Bashkim Koçi/ Medi Koxhaj, njeriu që i provoi të gjitha

943
Nuk e di, nuk mbaj mend asgjë nga ai çast tronditës kur mësova se njeriu me virtyte të rralla, gazetari dhe botuesi i mirënjohur Medi Koxhaj, kishte ndërruar jetë. Ishin orë disi të çuditshme, paksa të papërcaktuara, as si kohë e as si hapësirë ku ndodhi e si erdhi ky lajm i keq. Ishte 31 Dhjetor, mesnata e kësaj dite. Ndodh që njeriu në orët e fundit të ndërrimit të viteve, ca më shumë në çaste intuziazmi e gëzimi që sjell festa, nuk merr vesh kur mbarojnë minutat e vitit që përcjell, e kur fillojnë ata të vitit të Ri që vjen. Lajmi i vdekjes i Medi Koxhajt e bëri akoma më çorientus, hutim i rënduar nga pesha e dhimbjes, i cili aty për aty nuk na la të mblidhnim veten. Edhe tani pas kaq kohësh pyes: në cilin vit ndërroi jetë ky njeri, në 2015-ën, apo në 2016-ën? Di që u përcoll për në banesën e fundit në ditën e parë të viti, në 1 Janar. Jeta e njeriut, i kujtdoqoftë, i varfër apo zengjin, i ditur apo me formim të kufizuar, me pushtet apo pa pushtet, kalon në rrugë me kthesa të mëdha, në monopate marramendës e të rrezikshëm për t’u dalë mbanë. 


Njeriu që i provoi të gjitha

Edhe Medi Koxhaj, ky skraparas 24-karatsh, nuk mund t’i shpëtonte dot kësaj “ligjësie”, nuk mund të mos përplasej me vështirësi e probleme që do ta piqnin përpara kohe, të bëhej “burrë” kur ende ishte fëmijë. Në kujtesën e atyre që e njohën, do të mbetet “njeriu që i pa e i provoi të gjitha”. Ndoshta është ndër të paktit njerëz që mori vesh çdo të thotë të kalosh fëmininë në mjerim të plotë dhe tjetrën, atë të moshës së pjekurisë, kur mori guximin t’i futej punës për t’u bërë milioner. Nishova, fshati rrëzë Tomorrit ku ai lindi dhe kaloi vitet e vegjëlisë, ka njerëz të traditës, ka njerëz të cilët, edhe pse shumica e tyre e kanë ngrysur jetën në mizerje, të varfër, të këputur, të kujtojnë sjellje e veprime të sërës së lartë, të familjeve “me oxhak”. Aty, në këto mjedise, kafshita e bukës është produkt i djersës së ballit. Kudo që ta ngjyesh, në pjatën me shëllirë, apo në atë me mjalt. Mediu ishte dhe mbeti nga ky soj, i gatuar për të bërë prokopi vetëm duke iu besuar këllqeve të tij, sa të mundej. Kam informacionin se familja e madhe Koxhaj ishte e varfër, e raskapitur ekonomikisht. Babai i Mediut, Xheloja, mesa di unë, ishte sakat, gjymtuar nga një aksident në punët e rëndomta të bujqësisë. Ndaj vocrrakut Medi i është dashur të punojë qysh i vogël, duke shkelur të gjitha normat, të gjitha ligjet e normat ndërkombëtare për “Mbrojtjen e të drejtave të Fëmijëve”. Madje edhe “normat e pashkruara” zakonore, ku fëmijët, të vegjlit, i ruajnë nga punët e rënda si drita e syrit. 

Burrërimi në Kombinatin e Poliçanit

Kombinati Mekanik i Poliçanit, gjigandi i industrisë së prodhimit të amëve, tashmë i shkatërruar plotësisht, ndikoi shumë në formimin, shkollimin dhe burrërimin e Medi Koxhajt. Ai e kujtonte dhe ndërkoh ndjehej mirë për çka i dhuroi ai, duke e sjellë shpesh në vëmendje të shokëve e miqve si periudhën kur nuk dinte ç’ishte gjumi. Flija, thoshte Mediu, kur sytë e lodhur nga pagjumësia, mbylleshin vetë. Sepse kështu ia donte puna, të punonte e të mësonte njëherësh. Në këto kushte mbingarkese e mbijetese ai punonte shkëlqyeshëm, mësonte shkëlqyeshëm dhe sillej si të kish marrë rrugën e përpjetë të suksesit. Medi Koxhaj, thoshnin moshatarët e tij, nuk e dimë ku do ta ndalë vrapin. Një njeri ka nevojë për pak “çmenduri”, sepse vetëm kështu ai mund të ndërmarrë nisma që i sjellin sukses në jetë, që e bëjnë të guxojë për ëndërra të mëdha. Mediu kishte genin e sojit që mund të priste litarë, kishte kurajon e fuqinë që të pamundurën ta bënte të mundur. Mbaj mend që pasi mbaroi universitetin, fakultetin e Ekonomisë, ai u përzgjodh nga specialistë të gazetarisë për të punuar në organin më prestigjioz të kohës, “Zëri i Popullit”. U përzgjodh si në ato kokrrat e arta të grurit në sini. Nuk mund ta shkelte kush atë prak, të futej në atë derë nëse nuk kishte mbaruar shkëlqyeshëm, me medalje ari, ashtu si e kish përmbyllur shkollën Mediu ynë. Ka një gjë që duhet veçuar, që është pjesë e formimit, por edhe e inteligjencës së personit: Ai ishte edhe i ditur, por edhe “i çëkes”, guximtar që merrte përsipër të trajtonte probleme të mëdha, nga ato që të kërkonin “kokën”. Në këtë kuptim më duhet të them një të vërtetë, e cila ishte dhe mbeti pasuri nga më të çmuarat e gazetarit Medi Koxhaj: nuk i përdori kurrë maskat. 


Ai shfaqej ashtu si ishte: i qeshur, i çiltër, i vërtet dhe pa kompleksin e shëmtuar të dyfytyrësisë. Ishte rast i rrallë, nëmos i pamundur që në një shkrim kritik, ku dikujt, kuadri apo specialisti, i merrej “hezri”, të mund t’i shpëtoje zëmëratës, ankesave për “pavërtetësi faktesh” etj. Mediu, gjatë gjithë kohës që punoi si i tillë nuk pati rast, qoftë edhe një. E di pse? Sepse nuk dinte të përdorte për keq pushtetin e gazetës, sepse vinte nga vinte, i falej të vërtetës. Njeriu duhet të ngrihet mbi të pamundurën, duhet të jetë i fort e kurajoz për t’u përballur me të keqen që i del përpara. Ndryshe humbet, shkërrmoqesh. Dhe i humbet të gjitha, pa përjashtim. Por çka të rrëzon për tokë për të mos u ngritur më, kurrë, është humbja e besimit. Tek Medi Kohaj ishin shfaqur herët, qysh në vogëli ndjesia e krenarisë, e të qënit sulmues, “kokëfortë” për të mos iu kthyer prapa një pune të nisur. Në këtë mënyrë ai jo në një rat sfidonte veten dhe të tjerët për të realizuar ideale. Në kohën kur sapo kishin filluar proceset demokratike ky njeri do të ishte ndër të parët, në mos i pari që do të rrokte e do të bëhej nismëtar i iniciativës së lire, në xhunglën ku njeriu edhe mund “të zhytet e të mbutet”. Për çudinë e të gjidhëve ai shfaqi ide e projekte nga më të dobishmet e fitimprurëse, sikur të paskësh punuar e jetuar gjatë në kushtet e kapitalizmit modern. Të përballosh me guxim atë që është e pashmangshme, ky është çelsi i suksesit, na thoshte shpesh ne “merhumëve” që nuk u bëmë dot të zot për të çarë në ekonominë e tregut. Në këtë plan më duhet të sjell edhe faktin, i cili ia ngriti shumë më lart vlerat si gazetar e intelektual. Mediu nuk iu nda sektorit për të cilin i dhimte shpirti, atij të botimeve të librave, revistave e gjithçkaje tjetër që kishte të bënte me “udhën e shkronjave”. Nuk di pse i vuri emrin “AlbPAPER”, por shtypshkonja që menaxhoi për shumë vjet me radhë u bë dhe vazhdon të mbetet ende më seriozja, më cilësorja dhe më e vlerësuara dhe e kërkuara në tregun e shtypshkrimeve. Gjithçka, e gjithë kjo histori suksesi erdhi për shkak se ai, Medi Koxhaj, ishte “aventurier” i papërballueshëm në punët “me laps”, në ato që rrethrrotullohen tek mjeshtëria e të qenit ekonomist. Nuk mund të harroj një rast kur ky njeri me zemër të artë komunikoi me një borxhli, të cilin, me udhëzimet e këshillat që i dha, realizoi “magjinë” për ta nxjerrë nga bataku ku ishte zhytur. Të bësh një jëtë të rrethuar nga poshtërsia është shëmti, është gjëja që të pështiros jo vetëm punën, por edhe biznesin në tërësi. 

Përballja me ligësinë

Kam përshtypjen se njeriu i mirë Medi u përball me ligësinë, me ekzemplarë qëllimkëqij me të cilët ai diti, si askush tjetër, t’u përgjigjej me buzën në gaa, me mirësi, duke iu treguar edhe “rrugën e dreqit” nga e kishin nisur. Buzëqesh gjithnjë edhe pse buzëqeshja jote është e trishtuar, sepse më i trishtuar se një buzëqeshje është trishtimi që nuk buzëqesh kurrë. Diku e kam lexuar këtë thënie brilante, por kur më dalin përpara syve sjelljet, qetësia dhe buzagazi Medi Koxha, më duket sikur është një porosi e dalë nga goja e tij, sikur është një këshillë për njerëzit që nuk dinë të qeshin edhe kur është për të qeshur. Të provosh vuajtjen në të gjitha format e saj nuk është gjë e keqe për njeriun. Ato shpesh të rrëzojnë, por edhe të mësojnë sisi të ngrihesh, të kalisin ndërgjegjen dhe shpirtin për t’u përgatitur e qënë syçelët përpara një rreziku. Medi Koxhajt i ra për pjesë të ishte në provë me një vuajtje tjetër, nga ato“lark o zot”, të cilat, siç thotë edhe populli, mos i pastë as hasmi. Atij iu qep sëmundja, një sëmundje që nuk iu nda për vite të tërë, aq sa një ditë ajo triumfoi, arriti ta detyronte të merrte udhën, atë udhë të cilën do ta marrim të gjithë. A mund të qash, të vësh kujën e të ulërish për një gjë të keqe, të keqe e të zezë siç është vdekja, të cilën nuk mund ta ndalosh dot? Të bësh këtë do të thotë të vajtosh pse ti ke lindur. Medi Koxhaj për këtë la emër, do të mbahet mend gjatë nga brezi i atyre që e njohën. Ndoshta duhet të futet në librin ‘Gines’ për atë që ai e priti vdekjen duke qeshur. Po, po, duke qeshur! Ai nuk u shtir përpara të pështirës, përpara vdekjes. E priti ashtu siç e pret një lojtar i mençëm kundërshtarin nga i cili mundet lojën. Edhe Medi Koxhaj ia dha dorën asaj që po e merrte përgjithmonë, vdekjes. Ai do të vazhdojë të jetojë gjatë sepse ishte shpirtmadh, sepse të gjithë mirësinë, aq sa kishte depozituar në zemër, e shpërndau tek të tjerët, nga mundi e kudo që mundi, duke i qëndruar larg “mjerimit” që të jep shpesh pasuria, qoftë edhe kur ajo është krijuar me mund, me djersën e ballit. Vdekja është më universale se jeta; të gjithë vdesin, por jo të gjithë jetojnë. Medi Koxhaj i përket atij kontigjenti njerëzish të cilët, për fat të keq, janë pak: atyre që jetojnë. 
Sigal