Bardhyl Berberi: 80-vjet, kolosi i letrave shqipe

882
Pas Pogradecit, ekspozita fotografike kushtuar Ismail Kadaresë ka udhëtuar nga Pogradeci në Ohër, Strugë në Universitetin Europian dhe këto ditë do të udhëtojë edhe 
në drejtim të Prishtinës. Por, nismëtari dhe realizuesi i kësaj ekspozite është studiuesi Vaso Samsuri. Kjo ekspozitë fotografike përmbledh mbi 60 punë të realizuara nga viti 1986 – 2009. Meqenëse ka qëndruar disa ditë e hapur në Pogradec, interesi për këtë ekspozitë ka qenë i madh sepse ekspozita të afron mbresa fotondjesore të strukturave intime të shkrimtarit të madh. Në pamjet që të afron ekspozita, të sjell shënimin e kohës ngrirjen e çasteve të veçanta historike. Dhjetor 1989, Kadare duke zbuluar pllakën përkujtimore të Pallatit të Kulturës, që merr emrin e poetit të madh pogradecar Lasgush Poradecit. E veçantë është, sepse portreti i Kadaresë ka si sfond liqenin, praninë e ujit në Pogradec – Ohër dhe Strugë. Natyra magjike e brigjeve të liqenit me manastirin e Shën Naumit nuk kanë rrezikuar portretin madhështor dhe meditativ të Kadaresë. Kadareja në këtë ekspozitë transmeton një filozofi të vetën, një morfologji dhe një sintaksë tjetër, një “ligjërim” të ri me atë portret aq interesant dhe meditative, ku shfaqet një portret piramidal, me ndjenja madhështore nga manastiri i Shën Naumit, në kishat e Voskopojës, shkrimtari mediton para atyre vlerave të kulturës kombëtare dhe shpesh herë duket si një profet. Vendosja e Ismail Kadaresë në sfondin Lasgushjan dhe Kuteljan, që me artin e tyre, falën përjetësinë me perëndimet e vagëlluara, mbrëmjet si pëlhurë dhe si hije, pasqyrimi i shndritshëm, dergjjet e përgjumshme, vetëtitjet e liqenit në magji, qetësia e tij, zalli i shkretuar, shkrumbi i natës, pritjet metafizike të varkave, janë sfondi i ri i gjigandit të letrave shqipe, përreth liqenit të Ohrit. 

Në këtë ekspozitë shihet një Kadare tjetër intim i qeshur me familjen shokët miqtë me familjen në piknike udhëtime shëtitjet…Shumë shkrepje të aparatit të Samsurit janë shkrepur befasisht dhe shohim një Kadare tjetër që nuk e kemi parë më përpara përjetojmë një ndjenjë krejt të veçantë. Nuk është aspak e rastësishme kjo ekspozitë, në brigjet e liqenit të Ohrit, në kuptim të drejtë dhe të figurshëm me pamjet e befta të liqenit, pasqyra e qiellit dhe e diellit, kalimet ngjyrore nga monokrom të qeta dhe të përgjumura, pamje dramatike dhe me tension, grafika të ndriçuara skenike, çarjet e thella të dritës në thellësi të ujërave të liqenit, bëhet objekt i vëzhgimit dhe hulumtimit të shkrimtarit të madh, që shpesh herë duket si zhytur i tëri në këtë peizazh. Mali i Thatë dhe shqiponja e arratisur lasgushjane, që ndodhet si sfond, duket që kanë krijuar një marrëdhënie me shkrimtarin e madh. Kjo ekspozitë është një grishje për ta dashur dhe për ta admiruar dhe është si një thesar i madh në fondin e artë të kulturës shqiptare, ku në qendër ka gjeniun e madh të letrave shqipe. Kjo ekspozitë dinjitoze, i parapriu monumentit mjeshtrit të poezisë, Lasgush Poradecit dhe ngritjes së monumentit të patriarkut të prozës shqipe, Mitrush Kuteli, që ndodhen përballë buzë liqenit. Të dyja këto monumente janë realizuar nga skulptori i mirënjohur, Muntas Dhrami. 

Poeti i madh ishte njëkohësisht edhe mik i Kadaresë, prandaj në këtë ekspozitë zënë vend edhe një cikël fotosh të dy shkrimtarëve të mëdhenj, në brigjet e liqenit të Ohrit. Në kuadrin e 80-vjetorit të lindjes së gjeniut të letrave Ismail Kadaresë, kjo ekspozitë qëndron në këtë janar të 2016, si qershia mbi tortën e madhe të kolosit të letrave shqipe…Kam pasur rastin, që shkrimtarit të madh, në pozicionin e gazetarit, t`i marr disa herë intervistë, madje në arkivin tim personal kam një intervistë të gjatë në shtëpinë e Kadaresë, pak ditë para 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit… Intervista është e gjatë rreth dy orë të regjistruara në magnetofon. Ndër të tjera, Kadareja në intervistë thekson, se në Kongresin e Manastirit kishte personalitetet më të mëdha të kohës, ishte Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Ndre Mjeda dhe desha të theksoj, thotë Kadareja gjatë intervistës: “Se një popull që e ka të shkruar historinë e tij në letërsi, nuk vdes, sepse historia e mirëfilltë shkruhet nga letërsia”. “Padyshim, se ne shkrimtarët nuk kemi faj që na ra për hise të jetojmë në diktaturë, kjo ishte një epokë e diktaturës dhe le t`i vendosim gjërat në kohë. Jam munduar, thekson Kadareja, që në një vend anormal, të shkruaj një letërsi normale…Ato shkronja, ai alfabet që u krijua në atë kongres, na solli letërsinë e sotme… pa ato shkronja, nuk do të ishim këtu ku jemi… Padyshim, të gjithë ne shqiptarëve na dhemb një gjë se, gjeniu ynë vetëm çmimin “Nobel” ka mbetur pa marrë; Sinqerisht e them troç në këtë 80-vjetor të ditëlindjes së tij, se Alfred Nobeli, nëse do të ishte gjallë, do të ishte ndjerë i turpëruar për mosvlerësimin me atë çmim të Kadaresë, Nobeli realisht ka nevojë për Kadarenë, sepse Kadareja përfaqëson një gadishull, ku hija e urrejtjes gjendet në këtë rajon të trazuar dhe Akademia e Nobelit duhet të kuptojë, se duke nderuar Kadarenë, ka nderuar tërë rajonin e Ballkanit. Më 28 janar, Kadareja feston 80-vjetorin, të mos ndodhi siç ndodhi për 75-vjetorin, që gjithçka kaloj në harresë… Po Ministria e Kulturës a ka një plan te detajuar për ketë muaj dhe padyshim, ky është viti i Kadaresë tonë të madh…
Sigal