Bardhyl Berberi: Gora, krahina që po rrudhet çdo ditë!

677
Gora është krahina më e vjetër e vendit me 49 fshatra, të ngjeshura në gjoksin e maleve të larta që shkojnë nga 1000 m deri në 1500 m mbi nivelin e detit. Gora shtrihet në trekëndëshin midis Pogradecit, Gramshit dhe Korçës. Krahina përshkohet nga lumi Devoll, i cili formon djepin e krahinës ku rriten dhe kultivohen bimësi të ndryshme bujqësore me mollë, dardha, qershi më plantacione të pafund pyjesh dhe xhepa të shumtë luginash ku mbarështohet bagëtia. Në të djathtë të lumit Devoll ngrihen madhështore malet e Lenies, Guri i Kamjes një gur madhështor dhe hijerëndë që është si porta hyrëse e krahinës së Gorës. Fjala “Gorë”, që ka marrë emrin krahina rrjedh nga sllavishtja që do të thotë Gorë –mal malësi.
Mes blegtorëve të Gorës 
Jemi nisur nga rruga e Qafë–Panjës për të shkuar në krahinën e Gorës dhe jemi future në mbretërinë e pyllit. Plantacione njëri pas tjetrit të mbuluar me pyje. Lugina të bukura alpine të mbuluara me kurorat e gjelbërta të aheve dhe të pishave. Dëgjohet zhurma e ndonjë motosharre dhe trokitja ritmike të sëpatës e cila përzihet me këmborët e tufave të mëdha të bagëtive. Një simfoni e vërtetë. Dëbora që ka rënë gjatë këtyre ditëve i ka ushqyer ujërat e kaltra të burime të shumta që rrjedhin në formën e ujëvarave që nuk ndien të ngopur. Në faqen përballë ndesh me një plantacion të djegur pylli deri në palcë gjatë zjarreve në verën e kaluar. Dikur kjo zonë ka qenë një stabiliment sharrash thotë bariu nga Niça Petraq Shkëmbi. Me këto pyje në të kaluarën kemi mbajtur familjet tona por në vitet e tranzicionit pyjet u masakruan barbarisht. Ja tani pylli ka filluar të përtërihet por ai duhet të ruhet. Nëpër një luginë të bukur ku dielli herë-herë shfaqet dhe herë fshihet nëpër qafat e maleve dhe duket sikur dielli luan me ne symbyllurazi. Barinjtë janë njerëzit e sakrificës që bredhin mal më mal atje ku kullota është më e mirë dhe asnjëherë nuk i dëgjon që të qahen. Takojmë barinjtë e dhive Safet Muska dhe Kujtim Shkullaku. Dy burra të fortë që na presin buzagaz. Dhitë i janë afruar një faqe alpine. Ata na shtrojnë gunat dhe na ndezin zjarrin. Zjarri është ndezur mirë por nxehtësia e tij nuk të shqetëson me ajrin e acartë që fryn nga majat e maleve të lartë që kalojnë mbi 1500m mbi nivelin e detit. Tufa është e madhe rreth 400 dhi dhe të gjitha dhitë kanë zile. Tringëllima e tyre krijon vërtet një ambient baritor. 

Safeti na e ble mendimin,eh thotë ai, – zilet janë armët e çobanit që ai mbron kopenë! -Ja unë e kuptoj gjuhën e tyre atë e ndjej sado larg të shkojë kopeja,e kuptoj kur ajo është e qetë e patrazuar dhe e kuptoj kur tufa është e ndërkryer dhe para rrezikut. Atëherë ngrihemi dhe së bashku me qentë e stanit iu bëjmë ballë egërsirave. Arritjet e këtyre dy barinjve me tufat e tyre janë vërtet të admirueshme. Kujtimi thotë se vitin e kaluar ka marrë 200 litra qumësht për çdo dhi duke arritur një pjellshmëri të dhive mbi 118 për qind, ndërsa gjatë këtij viti ka marrë rreth 210 litra qumësht për çdo dhi dhe brenda 60 ditëve çdo keci i ka çuar në një peshë prej 14 kg. -Ti biem drejt thotë Safeti mua më vjen turp të shkoj të bëhem hyzmeqar i grekut të vete të ruaj dhitë e grekut siç bën një takëm prej krahinës sonë dhe janë jo pak …Më pas biseda kalon tek puna e tyre mbi çelësin e suksesit. Ata thonë se çoban i mirë është ai që e njeh kullotën pëllëmbë për pëllëmbë çfarë hone ka, me çfarë barëra dhe gjithë e ushqen tufën kullotën duhet ta ndajë me shkop atje ku ta çojë tufën sot të mos t`a çojë nesër…Dhia duhet mjelë tre katër herë në ditë. Populli thotë një pikë qumësht ti ngelet në gji dhisë apo deles me kalimin e kohës ajo bëhet shterpë. Ujë iu japin tre katër herë në ditë… Le të hajë ushqim të mirë sa të dojë dhia po nuk piu ujë nuk ta jep qumështin e kërkuar. Bariu i deleve Razmi Muçka ka një tufë me dele atij i kanë pjellë 200 dele pa asnjë humbje ai merr për çdo dele nga 55 litër qumësht. Të gjitha qengjat femra, thotë Razmiu, i përdora për remontin e tufës … Te flasin me respekt edhe për një blegtor tjetër Ferit Çela që mbarështon lopë race holandeze i cili ka krijuar një fermë lopësh dhe ka arritur rezultate rekord …Dhe së fundi buka e këtyre blegtorëve janë qengjat, kecat, viçat që do të futen për remont dhe ata që do të shiten për mish, leshi, është qumështi që merr rrugën e baxhove …me nënproduktet e qumështit djathin gjalpin që përkthehet në të ardhura të majme dhe në mirëqenie për familjet e këtyre njerëzve të sakrificës që familja i sheh shumë rrallë. Bisedën me blegtorët Gorarë e lamë të hapur …
Epidemia e largimit të gorarëve
Por papritur lugina me pyje ka marrë fund dhe në këmbët e masivit me pyje shtrihet hija e një peizazhi tjetër të gjelbër me kumbulla arra mollë dhe shtëpi të ndërtuara me gurë dhe të mbuluara me rrasa guri që ngjanë nga larg si shkëmbinj të latuar nga erërat,një pjesë e shtëpive kanë çati të kuqe prej llamarine. Të gjitha ato shtëpi që kanë mbulesat e reja prej llamarine janë me njerëz që banojnë aktualisht ..Një kishë e madhe me një arkitekturë krejt të veçantë me një kambanore të madhe e cila është një nga kishat më të vjetra të rrethit. Fshati Nicë duket i heshtur ka 150 shtëpi por vitet e tranzicionit janë larguar shumë banorë. Vetëm 40 shtëpi prej tyre kanë banorë. Më shumë se 110 oxhakë të shtëpive nuk nxjerrin tym aty nuk jetojnë njerëz rrallë mund të shikosh ndonjë fëmijë nëpër rrugët e fshatit … Kështu Osnati që dikur kishte 360 banorë sot ka vetëm 60 banorë, Dërdusha nga 205 banorë sot vetëm 50 banorë, Stërkanji nga 105 banorë sot ka vetëm 20 banorë. Por cili është shkaku i kësaj braktisje masive që ngjan me një epidemi : Kushtet e rënda ekonomike, papunësia, mungesa e infrastrukturës dhe emigracioni ka bërë që popullsia e këtyre 44 fshatrave të jetë më pak se gjysma e asaj që ka qenë para viteve të tranzicionit … Por ajo që të bie në sy sheh njerëz të gjithë moshave të cilët i gjen pranë parcelave të tokave të cilët janë duke punuar si asnjë vit tjetër..sheh blloqe pemësh dhe parcela të reja. Duhet punuar toka se kjo tokë na ka mbajtur në shekuj thotë një i moshuar a e sheh more bir se vajti 500 lek një kg grurë …Grunjasi është fshati tjetër i thellë i Gorës. Edhe këtu epidemia e largimit duket qartë tek shumë shtëpi të braktisura që qëndrojnë të mbyllura me çelës. Nga 180 familje që ka patur fshati në të kaluarën rreth 35 familje e mbajnë fshatin gjallë. Por në Grunjas banorët që janë atje merren me bujqësi dhe blegtori .Ky fshat ka mundësi të shkëlqyera të turizmit malor me ajrin e pastër burimet e shumta që zotëron. Nga Grunjasi është Hekuran Pere një nga gajdexhinjtë më të mirë të gjithë vendit fitues i shumë çmimeve në festivalin e Gjirokastër dhe turneve artistike brenda dhe jashtë vendit 
Tradita Gorare 
Populli i Gorës është i hershëm. Fshatrat janë të vendosura në gjokse malesh grykash alpine dhe kodrash të ndërtuara me shije pranë vendburimeve. Shtëpitë janë grumbull në shpatullat e njëra tjetrës. Shtëpitë zakonisht janë dykatëshe të ndërtuar me gurë dhe të mbuluara me Plloça. Francezi Boucart Jaques që ka qenë në Gorë gjatë Luftës së Parë Botërore ka shkruar; Në Gorë pashë njerëz të thjeshtë shtat mëdhenj dhe shumë mikpritës me fshatra piktoreske me pyje pafund dhe burime të shumta uji .në fshatin Dërdushë ndodhet një monument i rrallë kulture për gjithë Shqipërinë e Jugut. Kulla 5 katëshe e Dërdushës e ndërtuar gati 200 vjet më përpara. Ajo njihet si kulla e Meços agait të zonës. Kulla është e pajisur më frëngji. Një volum masiv i ndërtuar me gurë që spikat mbi ndërtesat e tjera të fshatit. Banesa shquhej për elementë të shumtë dekorativë. Tavane dhe musëndra të veshura me dru dhe të gdhendur. Dhomat e miqve me një dekoracion të veçantë. Por kulla ka ngritur sinjalin SOS. Pra pak kohësh edhe pse ajo ishte monument kulture ajo është rrafshuar për tok dhe ka ngelur me një gërmadhë. Bashkë me kullën pesëkatëshe është braktisur edhe fshati nga 205 banorë jetojnë më pak se 30 banorë. Por Gora ka dhe mjeshtrit e saj kështu Pëllumb Sadikllari është mjeshtër i drurit. Ajet Shkullaku njihet si mjeshtër i prodhimit të verës artizanale dhe të rakisë perlë dhe muskat, Fuat Amolli njihet si mjeshtër i kultivimit të Dardhave në Dardhas ku ka marrë edhe emrin e ri fshati. Kostumet popullore të Gorës së grave dhe të burrave janë krejt të veçanta me një bukuri të spikatur dekorative mbi të gjitha krahinat e tjera. Në Gorë ka jetuar ushtaraku Bexhet Fezolli ai tashmë jeton në Tiranë por ai si askush tjetër ka organizuar shoqatën Gora me gazetën e tyre periodike “Gora”, duke zhvilluar veprimtari të shumta kulturore dhe përkujtimore të njerëzve të shquar të kësaj krahine, me tradita që nga Kajo Babjeni dhe Ismail Dërdusha, që me çetat e tyre ju bënë ballë hordhive të huaja që kishin pushtuar vendin… 
Sigal