Bashkim Hoxha me një roman të ri

930
Sigal

Romani i ri në proces botimi MISSING. Punë e shkëlqyer e TOENA

“Sot kam patur një emocion të veçantë. Më mbërriti i faqosur romani i ri në proces botimi “MISSING”. Punë e shkëlqyer e TOENA. Kam botuar shumë libra, por për këtë libër, kam një padurim të veçantë, derisa të mbërrijë në duart e lexuesit. Ndoshta sepse është një vështrim në jetën tonë bashkëkohore. Për çfarë flet? Me dy fjalë: Një njeri ka humbur qenin, një tjetër ka humbur gruan, në kërkimet e tyre takojnë shumë të tjerë që kanë humbur veten”. Këto janë fjalët, të cilat Bashkim Hoxha i ka shkruar në faqen e tij në FB. Dhe reagimi ka qenë i menjëhershëm. Klikimet dhe urimet ishin të pandërprera. Me të drejtë, pasi në gjithë karrierën e tij si krijues Bashkim Hoxha ka qenë dhe mbetet një ndër shkrimtarët më të lexuar.  Aktualisht është një ndër shkrimtarët më prodhimtarë, por dhe më cilësorë. Por Bashkim Hoxha dallon dhe veçohet për emisionin më të ndjekur në Shqipëri, në Tv “24 News”, ku ai mbërthen para ekranit miliona shqiptarë kudo në botë.

Bashkim Hoxha është shkrimtar shqiptar i lindur në 1954-n. Ka krijuar disa vepra letrare të njohura mbarë shqiptare dhe për to qyteti i Durrësit me rastin e 50- vjetorit t lindjes së tij i ka dhënë mirënjohje “Qytetar Nderi” i Durrësit. Nga dora e shkrimtarit Bashkim Hoxha kanë dalë me radhë vepra si :”Heronjtë e Viagrës”, “Romancë në ditën e krimit”, “Lakuriq”, “Ground Zero” (“Dëshmitari i Shkretëtirës”), “Hotel Ballkan”, “Mbreti i Vesës”, “Mot i keq për dashuri”, “Fjalë të ndyra dashurie”, “Njeriu tjetër”, “Një lolo dhe një mbret”, “Unë dhe Mefistofeli” (dramë), “Ftesë për gjyq”, “Këngë dashurie dhe korba”, “Qyteti pa dashuri”. Hoxha është në kulmin e krijimtarisë së tij dhe një emër, që nuk i mungon asnjëherë publikut. Po ashtu Bashkim Hoxha është i njohur për emisionin e tij të mëngjesit “Koha për t’u zgjuar”, në të cilin komunikon me një pjesë teleshikuesish për probleme ne përgjithësi që nga viti 1997. Me 30 qershor 2010 Presidenti i Republikës z. Bamir Topi i akordoi titullin “Mjeshtër i Madh” në një ceremoni, ku u dha edhe premiera e komedisë se tij “Udhëtimi pa vizë i një alieni”.