëgjonim shumë pranë këngë trimash shqiptarë. Po atë mëngjes u nisëm për në Ҫukën e Tomorrit. Baba Iljazi veshi Harkanë e rëndë për të dalë në fotografi sëbashku dhe në brez vuri shpatën e Imam Aliut. Fytyra e tij e butë, buzëqesh ndërsa sytë i shkëlqejnë. Ne përfytyrojmë pushtetin mistik të këtij njeriu, i cili, një fjalë të nxjerrë nga goja, ngre me qindra vullnetarë, të gatshëm të japin edhe jetën”. Portret më të bukur se ky, që e mban me plot dritë edhe pas 100 vitesh Dervish Iliazin, nuk mund të ketë. Në atë ditë të bekuar të festimit të 100 vjetorit të teqesë së Kulmakut, ngritur nga Dervish Iliazi, kishin ardhur shumë besimtarë bektashinj. Nuk mungonin as pasardhësit e dervishit, të cilët në atë ditë përkujtimore ndjeheshin ndër më të priviligjuarit, privilegj i trashëguar nga emir i madh e i magjishëm i dervishit, dalë nga fisi i Qafokëve të Vërzhezhës së Skraparit. Kur dëgjon veprat dhe të mirat për njerëzinë të këtij çudibërësi, mendja më shkon se Dervish Iliazi duhet të jetë frymëzuar nga mësimet dhe porositë e Imam Aliut. “Bëni të mira, është një ndër porositë e tij, pa quajtur të vogël asnjërën prej tyre. E mira e vogël është e madhe dhe e mira e paktë është e shumtë. Askush nuk duhet të pranojë që të tjerët të jenë më të zotë se vetë ai në bërjen e së mirës, ndryshe do bëhej vërtet ashtu. E mira dhe e keqja kanë përkrahësit e tyre. Në heqshi ju dorë prej ndonjërës, do ketë të tjerë që do t′i afrohen”. Dhe shpirti i ndjeshëm e bujar i Dervish Iliazit nuk iu nda mirësisë, sakrificës për të ndihmuar njerzit e varfër e pa mbështetje. Veprat ndërtonjse që ai la u bënë të gjitha për njerëz në nevojë, absolutisht të frymëzuara nga një thirrje e brendëshme e shpirtit të tij human. Ai ndërtoi shumë ura për të lidhur brigje përrenjsh e lumenjsh si ajo e Vlushës, Bogovës, Lapanit e Sharovës në Skrapar si dhe disa të tjera në Tepelenë, Përmet, Elbasan e Kolonjë. Ashtu si një arkitekt i zoti ai arriti të ndërtonte edhe rrugë, të cilat edhe sot e kësaj dite mbeten arterie të ngjizura nga ky njeri i zotit. Por Dervish Iliazi do të mbetet i paharruar sipse është ndër të paktët bamirës që mundi të shuajë etjen e mijra njerëzve për ujë. Puset dhe çezmat e ndërtuara prej tij në Skrapar, Korçë, Përmet, Kolonjë e gjetkë e kapërcyen shekullin, por në kujtesën e popullit, nga njerëzit e thjeshtë thirren në emrin e atij që i ngriti, të të bekuarit nga zoti, Dervish Iliazit. Në këto çaste kur shkruaj këto rradhë në shënjë mirënjohjeje e përuljeje ndaj këtij bektashiu të devotshëm, më duhet të sjell këtë thënie të Nënë Terezës: Nëse luksi na rrethon, ne humbim shpirtin. Ne do të jemi të aftë të duam të varfërit nëse njohim varfërinë dhe jemi vetë të varfër. Dervish Iliazi nuk e humbi kurrë shpirtin sepse jetoi si i varfër midis të varfërve.

Për Abaz Ali, për atë Tomorr!

Mjediset e vendit të shenjtë, të teqesë së Kulmakut, këto ditë kanë marrë një hije tjetër; mistike, të magjishme. Aty është gati gjithça, përgatitur si për miq: vendi ku do të parkohen qindra automjete që vijnë nga larg, mjediset ku do të ngrihet “qyteza me çadra”, pozicionet e shënjta ku peligrinët mund të ndezin qirinj, hapësirat ku do të therren mijra kurbanë, vendet e posaçëme për grumbullimin e mbetjeve ushqimore e deri tek çezmat që gurgullojnë ujë të ftohtë nga mali i Tomorrit. Si për festë. Ashtu si mund të bëjnë besimtarë të denjë, të cilët janë ngjitur deri atje për të marrë bekime e urata nga Mali e Perëndisë, nga kulti i shenjtë i Tomorri. Diku në faqe të shpatit është rruga që të çon në Ҫukë të Tomorrit, atje ku është edhe “ai që zu Tomorrë”, Abaz Aliu. Janë dhjetra peligrinë që ngjiten e po aq që zbresin nga maja e malit. Të gjithë, pa përjashitim, e konsiderojnë hyjnore, si një lidhje e drejtpërdrejtë me Zotin, si diçka që e bën më intime “bashkëbisedimin” Perëndi-Njeri. 
-Unë jam betuar tërë jetën për Abaz Aliun e për Ҫukën e Tomorrit, por kur u ngjita atje, kur preka kalin që mbante Abaz Alinë e mora një dorë dhѐ atje në Ҫukë, më duket vetja si më e lumtura e botës. E kisha patur këtë ëndërr që kur isha vajzë, kur gjyshi dhe babai më tregonin për malin “ku rrinë perënditë”.

Ajo që bashkëbisedonte me njerëzit që zbrisnin nga Ҫuka e Tomorrit dhe fliste si të kishte përmbushur një ëndërr të moshës së çupërisë, ishte një grua rreth të 60-ave. Vura re që si kryebisedë kishin besimin tek zoti, që çdo njeri të mund të vinte një herë në jetë për të marrë uratat nga mali Baba. Edhe të tjerët; gra, burra apo të rinj, si kryebisedë kishin Abaz Alinë dhe të zgjedhurin e Perëndisë, Baba Tomorrin. Copëza bisedash vërtiteshin rreth çudirave që kanë ndodhur me fatin e dhjetra e qindra njerëzve pasi kanë hyrë në bashkëbisedim hyjnor me malit të shenjtë. Secili fliste e tregonte në esap të vet, të asaj që kish dëgjuar, por edhe për ngjarje e rrefime që vijnë e përcillen nga brezi në brez. Ditët e Tomorrit sjellin festë në zemrat e peligrinëve, sjellin festë në shtëpitë e tyre, tek i gjithë populli. Ato shoqërohen nga njerëzit që vijnë aty me sjellje pagane që janë kryer në shekuj, siç është, të themi, ai i therjes së kurbanit. Gati të gjithë ata që marrin rrugën për atje, përpara se të nisen, kanë taksur një kurban. Unë shoh këtu mijra bagëti të therura, kryesisht bagëti të leshta, të pjekura në hell nga profesionistë të zotë vendas, të cilat peligrinët sipas një porosie kuhranore, i konsumojnë aty me të dashurit e tyre, por një sasi të caktuar ua dhurojnë të tjerëve, atyre që nuk e kanë këtë mundësi.
Pyes një peligrin: përse e ke theruar këtë dash, çdo të thotë për ty si besimtar të bësh kurban?

-Të bësh kurban, do të thotë të fusësh gëzimin në familjen tënde, t’i gëzosh fëmijët e tu, t’u mësosh atyre se ç’do të thotë dashuri për zotin, për Abaz Alinë dhe baba Tomorrin. Një pjesë e këtij mishi të pjekur është taksur për fukarenjtë. Edhe ata presin të gëzohen, presin se kush do t’i kujtojë në këto ditë të shënuara.

Ky peligrin më sqaron më tej edhe diçka tjetër. Kurbani, sipas tij, është shenjë falënderimi për të shenjtin Mal, i cili ka dhënë shumë e kërkon pak. I shënjti Tomorr nuk ka nevojë as për mish e as për gjakun e kurbanit. Ai ka nevojë vetëm për bindjen ndaj Tij. Pra kurbani nuk është të therësh mish, por është shenjë falënderimi, është simbolikë besimi. Kush vlerëson kurbanin, tregon ndjeshmëri si besimtar, tregon sesa humë duhet bërë për këtë pasuri shpirtërore kombëtare.

Për çka bëjnë këto ditë peligrinët nuk është thjeshtë një festë pagane. Është shumë më shumë. Tek ata ka zënë vend harmonia, ndjenja e buzëqeshjes, shpirti i së mirës. Kur shikoj këto marrdhënie njerëzish, paksa të një bote tjetër, lus e bëlbëzoj me veten time: përse të mos jemi përditë kështu, përse të mos e duam njeri-tjetrin, të sillemi e të komunikojmë, t’i bëjmë të gjitha ditët e vitit t’u ngjajnë këtyre që kalojmë nën bekimin e Malit të Shënjtë, Tomorrit dhe Abaz Aliut? Fjalët e Haxhi Dede Edmond Brahimaj se “emri dhe vepra e Abz Aliut i kanë falur këtij kryemali të shqiptarëve, jo vetëm shenjtërinë e historisë, por dhe vlera të jetës që kemi jetuar e jetojmë. Aio kanë qenë dhe do të mbeten burime të kristalta të mendimeve dhe qëndrimeve tona, përballë problemeve aq problematike dhe të indiferencave të frikëshme”, janë thirrje për reflektim, është kujtesë për të ecur në rrugë shënjtorësh, Tomorrit dhe Abaz Aliut.

Ulem tatëpjetë, duke kthyer kokën herë pas here nga Ҫuka e Tomorrit. Sa më shumë i largohem, aq më shumë Tomorri rritet, shënjtërohet. Peligrinët mbetën atje, duke festuar e kërkuar uratat e të magjishmit Tomorr dhe Abaz Aliut. Ata që lash atje ishin të gjithë të dlirë, të pastër nga zemra e nga shpirti, siç janë besimtarët e vërtetë. Dhe për këta njerëz të mrekulluar nga bindja se aty kanë marrë bekime e urata, ndjehem mirë t‘i përshkruaj me fjalët e Imam Aliut: Besimtarit i qesh fytyra, ndërsa zemra i qan; sjellja e tij kokulur fsheh një zemër me bujari të pafund; s′e lakmon pozitën e lartë, kurse për famën s′pyet fare. Malli i tij është i pashuar, guximi i tij është i pamatë, durimi i tij është i madh dhe koha e tij është e zënë. Është mirënjohës e i përmbajtur, i heshtur në mendimet e tij, i matur në kërkesat e tij, i shkëlqyer në sjelljet e tij dhe i butë në temperamentin e tij. Është më i gurtë se guri dhe më i përunjur se skllavi.

Ja, kështu ndjehen peligrinët në Tomorr.
Kulmak, 22 Gusht 2016
Sigal