Bashkëpunimi me Ushtrinë Jugosllave gjatë Luftës së Dytë Botërore

1214
Nga Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Misioni i posaçëm ushtarak
Bashkëpunimi me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pati jo vetëm shtrirje të madhe, por edhe bashkëpunim dhe ndihmë të spikatur, sepse ata ishin më të organizuar. Pranë udhëheqjes së LANÇ-it të popullit shqiptar ndodheshin që në fillim dy përfaqësues jugosllavë, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, ndërsa në dhjetor 1942 erdhi në Shqipëri, Bllazho Jovanoviç. Ai u atashua pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, jo si ushtarak, por si përfaqësues politik. Vetëm në gusht 1944 vjen pranë Shtabit të Përgjithshëm misioni i posaçëm ushtarak i UNÇJ, i kryesuar nga Koloneli Velimir Stoiniç, së bashku me Niaz Dizdareviç. Megjithëse ky mision ishte i përcaktuar për bashkëpunim ushtarak, ai i kalonte kompetencat e tij, duke përqendruar vëmendjen në problemet e karakterit politik. Kjo ndërhyrje pati ndikimet e veta, por nuk arriti të cenojë rolin udhëheqës të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së. Pavarësisht problemeve dhe divergjencave politike që u reflektuan me përfaqësuesit jugosllavë, Shtabi i Përgjithshëm dhe formacionet partizane përfituan nga përvoja që u shkëmbye në fushën e organizimit të operacioneve luftarake. Prania e vëllezërve tanë shqiptarë matanë kufijve në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni ishte një faktor tepër i rëndësishëm për rritjen e bashkëpunimit dhe zhvillimin e lidhjeve të ngushta ndërmjet formacioneve të dy vendeve. Shumë formacione partizane u krijuan nga banorë të të dy anëve si në krahinën e Tropojës, Rrafshin e Dukagjinit etj. Këto formacione gjatë vitit 1943 zhvilluan luftime të suksesshme në Tropojë e Gjakovë, Bytyç e Plavë, Ferizaj, Prizren e Kukës.
Këshilli Nacionalçlirimtar për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit
Ky këshill u krijua në Bujan të Tropojës dhe ishte një arritje e madhe për bashkëpunim. Në Tropojë pati bazën e vet dhe shtabi kryesor që drejtonte veprimtarinë luftarake për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Rol të madh dhe ndihmesë të vyer në organizimin dhe gjallërimin e lëvizjes nacionalçlirimtare në Maqedoni ka dhënë çeta dhe më pas batalioni partizan i Dibrës me komandant Haxhi Lleshin. Me veprimtari të përbashkëta luftarake të partizanëve të këtyre trevave u bë e mundur të çlirohen, edhe pse përkohësisht në vitin 1943, Dibra, Gostivari, Kërçova etj. Ndihmë e madhe ishte krijimi dhe pajisja me armatim e Brigadës I Sulmuese Maqedono-Kosovare e krijuar në Dibër në tetor 1943. I suksesshme ishte dhe bashkëpunimi për krijimin e Shtabit të Përbashkët Operativ, i përbërë nga pjesëtarë të dy formacioneve partizane. Ky bashkëpunim dha frytet e veta në operacionin për çlirimin e Dibrës më 31 korrik deri më 1 gusht 1944, ku nën drejtimin e një shtabi operativ të përbashkët të kryesuar nga Mehmet Shehu, u vunë forcat e tre brigadave: Br. I S e UNÇSH-se, Br. I S Kosovare dhe Br. I S Maqedonase.
Çlirimi i Kosovës dhe trojeve shqiptare në Jugosllavi
Kjo luftë do të ngelet në gjerdanin e artë të sukseseve të UNÇSH. Hyrja e forcave partizane të UNÇSH-së në territorin Jugosllav u bë në marrëveshje me Shtabin e Përgjithshëm të UNÇJ. Për të organizuar këtë bashkëpunim punonte misioni ushtarak jugosllav pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Rreth 20.000 luftëtarë të rreshtuar në dy divizione të përbërë në 7 brigada u angazhuan në luftën për çlirim në tokat jugosllave duke kryer tre operacione mësymëse të rëndësishme në Mal të Zi, në Sanxhak e në Bosnjën Jugore. Duke patur parasysh objektivat e përcaktuara si dhe largësinë e madhe nga bazat e furnizimit të territorit shqiptar, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH kërkonte bashkëpunim e bashkëveprim me UNÇJ veçanërisht për furnizimin me ushqim, veshmbathje e municion, por ato u ndeshën shpesh me indiferentizmin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇJ. Në të njëjtën situatë ato u ndodhën edhe gjatë kryerjes së operacioneve luftarake. Në shumë raste, edhe pse ishte biseduar dhe koordinuar për bashkëveprim, forcat partizane shqiptare ndodheshin përballë të papriturave serioze, por që shtabet e tyre ditën t’i zgjidhnin me sukses ato. Pavarësisht nga pengesat Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare plotësoi detyrat me kontributin e saj në ndihmë të popullit të Jugosllavisë duke dhënë gjakun e 600 dëshmorëve të saj. Historiografia jugosllave është përpjekur të zvogëlojë vlerat e kontributit që kryen UNÇSH-rë në ish Jugosllavi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në librin “Historia e Jugosllavisë 1918-1970” autori lë qëllimisht në harresë kontributin dhe luftën heroike të bërë nga Div. VI S, i cili zhvilloi beteja të përgjakshme me nazistët gjermanë për çlirimin e Malit te Zi dhe Bosnjës Jugore duke hyrë fitimtarë në Vishegrad. Por dokumentet e Shtabit të Përgjithshëm të UÇJ kundërshtojnë këto thënie, duke deklaruar se: “Në Mal të Zi repartet tona dhe shqiptare vazhdojnë pandërprerë sulmet mbi grupimet gjermane në zonën malore të Tarit … luftimet më të ashpra janë zhvilluar pranë Matoshevos”.
Për krijimin e Shtabit Ballkanik
Një ide, e cila pati jehonë në marrëdhëniet midis Shtabeve të Përgjithshme të disa vendeve të Ballkanit ishte diskutimi i hedhur nga jugosllavët për krijimin e Shtabit Ballkanik. Propozimi për krijimin e Shtabit Ballkanik u paraqit në fillimin e vitin 1943. Atë e paraqiti Svetozar Vukmanoviç Tempo, anëtarë i KQ të PKJ. Sipas Tempos, kjo ide do të ndihmonte në gjallërimin e luftës në Ballkan. Takimi i parë u mbajt në Labinot të Elbasanit, në qershor të vitit 1943. Në këtë takim përveç Tempos morën pjesë Enver Hoxha, Koxi Xoxe, Miladin Popoviç si dhe një grek, i quajtur Gregor. Nga ky takim u hartua një dokument, i cili u titullua: “Konkluzionet e mbledhjes së delegatëve të Komiteteve Qendrore të PK të Greqisë, Jugosllavisë dhe Shqipërisë, mbajtur në 20 qershor 1943”. Në thelb ky dokument kërkon rritjen e shkallës së bashkëpunimit reciprok, krijimin e unitetit të veprimit të të gjitha fuqive nacionalçlirimtare të vendeve ballkanike duke krijuar një komandë të përbashkët shtabin suprem ballkanik. Por idetë dhe filozofitë e prapaskenave të Tempos për krijimin e shtabit ballkanik ranë poshtë shumë shpejt. Në gusht PK Greke e hodhi poshtë idenë e krijimit të shtabit ballkanik duke e vlerësuar si të parakohshëm dhe të dëmshëm. Të njëjtën qëndrim mbajti për të dhe PK Bullgare. Kështu ra pa u ngritur mirë ideja për Shtabin Ballkanik. Por cilat janë disa konkluzione që tërheqin vëmendjen për qëllimin dhe rezervat që ekzistonin për këtë ide. Krijimi i Shtabit Suprem Ballkanik do të merrte përsipër shumë funksione me karakter politik çka, jo vetëm nuk mund t’i zgjidhte ky shtab, por për probleme shumë të mprehta që ekzistonin në Ballkan, veçanërisht ai i minoriteteve, kufijve dhe regjimeve të së ardhmes do të provokonte grindje te reja. Shtabi Ballkanik u konceptua edhe si pararendës i një Konfederate Ballkanike. Krijimi i një konfederate në kushtet e luftës ishte tepër e gabuar, veçanërisht për terrenin ballkanas ku problemet ishin evidente. Kjo do të thoshte të krijohej një instrument që shumë lehtë mund të bëhej vegël në duart e më të fortit, për të arritur qëllimet e tij politike. Pyetja se pse e ngriti një jugosllav këtë ide të bën të mendosh që Jugosllavia, si vendi më i fuqishëm në Ballkan në këtë kohë, kërkonte dominimin dhe kjo ide për të do të ishte ideale. Në aspektin ushtarak, shtabi ballkanik ishte i pa motivuar. Nuk kishte shembuj të tillë në përvojën botërore. Shtabet aleate ishin ngritur për teatro të veçantë luftarakë e jo si shtab që ngrihet mbi shtabet e përgjithshme të UNÇ të secilit vend.
Sigal