Bashkim Koçi/ Jeta në “tri kohë” e Haki Haskos (Malindi)

602
Si mund të thuash se ke jetuar kur nuk ke një histori për të treguar? E bëra këtë pyetje teksa mendoja për të bërë portretin e një ndër burrave të nderuar e me emër të Skraparit, Haki Haskos (Malindi). Ai lindi më 15 tetor të vitit 1915, pra këtu e 100 vjet më parë, por që jeta dhe e gjithë veprimtaria e tij njerëzore e patriotike shtrihen në “tri kohë” do të thotë se ka përjetuar ngjarje e “kataklizma” historike, të cilat u bien për pjesë jo çdokujt për t’i përjetuar. Haki Hasko e pati këtë të drejtë të veçantë, këtë privilegj, i cili do t’i krijonte mjedisin për të treguar aftësitë dhe pasionin e njeriut që di të lërë emër të mirë. Më thuaj kë ke mik, se ai më tregon kush je ti. “Miku” që na tregon të vërtetën për Haki Haskon janë rrënjët e familjes, është gjeneza, ngjizja nga rrjedh e vjen kjo familje e madhe e fshatit Malind të Skraparit, kufirit fundor të krahinës së Dangëllisë. Habili, babai i Hakiut, dhe bashkëfshatarët, thuhet se grekun e ’14-ës e pritën duke e luftuar, por të vetëm e të mbetur si ai zogu pa krah, u detyruan të shkonin në Kaninë të Vlorës, aty ku, për shkak të këtij armiku gjakatar e të pabesë, u vendos gati gjysma e popullatës së Skraparit. Ata që jetojnë janë ata që luftojnë. I ati i Hakiut jetoi duke luftuar. Edhe pse familja e tij ishte “qiraxheshë” në Kaninë, për shkak të Habilit, për shkak të veprimtarisë së tij si patriot, e transferuan në një fshat tjetër aty pranë, në Babicë. Habilit ia “internuan” familjen, por jo aktivitetin si atdhetar. Pak më vonë e arrestuan dhe e futën në burg. Aty e torturuan, e gjakosën, e bënë ashtu si të mos bëhej më njeri, një kufomë të sakatuar. Plot pas 10 ditësh ai vdiq në ahuret e burgut të qytetit të Vlorës.
Nderimi për Habil Hasko Malindin
Askush më shumë se trimi nuk e meriton nderimin, vlerësimin e shoqërisë për atë çka ka bërë në emër të vendit të tij, të Atdheut. Edhe për Habil Sulejman Haskon dikush u kujtua. Me vendimin nr. 151, datë 14.10. 1982 të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Skraparit ai është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Sa barrë i rëndë është një emër i cili, për një arsye apo për një tjetër, ka fituar një famë, është bërë i rëndësishëm. Ashtu si për familjen Hasko të Malindit në Skrapar. Por për arsye, të themi gjenetike, të gjithë brezat e këtij themeli kanë mbajtur e mbajnë anën e së mirës, kanë mundur t’i vënë shpatullat kësaj barre të rëndë. Dardha aty ka rënë vetëm nën dardhë. Gjatë Luftës NAÇ, fisi i Haskove, përfshi edhe personazhin e këtij shkrimi, Haki Malindin, qëndroi aty ku duhej dhe në pozicionin që duhej, aty ku nderi do ta sillte që në murin e gurtë të portës së shtëpisë të gjendet e gdhendur edhe sot e kësaj dite “Bazë e rëndësishme e Luftës Nacionalçlirimtare”. Ka një ndryshim cilësor midis shkollës dhe jetës: Në shkollë mëson dhe pastaj testohesh, në jetë testohesh dhe pastaj mëson. Haki Hasko i vlerësoi të dyja kategoritë, edhe shkollën, edhe jetën. Shkollën, të nxënit me shkrim e këndim, e kishin pasur si një urdhër që vinte nga Frashri, andej nga frymëzimi Naimian. Ka qenë ky “urdhër”, ndoshta, që këtë djalosh, vetëm 20 vjeç, ta gjejmë si firmëtar në letrën-fshatçe, drejtuar qeverisë së Zogut, nëpërmjet të cilës i kërkonin një mësues “mbasi godinën e shkollës e kemi ngritur vetë”. Ishte viti 1935. Ai e kapi fijen e suksesit qysh kur ishte i ri. Në vitet e luftës Nacionalçlirimtare. Mundi të bëhej “zë i parë” në fshat, zë që kishte rëndësi të jashtëzakonshme nëse kemi parasysh që ai, në moshën që nuk i kishte dirsur ende qimja në faqe, u zgjodh sekretar i këshillit NÇ e një vit më pas, maj 1943, kryetar e këtij këshilli. 

Drejtuesi i disa ndërmarrjeve
Thonë se Haki Hasko ishte shpuzë, ta merrte mendimin “në ajër”, dëgjonte një fjalë e kuptonte dy. Në jetë njerëzit ju ngjajnë fjalëve; nëse nuk i vë në vendin e vet, e humbin kuptimin. Kur ndjekim në vite pozicionet në punë që ka mbajtur “njeriu i zbritur nga fshati në qytet “ në moshën 31 vjeç, merret vesh se ai ka qenë me fat, “i privilegjuar” për të drejtuar ndërmarrje apo institucione ku telashet e ngarkesa në punë nuk njihnin stinë. Drejtor në ndërmarrjen bujqësore, drejtor në ndërmarrjen e përpunimit të drurit, shef i seksionit të bujqësisë pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit popullor të rrethit, ishin disa nga “shpërblimet” që mori, por që kurrë, asnjëherë nuk i tha fjalët pa vlerë “ne po bëjmë më të mirën që mundemi”. Suksesin Haki Hasko e arrinte duke bërë atë që ishte e nevojshme. Për këtë njeri me plot virtyte, nuk kishte rëndësi ku dhe si e bënte jetën. E rëndësishme ishte çfarë kishte bërë aty ku kishte qenë, ku kishte drejtuar për të bërë detyrat. Ai e dinte një thënie të mençme, mësuar nga të parët: Dituria dhe përvoja nuk trashëgohen, por fitohen. Jeta është e shkurtër, por ne e bëjmë më të shkurtër nga humbja e kohës. Një njeri që di të vlerësojë kohën, nuk mund të mbetet kurrë i zhgënjyer për çka synon të arrijë. Në shekullin që lamë pas individë të ndryshëm mundën të bëjnë edhe çudira, mundën “të fluturonin” edhe pa krah. Personazhi ynë, Haki Malindi, është një “çudi” më vete. Për të mësuar nuk është vonë kurrë. 
Në shkollë të lartë në moshë 43-vjeçare
Ai e filloi shkollën e lartë, për agronom, në moshën 43 vjeç dhe e përfundoi kur ishte 47 vjeç. Të kujtojmë që ai gjatë viteve që vijonte studimet ishte edhe baba i katër fëmijëve. Është pak për t’u habitur, apo jo! Teksa kuleta zbrazet, zemra mbushet. Tek familja Hasko më duhet të veçoj inteligjencën e dy prindërve, Hakiut dhe Haxhiresë të cilët nuk kursyen asgjë për arsimimin e fëmijëve. Ata ishin të bindur se injoranca kushtonte më lirë ndaj edhe u duhej të “shkundnin” xhepat duke qenë të bindur se ky investim modest do t’i shërbente të ardhmes së tyre. Të jesh i fortë është mirë, thoshte Hakiu në mjediset ku diskutohej për shkollimin, port ë jesh i mësuar është dy herë më mirë. Në jetën bashkëshortore lindën dhe rritën tetë fëmijë, tri vajza e pesë djem. Të tetë të arsimuar, të edukuar, shembullorë si ata. Me profesione të ndryshëm si të ishin drejtues të një “ndërmarrjeje”; inxhinier, jurist, mësues e ekonomistë. Katër nga pesë djemtë e familjes Hasko ishin futbollistë nga më të mirët e skuadrës “5 Shtatori” të Skraparit. Edhe kjo, më duket, është një çudi tjetër. Fjala është si bleta që ka edhe mjaltin edhe thumbin. Haki Hasko e kishte fjalën fjalë dhe punën punë. Me ndërgjegje të shkallës më të lartë. E tregonin shpesh në Skrapar një ngjarje e cila kishte të bënte me një “lajthitje” të Hakiut. Njëri nga djemtë, inxhinierin, e kishin caktuar që stazhin si student ta kryente në ujëmbledhësin e Prishtës, në Skrapar. Bukur! Ai shkonte përditë tek puna dhe kthehej në darkë. Mirëpo Hakiu kishte vënë re diçka që edhe iu bë shqetësim, kuptoi se i biri nuk po e kryente stazhin ashtu si duhej: djalit nuk i bëhej pis këmisha, shkonte e kthehej nga kantieri me jakën e këmishës bojë të bardhë, akull. E pyet një ditë: more djalë, punoni apo vini për piknik atje në Prishtë, nuk e pashë një ditë këtë këmishën tënde të bëhet pis? Punojmë, o ba, ia kishte kthyer i biri, pse për qejf shkojmë ne deri atje?! Hakiu, mënyrën sesi iu justifikua i biri nuk u kish besuar fjalëve. Të nesërmen kish vajtur në Komitet. Shikojini, i kontrolloni ndonjëherë ata stazhierët që i kini caktuar në Prishtë sepse, të paktën ai djali im, nuk zënë punë me dorë. Nga ajo ditë e më pas inxhinieri, sapo kthehej nga Prishta, zhvishte këmishën dhe ia jepte nënës për ta larë. Këtë “huq” ai e kishte të tijin, nuk e ndryshoi që nuk e ndryshoi sa qe gjallë. Shikonte, dëgjonte dhe mësonte. Nuk mund të dish gjithçka vetë, këshillonte shpesh ata që nuk kishin përvojë pune në profesionin e marrë në shkollë. Kushdo që mendon se di gjithçka, është i destinuar të shkojë drejt mediokritetit, ishte bindje e palëkundur për këtë drejtues me përvojë të madhe. I mençuri ka një prirje për të qenë i heshtur, për të mos e ngritur zërin kur arrin suksesin, për t’u treguar modest edhe atëherë kur shkëlqimi në veten e tij është i dukshëm. Këtë prirje prej babaxhani e kishte edhe Haki Malindi. 
Vlerësime maksimale nga institucionet e larta të shtetit
Për çka arriti në jetë në shërbim të vendit të tij, të shoqërisë dhe familjes ai ka marrë vlerësime maksimale nga institucionet më të larta të shtetit: “Dekorata e Trimërisë” (Nr. 19193, dt., 30 Maj 1953), “Dekoratën e Kujtimit” (Nr. 1040, dt. 4 tetor 1954), “Urdhri i Klasit të III-të” ( Nr. 4023, dt. 15 nëntor 1965) dhe së fundi ai mori titullin “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ-it” (pas vdekjes). Nëse do t’i bëhej një statujë, kam mendimin se ajo meriton të përgatitet nga një metal i fortë, i shtrenjtë, që të mund t’i përballojë kohës, ashtu si përballoi sfidat dhe vështirësitë në jetë Haki Hasko. Ka një fabul për Ujin, Zjarrin dhe Moralin, të cilën dua ta sjell në këto radhë për të ngritur, ashtu si e meriton, figurën e këtij burri të nderuar të Skraparit. Uji, Zjarri dhe Morali ishin bërë shokë dhe gjithë kohën e kalonin së bashku. Një mbrëmje tek po shëtisnin, ndërmjet tyre lindi pyetja se nëse ndonjëri prej tyre humbet si do të mund ta gjenin. Pyetën ujin:
– Nëse humbet, si do mundemi të të gjejmë?
– Ku të dëgjoni gurgullimë vraponi se atje më keni- ua kthen uji.
– Po ty zjarr si të gjejmë?
– E thjeshtë, ku te shikoni tym aty jam unë- përgjigjet zjarri.
Kur radha i erdhi Moralit, përgjigjja e tij tingëlloi e çuditshme për shokët e tij:
– Bëni kujdes të mos më humbisni, se nëse më humbisni, kurrë më nuk do të më gjeni.
Nëse do ta bënim këtë pyetje për Haki Haskon (Malindi) ai do të jepte këtë përgjigje:
– Mua do të më gjeni aty, në mesin tuaj. Bëni kujdes të mos më harroni, se, nëse më harroni, kurrë nuk do t’i gjeni këshillat e mia.
Këto radhë që u shkruan për të, le të mbeten si “e zeza mbi të bardhë” për të mos e harruar kurrë.
Sigal