Bardhyl Berberi/ Piktori shqiptar që ekspozon në galeritë europiane

785
Piktori i Merituar Anastas Kostandini i është imponuar botës së artit përmes talentit të tij evident, përmes manifestimit artistik të befasishëm dhe tejet personal, përmes frymës së lirë e të shpenguar artistike. Artisti konturon tashmë gjithë e më tepër një profil të qartë përmes mjetesh artistike të personalizuara. Mjeti më elokuent të Tasos ofrohet nga përdorimi i lirisë së shprehjes. Liria nuk është një atribut, por një e dhënë. Kështu është e rëndësishme ta përdorësh lirinë që të ofrohet, të dish ta administrosh atë. Taso di të jetë i lirë e i shpenguar dhe të mbajë qëndrime të lira në artin e tij duke përdorur motivet e rastësishme me ato të përditshme. Në 57 punimet e ekspozitës së Tasos në sallën e galerisë së artit Taso përdor dy lloj pasteli atë me bazë vajore dhe atë shkumues Liria e shprehjes artistike merr forma e trajta nga më të beftat, merr zgjidhje konvencionale dhe jokonvencionale; liria e shprehjes tek pikturat e Tasos nuk njeh stepje, kufizim skolastik, qëndrime e poza akademike, mëdyshje, hezitim, por di t’i japë krahë fantazisë së tij, di të shkelë skajet e fundme të imagjinatës së tij. Në këtë ekspozitë në formë sintagme paradoksale dhe sugjestive, ai shënon kuotën më të lartë në krijimtarinë e tij. Tablotë e këtij segmenti evokojnë më së shumti përsiatje filozofike dhe poetike mbi botën, mbi jetën, mbi ëndrrën. Veprat janë sinteza përjetimesh të thella, janë thelbi i gjendjeve të ngarkuara shpirtërore dhe emocionale në ambiente familjare në dimra të gjatë njerëz duke i familjarizuar skajshëm. Nëna që pi kafe mbi qilim, poeti Lasgush Poradeci me qenin e tij, vizita e zonjushës në kullën e poetit, ikja e shtërgut sipas novelës së Kadaresë kushtuar poetit janë realizime emocionale. Veprat ruajnë atë që artisti konsideron më thelbësoren dhe më të qenësishmen e dukurisë apo motivit që ai pikturon. Taso di të sugjerojë, të na drejtojë në botën e tij përmes shenjash, gjestesh figurative, gamash ngjyrore duke na kapluar me gjetje artistike goditëse. Në këtë hipostazë telajoja e Tasos fiton një ndjeshmëri të pazakontë, plot me vibrime të dritës, me ngopje të ngjyrës në regjistra intensivë koloristikë, me thekse e shkrirje të alternuara. 
Vizioni i ri që përcjell autori nëpërmjet kësaj ekspozite 
Ekspozita është e ndërtuar mbi copra – copra fragmentesh ëndrrash që do të zhvillohen në një kohë tjetër dhe tjetër hapësirë, në terrene të tjera. Vepra e Tasos është ndërtim i një kronotopi me mjete vizuale, me një gjuhë të guximshme, me zgjidhje artistike të papritura. Piktori provokon kufijtë e njohur të reales, të së tashmes dhe të së ardhmes, të së shkuarës dhe të përjetimeve në këto segmente kohorë, të vendit dhe hapësirës të vendndodhjes së tij e ndodhive të jetës së tij. Piktori i lejon vetes të krijojë një botë të lirë me përmasa të tjera, me ligje të tjera, me rrjedhje kohore tjetër, me një optikë tjetër. Ai provokon një vizion të ri të botës, të një botë të personalizuar, të ndërtuar e hartuar sipas një logjike subjektive. Për pasojë udhëtimi që na ofron artisti presupozon dhe një tjetër kohë jokonvencionale, një kohë emotive që e përjetojmë intensivisht në rrethana të pazakonta. Në veprën e piktorit fshihet shpirti i ndjeshëm i një poeti. Përfytyrimi artistik, preokupimet artistike, vizioni i përgjithshëm janë të afërta me cilësitë që mbart poezia moderne. E ardhmja ka shenja të së kaluarës, e tashmja është atemporale, e ardhmja vishet me shenjat e të shkuarës. Të gjitha këto shprishje rendi të botës t’i lejon vetëm bota abstrakte që na ofron Taso në pikturën e tij. Ai sheh në mënyrën e tij botën, sendet, ëndrrat, zhgjëndrrën, kujtimet, misterin, natyrën. Ëndërrimi, kapriçot imagjinative, ndonjëherë rastësia në ekzekutim, injorimi i konvencioneve e bëjnë sinonim me lirinë tërësore. Kompozimet ritmizohen herë-herë pothuaj në mënyrë muzikale, të mbajtura në një kolorit të qetë që heq dorë nga kontrastet dramatike. Temat që dominojnë në këtë cikël janë tashmë reflekse të një bote më pak të shqetësuar. Në gjithë universin që na ofron piktori gjallon brishtësia dhe ngazëllimi. Në një hipostazë tjetër, piktori bëhet më dramatik, ngjyrat bëhen më intensive, më agresive, në rrjedha të lira dhe për pasojë autori duket së jashtmi se nuk i interesojnë strukturat por lëvizja e tyre, nuk i intereson objekti por efekti që shkakton ai dhe dinamika e tij në raporte të caktuara hapësirore. Taso shkëlqen në sintaksën e pikturës së tij pa neglizhuar aspak morfologjinë. Piktori ka një optikë të tij vetanake, ai nuk lihet i ndikuar nga asgjë e nga askush, sepse piktura e tij është më shumë një nevojë personale vetshprehjeje: një vështrim personal dhe i pangatërrueshëm i botës së tij së brendshme dhe i realitetit ku jeton. Artisti është formuar si personalitet në krijimtarinë e tij, dritën ngazëlluese të viseve nga ai vjen, dritën e “Liqenit të dritës “ siç është quajtur liqeni i Ohrit. Trajta nga fëmijëria, forma e ngjyra, shenja dhe ndjenja nga vendlindja shpalosen jo vetëm në tablo ku ky realitet pasqyrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por dhe në tablotë më abstrakte dhe suraliste. Gjurmë të realitetit të vendlindjes zbulohen në të gjithë krijimtarinë e Tasos. Vendlindja shfaqet përmes ngjyrash, përmes gjestesh piktorike që të kujtojnë peisazhin e liqenit konturet e Malit të Thatë, përmes gjendjesh emocionale që të provokon malli dhe mungesa e tyre, përmes atmosferës, bimësisë, ajrit, frymës. Vendlindja e Tasos, Pogradeci merr trajtat e parajsës tokësore për piktorin poradecar. Pogradeci gjeneron kujtime prodhimtare, emocione pjellore. Paleta ngjyrore e Tasos është huajtur nga natyra e vendlindjes, përdorimi me virtuozitet i këndeve dhe rrugicave më interesante që ka qyteti i Pogradecit. 
Elementët e veprës
Ndërsa në qoftë se do të flasim për elementët që bëhen përcaktues për strukturën e veprës së piktorike Anastas Kostandinit, do të sillnim dy syresh që janë të një fakture poetike drita-liria. Për piktorin është i rëndësishëm realiteti i tij piktural, mënyra se si strukturohen në telajo imazhet e tij. Në një grup tablosh që lidhen me një atmosferë ku artisti vendos një shtëpi, karakteristike të qytetit të vjetër me rrugica të ngushta kemi të bëjmë me një realitet aluziv, më shumë autori na ofron atmosferën jo objektin, një ndjesi të përgjithshme dhe jo sende konkrete e të lexueshme. Objektet nuk kanë një vend të saktë në hapësirë, evolucioni i tyre i lihet natyrës së imagjinatës së krijuesit dhe për pasojë dhe receptorit. Mjedisi fizik përmblidhet në esenca kromatike të forta por dhe të stërholla, për t’i falur jetë këtyre viseve të mrekullueshme. Taso pikturon me një gazmend të pacak, sepse natyra që na ofron piktori ngjyrohet me një kolorit të fortë të mbushur plot me ndjenja, me temperaturën e ëndrrës së artistit, me afshin që kërkon ta përcjellë tek spektatori. Suksesi i Piktorit të Merituar Anastas Kostandini nuk është aspak rastësi, është një sukses i merituar plotësisht. Fitues çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare, kurator ekspozitash të përmasave të mëdha ndërkombëtare, (ekspozitat e të cilit kanë hyrë tashmë në axhendat e galerive më të rëndësishme europiane të gjitha këto forcojnë idenë tonë se udha e suksesit të piktorit Anastas Kostandini është ndërtuar mbi baza solide dhe konsistente, mbi vlera të verifikuara në mjediset elitare të artit evropian.
Sigal