Bashkim Hoxha, shkrimtari që na bën të besojmë se letërsia e madhe po rikthehet

676
Sigal

Romani i tij, “MISSING” një enciklopedi e jetës shqiptare në tranzicion absurd të ndarjes së dy shekujve

Kur të kalojnë vitet, shumë vepra letrare nga ato që botohen sot, do të harrohen dhe kjo është e pashmangshme. Ndërsa, libri i Bashkim Hoxhës e ka siguruar që tani mbijetesën e vet, sepse autori i tij, ka paraqitur enciklopedinë e jetës njerëzore, të tranzicionit, e cila do të ribotohet dhe rikërkohet nga studiuesit për të parë atje, se sa e madhe dhe e vërtetë ishte plaga e shoqërisë sonë. Në këtë libër, lexuesi i sotëm sheh si në pasqyrë, pjesën absurde të ndëshkimit, për fatin njerëzor të bashkëkohësve tanë, si edhe vendet e goditjeve, ku shoqëria jonë mori plagë të mëdha. Ndërsa lexuesi i nesërm do të shohë atje panoramën reale të një kohe tjetër, e cila dhëntë zoti të mos përsëritet më. Në këtë libër, shqisat artistike të autorit Bashkim Hoxha kanë arritur t’ia dalin, të bëjnë punën e piktorit duke portretizuar,  tablonë e kohës sonë, atë të fotografit, duke fotografuar mjedisin dhe atë të mjekut, duke bërë radioskopinë e vërtetë të një epoke. Duke rilexuar librin e Bashkim Hoxhës, duket sikur papritur, në një kohë të vështirë për artin, ti ke rigjetur letërsinë e madhe dhe të vërtetë. Megjithë, dhimbjen e madhe që të shkakton ky realitet, ti përsëri ke ngushëllimin, se kjo letërsi do të zbulojë vendet e plagëve dhe duke i mjekuar ato, njerëzimi do të ndahet nga e kaluara e vet, duke u lehtësuar. Sepse Bashkim Hoxha ka shpalosur qartazi që është nga raca e shkrimtarëve të vërtetë, i cili nuk do ta braktisë kurrë, ambicien e tij, për gjetjet dhe figurat e mëdha letrare, që e dallojnë dukshëm prej të tjerëve. Bashkim Hoxha sjell në romanin e tij MISSING realitetin e një shoqërie të turbulluar, krizën shpirtërore të një brezi që po zhvillohet në virtualitet. Një roman ndryshe nga të tjerët, një subjekt kompleks që na fut në skutat e tij për të na shpalosur një botë të brendshme e të vuajtshme të një personazhi sa të fortë e të qëndrueshëm, në dukje, aq edhe të dhimbshëm e të rrënuar. Përmes jetës absurde të Grozit, autori na rrëfen realitetin e një kohe që nuk është gjë tjetër veçse një tërësi absurditetesh të kthyera në sistem. Simbolika e groteskut, me një lojë artistike të përsosur në galerinë e personazheve, si: Grozi, ariu, Lora (qeni), Mona (e deklaruar MISSING), Gridi, Danieli (Dauti), Gent prokurori, Maria e Bjeshkëve etj., shpeshherë merr përmasa gjithëpërfshirëse në realitetin virtual të kohës. Me një strukturë të veçantë, Bashkim Hoxha sendërton një vepër ku ngrihen probleme të kohës, të cilat herë zgjidhen, herë lihen të hapura për abstragime. Ky libër nuk është një roman drithërues, por një tablo e sapo skicuar e botës së sotme. Të rrëmben për ta lexuar me një frymë dhe për të medituar gjatë…

 

Missing

 

(Fragment nga romani)

 

Vazhdoj ditën time të punës si përherë, dhe si përherë ndalem pak më gjatë te Maria. Maria që bën dantella. Për motiv ka zgjedhur një flutur të madhe, të bardhë. Më thotë se do ta fitojë çmimin e parë. Asnjë prej grave nuk ka mundur të bëj dot një flutur kaq të madhe e kaq të brishtë, njëkohësisht.

Unë i bëj një pyetje që atë e çudit.

“Marie, në qoftë se një burrë vret një grua, ku mendon ti se do ta fsheh?”

Përgjigja e saj është e menjëhershme:

“Në kazanin e plehrave.”

“Në kazanin e plehrave?”

“Po. Aty e hodhën Joanën.”

Pastaj ajo më tregon historinë e trishtuar të një vajze rumune, njëzet vjeçe, që jetonte në të njëjtën shtëpi me Marien në Itali. Prostitutë. Por ama një prostitutë mëkatare. Njerëz të ndryshëm kanë mëkate të ndryshme. Për një prostitutë është mëkat të bjerë në dashuri. Ia var punës dhe fillon të mendojë për të ikur. Si të gjithë mëkatet, edhe ky ndëshkohet. Tutorët vendosin ta vrasin. E mbysin në vaskë. Pastaj e marrin trupin e saj, e fusin në një thes të madh, të zi, nga ato që futen plehrat dhe e hedhin në koshin e plehrave të lagjes matanë. Marien e detyrojnë të ruajë derisa të vijë makina për të marrë plehrat. Zakonisht makina vjen në orën shtatë. Ajo qëndron në këmbë nën një shtyllë elektrike dhe pret. Makina vjen si zakonisht me uturimë. Dy punëtorë zbresin dhe centrojnë koshin në pjesën fundore të saj. E kthen përmbys dhe gjithçka zbrazet në karrocerinë e saj. Rrapa tap, rrapa tap. Rrapa tap, rrapa tap. Makina përzien plehrat në kazanin e madh. Pastaj e lëshon koshin e zbrazët dhe dy punëtorët e lënë në vendin ku qëndron zakonisht. Makina niset, dy punëtorët ngjiten në të në ecje e sipër, dhe shkon të marrë koshat e pikës tjetër. Makina bën shumë zhurmë në ecje e sipër. Karroceria e saj uturin. Rrapa tap, rrapa tap, rrapa tap, rrapa tap. Përzien plehrat me njëra-tjetrën, i grin. Bashkë me to, grin kockat e Joanës. Derisa të zhduken. Derisa të bëhen një me plehrat.

Përfytyroj Danielin në një skenë krimi të ngjashme. Ka ngarkuar në kurriz trupin e Monës. E ka futur në një thes plehrash.

Nuk vazhdoj më me këto përfytyrime, sepse më duket makabre.

“Nuk ka ndonjë mënyrë tjetër?”, pyes Marien.

“Ka”, më thotë ajo. “Hedhje në lum. Murosje.”

“Murosje? Si në legjenda.”

“Pa këngë. Përplasur në gropën e hapur të themelit, pak çaste pasi të vijë makina e betonit plot zhurmë rrapëllimë. Vjen e të mbulon, të kthen në një cep muri ku askush më nuk ta di adresën.”

 

Në një cep muri ku askush më nuk ta di adresën.

Jo, Mona nuk mund të ketë një fat të tillë. Unë e njoh mirë. Ajo nuk nënshtrohet. Mund të bëjë zgjedhje të gabuara, por nuk i bën sepse mashtrohet. Janë zgjedhjet e saj.

Mona e ka në gjak flirtin. Ngjan nga e ëma, që duhet të ketë qenë pak e vetërrëmbyeshme në histori të ndryshme dashurie. Në fund të fundit ato të dyja besojnë se dashuria dhe flirti i japin kuptim jetës së një femre, i japin atë ngarkesë emocioni që i bën gjërat të vërteta dhe të jetuara. Unë e kam pasur të qartë që në fillim që ajo nuk mund të vazhdonte në pafundësi me Danielin. Ai vërtet ofron shumë, por për tipin e Monës, ofron edhe monotoninë e një jete të ndrydhur në një dashuri të vetme. Nuk mund ta durojë dot këtë gjë. Ndjehet si një robinjë e lidhur në një trung pylli, ndërsa rreth e qark është errësira e pamatë që ofron mundësi, edhe pse të frikshme. Me siguri është dashuruar me atë deputetin, shenjat janë. Afërsitë që lindin dashuritë ekzistojnë. Atë si politikan dhe këtë, si dashnore më shumë e vetes se e të tjerëve, i lidh mungesa e sinqeritetit. Për të dy jeta është një spektakël. Luajnë rolet, duke pritur rrethanën. Kur rrethana ka mbërritur, e kam të paqartë se çfarë rrjedhe kanë marrë rrugët e të treve, Danielit, Monës dhe deputetit. Gjithmonë vjen një kryqëzim.

Gjithmonë vjen një kryqëzim,

Kur nuk di se nga të shkosh,

Ngre dorën të shikosh se nga fryn era,

Kërkon të gjesh pikat e horizontit,

Por ato ngatërrohen,

Në kokën e mbushur me mëdyshje.

Do rrugën e qetë a të rrezikut.

Kemi kohë që kemi zgjedhur qetësinë,

nuk e kërkojmë më rrezikun.

Edhe pse ajo është rrugë me më shumë variacione

Këtu hyn në mes aritmetika.

Aritmetika e jetës është e çuditshme.

Ne e kemi harruar këtë aritmetikë,

Ka kohë që hesapet nuk i bëjmë me zemër, por

Nxjerrim makinën llogaritëse.

Nuk i marrim ne vendimet,

I merr makina llogaritëse.

 

Nejse, le të kthemi te kjo e hënë, që për mua është e rëndësishme. Në pushimin e drekës më kërkon Genti. Ka mbledhur informacionet dhe vjen të më thotë se çfarë ka gjetur.

“Njoftim për zhdukje nuk ka”, më thotë ai.

“Këtë e dija.”

“Në sistemi TIMS rezulton se një vajzë me një emër të tillë nuk e ka kaluar kufirin për të shkuar ndonjë vend tjetër.”

“Po ku është atëherë?”

“Ndoshta ka gjetur ndonjë dashuri tjetër. Ngaqë punojmë në burgje, me njerëz që kanë bërë krime ne e kemi lehtë ta besojmë çdo histori, që ndodh si një histori krimi. Ka mundësi të jetë tani në ndonjë hotel, e mbyllur në dhomë, shijon dashurinë e radhës.”

“Kaq thjesht?”

“Kaq thjesht.”

“Po përse të mos mendojmë rastin më të keq…”

“A e di ti sa braktisje dashurie ndodhin në ditë? Po lexoja një ditë një kuriozitet në internet. Çdo 10 sekonda një çift ndahet në botë. Po të shuaje nga një dritë kudo që janë ata, do të dukej globi ynë si rrugica ime që kur bie shi i digjen një e nga një dritat.”

“Domethënë…”

“Domethënë, një histori dashurie që përfundon me ikje si miliona histori të ngjashme”, e zhvleftëson ai alarmin tim.

“Unë përsëri kam një parandjenjë që ajo është zhdukur”, këmbëngul unë.

“Institucionet lëvizin mbi fakte dhe jo mbi parandjenja”, më kujton ai.

“Po a mund ta gjejmë se ku është? Në qoftë se nuk e kanë zhdukur, a mund ta gjejmë se ku është fshehur?”

“Më mirë presim. Sa herë na ka ndodhur për vajza që prindërit i deklarojnë të zhdukura, ne nisim kërkimet, dhe befas shfaqen përkrahu me dashuritë që kanë përzgjedhur, duke na e shkuar huq gjithë kërkimin dhe shqetësimin.”

“Por edhe shumë të tjera nuk janë shfaqur më pas. Në korridorin e policisë është një mur i mbushur me fotografi të zhdukurish, apo jo? Kush tha që Mona nuk i përket kësaj kategorie.”

“Duhen fakte, miku im. Parandjenjat, shenjat, janë pjesë e fallxhorëve dhe nuk mund të ngatërrohen me hetimin”, ma mbyll ai bisedën dhe unë atëherë marr vendimin që ta kërkoj vetë, pa pasur nevojë për policë.

 

 

 

Të dhëna teknike:

 Autori: Bashkim Hoxha

Titulli: Missing

Formati: 13×20 cm

Faqe: 192

ISBN: 978-99943-1-925-1

Cmimi: 700 leke

  Bashkim Hoxha