Bashkim Hoxha: “Missing”, pjesë substanciale që nuk mund ta anashkaloja

556
Sigal

INTERVISTA/ Flet shkrimtari dhe dramaturgu Bashkim Hoxha: “Ky roman është pjesë e jetës së sotme”

Dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës, shtëpia botuese “Toena”, zhvilloi promovimin e romanit të shkrimtarit Bashkim Hoxha “Missing”. Në këtë veprimtari merrnin pjesë, shkrimtarë, poetë, kritik arti, miq dhe të afërm të shkrimtarit.  Në këtë veprimtari folën kritiku i artit, Behar Gjoka, shkrimtarja dhe skenaristja Natasha Lako si dhe drejtorja e shtëpisë botuese “Toena”, Irena Toçi. Në fjalën e tij, kritiku Gjoka e cilësoi këtë roman si një prurje të re, e cila duhet vlerësuar dhe parë me vëmendje. Znj. Lako e cilësoi këtë roman si një vepër ndër më të mirat e Hoxhës, por edhe të letërsisë shqiptare të viteve të fundit. Znj Irena Toçi e cilësoi bashkëpunimin me shkrimtarin Bashkim Hoxha mjaft të mirë, duke vlerësuar gjithë krijimtarinë e tij letrare.

 Përse zgjodhët pikërisht një emërtim të tillë “Missing” për  romanin tuaj të fundit. Nuk duket paksa intrigues, paksa dhe enigmë për lexuesin?

E zgjodha këtë emër pasi është pjesë e jetës, pjesë e fjalorit të përdorur në roman, është pjesë substanciale, që buron nga vetë subjekti. Këtë fakt nuk mund ta anashkaloja pavarësisht se është intrigues, apo enigmë për lexuesin. Sot, lexuesi është i vëmendshëm dhe jep vlerësimet reale ashtu sikundër di ta dallojë  letërsinë e vërtetë nga ajo jo e vërtetë.

 Ky titull mbase do ta tërheq më shumë lexuesin?

Jo, kjo ishte një zgjedhje kuptimplote për të shprehur në një fjalë të vetme shumë kuptime, shumë fjali, shumë hamendësi. Pra me një fjalë tjetër çdo titull përveç këtij që kam zgjedhur, do të ishte i gjatë. Për mua mbetet një titull konkret, real, aktual. Fjala “Missing” në anglisht ka kuptimin e  zhdukjes, e harresës, por edhe të një fjale tjetër më merr malli. Pra një fjalë dy kuptimshme, që merr saktësim në një fjalë të vetme vetëm në anglisht. Pikërisht, këto dy kuptime kjo falë i bashkon në një të vetme dhe ka shumë kuptim të bukur në një fjalë të vetme.

 Në të gjithë veprat e tua, sidomos te romanet, tematika juaj është aktuale, pra nuk kapërcen në kohë. Qëmton, kërkon, zhbiron, përcjell fenomenet apo problemet e ditës, nuk zhvendosesh. Mos vallë kjo të jep më tepër lexues?

 Unë përgjithësisht në tërë krijimtarinë time, në të gjitha kohët, kam trajtuar vetëm problemet e kohës, apo subjekti është marrë nga koha që jetojmë, me problemet, arritjet, kërkesat, mangësitë, arritjet, deformimet kohore. Pra jam krijues i së tashmes me të gjitha ngjyrat që ajo ka. Nuk shquhem për letërsinë historike, pasi përgjithësisht unë jam lidhur me problemet e ditës, që  nga filmat e mi të parë, që nga dramat e para, romanet e para, ndaj them që nuk kam reminishenca në trajtesat e temave të mia.

 Sot vihen re shumë botime, bollëk libra me poezi dhe me tregime. Madje, kudo shikohet që dikush që boton një libër nesër trajtohet në shtyp si shkrimtar, ose imponohet si i tillë. Cili është mendimi juaj? Mos vallë mungon kritika profesionale?

 Ndoshta kjo kërkon një analizë me vete. Është e vërtetë që ka bollëk botimesh dhe shumë krijuesish, por koha bën të vetën. Sigurisht, kritika duhet të funksionojë, mbasi çdo vepër duhet të mbështetet në disa kritere. Kritika është ajo që dallon një vepër të mirëfilltë nga një vepër tjetër. Kritika është mëse e domosdoshme në letërsi.

 Një nga problemet e letërsisë shqiptare sot është mos përkthimi në gjuhë të huaja. Pse shteti ynë hesht ndaj propagandimit të letërsisë së vërtetë jashtë vendit?

Ju flisni  për përkthimet jashtë, por ne këtu kishim një përurim libri dhe shumë drejtues të institucioneve të kulturës nuk morën pjesë. Kjo jo vetëm për librin tim. Pra shteti duhet që të lëviz të gjitha ingranazhet që letërsia jonë e mirë të marrë pjesë dhe të prezantohet denjësisht kudo në botë.

 Cili është mendimi juaj për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve ku qeveria Berisha i mori ndërtesën?

Nuk jam dakord me principin që shkrimtarët të jetojnë në kolektivitet. Shkrimtari është një qenie individuale.

 Ju jeni dhe dramaturg, sot vihet re se ka pak vepra dramaturgjike nga autorë shqiptarë, nga se vjen kjo, nga mos pasja e dramaturgëve, apo ka ndonjë ngërç tjetër?

 Kjo nuk do të thotë që nuk ka dramaturgë shqiptarë, përkundrazi ka dhe shumë të mirë, por për ta mungon vlerësimi. Kur nuk vlerësohet atëherë si të shkruaj ai. Pra mungon vlerësimi dhe inkurajimi.