Bardhosh Gaçe/ Petro Marko – shkrimtari ynë i magjishëm dhe rebel

2549
Sigal

Sot, më 25 nëntor 2013 është ditëlindja e shkrimtarit të shquar Petro Marko

Këtë nëntor, Petro Marko, shkrimtari ynë i magjishëm e rebel, vjen në botën shqiptare njëqindvjeçar. Ai u lind në brigjet e detit të Jonit, në Dhërmi, më 25 nëntor 1913, në një familje detarësh, që siç e thoshte edhe vetë, “Në djepin e jetës më përkundën rrëfimet dhe legjendat e Bregut dhe dallgët e detit që më hynë thellë në shpirt”. I vetmi shkrimtar shqiptar që la amanet, që të prehet në vendlindje, mes shkëmbinjve e ullinjve, përballë kaltërsisë së pafund të Jonit, për të dëgjuar zërat e të parëve të tij kapedanë e lundërtarë dhe për të përcjellë mesazhet për brezat e rinj. Petro Marko është ngulitur thellë në kujtesën tonë dhe në letërsinë shqiptare. Sipas meje ai është  ndër të rrallët shkrimtarë që nuk e ndan dot në karakter nga vepra e tij letrare, aq e pasur dhe e begatë. Në gjallje të tij, sa herë e takoje, përballë i kalonin një galeri e tërë personazhesh, burrështetas, zulmëmëdhenj dhe viktima të heshtura. Të gjithë ata që pinin një kafe a kuvendonin me Petro Markon, lehtë vëreje se ata bëheshin edhe më fisnik, më të çiltër, ndjeheshin edhe më të lirë. Ishte kënaqësi të kuptoje buzëqeshjen e Petros, ajo çelte në cepin e buzëve si valët e Jonit në Dhërmi. Buzëqeshja e tij përherë shoqëronte edhe ata që i vidheshin syrit të tij ironik, edhe atyre që ndërronin rrugë e trotuare, se i trembeshin lirisë së Petros që dilte nga burgu i radhës. Petroja hynte në burg për të provuar lirinë. Në sytë e brezit tonë, përherë ringjallet Petro Marko, me fatin e vet dramatik që është një roman më vete. Atje në Tiranë, apo këtu në Vlorë, sa herë që vinte i përmalluar, me fjalën ë e tij tërë duf e rebel dallgëzonte jeta e brigjeve të Himarës, gjëmimet e luftës së Spanjës, mërgimet, burgosjet dhe internimet e tij, lufta antifashiste, e mbi të gjitha; ëndërrimet dhe shpresat e njerëzve si kalorës të idealeve humane apo kalorës dashurish. Në jetën dhe veprën e tij letrare gdhendet me mjeshtëri dashuria njerëzore, dashuria ndërmjet popujve, por edhe lufta kundër tiranisë dhe tiranëve.

Jeta dhe vepra letrare e Petro Markos mbartin një humanizëm të thellë, ëndrra të zhgënjyera, fate dramatike, si dhe vizione të gjera për njeriun dhe botën shqiptare. Me prozën e tij ai u bë një nga personalitetet më të shquara të letërsisë shqipe, i cili solli risi në traditën letrare moderne. Petro Marko, si poet, prozator, publicist e dramaturg ushqeu me veprën e vet një art universal e human, të pasur e të larmishëm, hodhi kështu themelet e romanit realist shqiptar, me një poetikë moderne. Në tërë jetën dhe veprimtarinë e tij letrare shpalosi shpirtin e tij të madh njerëzor, karakterin e fortë e fjalën e mençur e emancipuese të letërsisë shqipe. Por përsëri, Petro Marko, në jetën e sotme shqiptare, shfaqet  midis nesh siç ka qenë dikur, siç do të ishte edhe sot midis nesh, siç do të ishte edhe nesër. Është vështirë të përcaktosh nëse shkrimtari merr epërsi mbi njeriun, apo njeriu Petro – me veprën, iluzionet apo botën e thellë e moderne të krijimtarisë së tij merr epërsi mbi poetin e shkrimtarin. Edhe pse mendimi i tij i lirë u gjymtua nën trysninë e regjimit totalitar, ai ushqeu në veprën e vet letrare një art universal dhe human; dashuria për jetën dhe për lirinë, këngëtonin në buzët e  tij, duke shpalosur në hapësirat shqiptare një botë të thellë shpirtërore, që dritëson atë humanizëm konkret e real që u shfaq edhe ndër mjaft autorë të shquar të letërsisë europiane të kohës. Në veprat e tij letrare “Hasta la vista”, “Qyteti i fundit”, “Një emër në katër rrugë” apo “Nata e Ustikës” tablotë e thella e dramatike të jetës shqiptare, si dhe pamjet e tjera mesdhetare, shpërfaqin dashurinë e thellë për njeriun dhe për jetën, me një poetikë moderne. Te romani “Hasta la vista” ngjarjet e personazhet shqiptare të Luftës së Spanjës të çojnë në brigje të largëta mes popujve të tjerë, romani “Nata e Ustikës”  me tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore, përjeton vuajtjet e kampeve të internimit fashist. Në portretet e gdhendura me mjeshtëri vizatohet psikologjia shoqërore dhe karakteret njerëzore mes fatit të tyre tragjik.

Ai tash do t’ishte 100 vjeç. Ndaj neve na duket vetja sikur jemi ulur diku në brigjet e Vlorës e sheshet e Tiranës me Petro Markon dhe po kuvendojmë me të. Kanë kaluar kaq vite e ai ringjallet me botimin e ribotimin e veprave të tij, në rrëfimet e njerëzve, në mendimin tonë kritik dhe letrar, e nxënësit e shkollave dhe studentët e universiteteve që përherë është i dashur me ta. Nuk i harroj kurrë fjalët e tij, një mbrëmje vjeshte, 1987, në Ujët e Ftohtë në Vlorë, ku më tha: “Brigjet e Himarës dhe horizonti i përflakur midis Sazanit dhe Karaburunit më kanë frymëzuar përherë t’i shoh shqiptarët duke fluturuar në qiejt e lirisë e të dashurisë”. Petro Marko – biri i shquar i Dhërmiut të Bregut, nisi të botojë krijimtarinë e vet letrare qysh në vitet ‘30 të shek.XX, atëherë kur poetët e këtij brezi, me në krye Migjenin kërkonin dhe dëshironin të krijonin një fytyrë të re të letërsisë dhe shoqërisë shqiptare.

Në çastin e ndarjes me Petro Markon, para se ky të nisej për në Spanjë, Migjeni ynë i madh i tha: “Do të vija në Spanjë së bashku me ty, po shih si jam ligështuar. Miku im, nisja jote për në Spanjë është poema jote më e bukur…”. Dhe ai udhëtoi si kalorës i lirisë në brigjet e Spanjës duke thirrur: Rroftë Jeta!… Në Spanjë Petro Marko njohu poetët e shkrimtarët e shquar të letërsisë botërore: Neruda, Marlo, Gilen, Nekse, Ludvin Ren, Ehrenburgu, Heminguei, Aleksei Tolstoi etj., prej të cilëve përftoi hapësirat humane të shpirtit dhe të artit të vet.

Spanja i la mbresa të thella Petro Markos. I mrekulluar nga Servantesi, njohja me këtë vend mesdhetar e nxiti të frymëzohet për mjaft motive poetike. Vjershat e tij i mbante në çantën luftëtari antifashist Ramiz Varvarica. Kur ai u vra në betejë, Petrua ia vendosi çantën me vjersha si jastëk nën krye. Andaj në përmbledhjen që përgatiti nën titullin “Lejania” (Largësi e pafund) shkroi: “Varri i vargjeve të mia është larg”, duke i ringjallur përsëri në këtë botim poezitë e lëna në tokën spanjolle. Petro Marko qëndroi pranë shkrimtarit të shquar Ernest Heminguei në Frontin e Kastuerës afër Badajozit në Spanjë, kur ai xhironte betejat dhe luftëtarët e lirisë. Ishin veprat e tij më pas, që e nxitën Petro Markon të shkruante romanin “Hasta La Vista”. Kur e botoi këtë vepër, ia dërgoi Hemingueit me shënimin: “I inspiruar thellë dhe i nxitur nga romani juaj “Për kë bie kambana”, kushtuar vullnetarëve amerikanë që ranë në Spanjë, unë shkrova këtë roman modest, kushtuar shqiptarëve që ranë në Spanjë”. Nuk kaluan veç dy-tre muaj dhe Petro Marko mori këtë përgjigje nga Heminguei: “I dashur Petro! Mora romanin tuaj dhe ju falënderoj. Mjerisht unë nuk e lexoj dot se nuk e di gjuhën tuaj. Vetëm për një gjë jam i sigurt shkrimtari që e do njerinë dhe që vdes për të, shkruan mirë!  Petro Marko – shkrimtari ynë i magjishëm e rebel vuajti tmerret e burgjeve dhe të internimeve fashiste e totalitare, tmerrin e ndalimit të botimit të veprave letrare, persekutimin e familjes dhe të fëmijëve të tij, përjashtimin nga tekstet shkollore dhe universitare, por në kohët e reja, ai sot ringjallet përsëri, pasi vepra e tij është themeli i romanit realist shqiptar, ai i çeli udhët romanit bashkëkohor modernë.

Më kujtohet ai çast, kur mori kopjet e romanit “Nata e Ustikës” dhe shpërblimin nga shtëpia botuese “Naim Frashëri”. Më dhuroi një kopje. Unë iu luta të më vinte një shënim. Ai më futi krahun dhe duke ecur në trotuarin e kafe “Florës” më tha: “Jo, ky nuk është romani im. Romani ka një titull tjetër; “Një natë dhe dy agime”. I kanë hequr agimet dhe kanë lënë vetëm natën…” Pastaj shkuam në sektorin komunal, me gjysmat e lekëve pagoi varrin e Justina Shkupit, të tjerat i futi në zarf dhe unë ia çova Safos në shtëpi… I mbaj mend thellë fjalët e tij, atje në kafe “Tirana”, ku ai tymoste paprerë cigaren: “Justina Shkupi ishte shoqe me Nënë Terezën. Me dashurinë për njeriun dhe lirinë ajo shërbeu në frontin e Luftës së Spanjës si infermiere krahas Norman Betynit të famshëm. Ne shqiptarët duhet t’i ngremë një bust asaj në sheshet e Tiranës…”

Një pasdite, më 12 shkurt 1991, kur ishim duke pirë një kafe në Klubin e Gazetarëve më tha: “Nxirr një fletë dhe shkruaj, kam gjithë natën që bluaj në mendje një shkrim për eksodin tragjik të brezit të ri të Shqipërisë. Pastaj çoja Faruk Myrtajt, se dua ta botoj te “Zëri i Rinisë”. Dhe unë shkrova ato që thoshte ai: “Mbretërit vdesin, po popujt vazhdojnë të jetojnë. Diktatorët vdesin, po popujt mbijetojnë. Një mbret, Luigji XVI i Francës, kishte thënë pasi sundoi si tiran: “Après moi le délunge”. Po populli francez mbijetoi dhe “kiameti” përfshiu dhe përfshin gjithë tiranët. Kur marrim informacion nëpërmjet radios, televizonit dhe shtypit për arratisjen në masë të gjerë të gjermano-lindorëve përmes ambasadave të huaja ose përmes kufirit, duke humbur edhe jetën, deri sa më në fund rrëzuan edhe murin simbolik të turpit që ndante dy Gjermanitë, kjo gjë nuk na habiti, se ata, pas gjysmë shekulli shtypje dhe presione, shpërthyen pa marrë parasysh as vdekjen dhe kërkuan strehim, siç tha dikush, te motra e pasur, që ishte Gjermania Perëndimore dhe kudo tjetër. Ky fenomen na dukej i huaj. Po, kur, që nga korriku i vitit ‘90 e deri tani në Shqipërinë tonë të vetizoluar – një vetizolim që u quajt “rrethimi i egër kapitalisto-revizionsit” – nisi një eksod i pandalshëm dhe tragjik, atëherë besoj se e gjeta arsyen e këtij fenomeni: te vetë forma çnjerëzore e sistemit socialist që falimentoi, dha shpirt në të gjitha vendet e Europës Lindore. Nata që u përcollën jashtë Atdheut pesë mijë djem e vajza të strehuar në ambasadat e huaja të Tiranës, për mua qe një natë e gjatë gjysmëshekullore. Një punëtor, i cili qe ngarkuar, si shumë të tjerë, për të ruajtur rendin krahas organeve përkatëse, të nesërmen më tha: “Gjer sa të vdes, nuk do të më hiqet nga sytë dhimbja që pashë në fytyrat e tyre ngjitur pas xhamave të autobusëve. Familjarët te sheshi i Zogut të Zi në një heshtje mortore përcillnin nga larg zemrat e tyre”. Kjo ishte nisja e eksodit ose më mirë tragjedi e rinisë sonë. Kur mbyll sytë dhe kthehem para korrikut të ‘90-s shikoj qindra të rinj, ulur në trotuare dhe më kujtohet se, si baba që jam, pyeta një grup te shkallët e Muzeut Kombëtar: “Ç’bëni këtu? Ata më panë, dikush ndoshta në heshtje na u përgjigj: “S’kemi krah të fluturojmë, s’kemi të drejta studimi, s’kemi punë…” Kur ishim në të mbaruar të shkrimit, behu në kafe publicisti i shquar dhe miku i Petros, Vangjush Gambeta. Ai, sapo e dëgjoi shkrimin e mori dhe e botoi në gazetën “Republika”. Në romanin “Retë dhe gurët”, me një titull simbolik, autori na përshkruan përmes fakteve të gjalla e shpeshherë tronditëse se si formohet personaliteti i një luftëtari dhe shkrimtari. Këto duhet të jenë të pandara nga njëra-tjetra, duhet të jenë në harmoni me njëra-tjetrën dhe duhet të plotësojnë njëra-tjetrën. Ndryshe veprat që do të shkruhen s’do të jenë aq bindëse, do t’u mungojë lënda e begatë jetësore e personazhet e dalë nga jeta. E gjithë vepra e P. Markos, si dhe romani më i fundit i tij, që nuk arriti të përfundohej e të plotësohej, ka të përligjur këtë të vërtetë të madhe, ka në qendër një shkrimtar me ideale të mëdha, i cili i kushtohet me aq vrull e zjarr luftës së popullit, sa dhe synimeve letrare.

Dy javë përpara se të vdiste, Petro Markoja më tha: “I kam lënë amanet Xhevahir Spahiut, kur të vdes, më varrosni në brigjet e Jonit, në Dhërmi, se edhe në varr do të kuvendoj me brigjet shqiptare të Himarës. Varrin ma bëni me gurë të mëdhenj. Mama Milla më ka thënë, se kur linda unë, një dëborë e madhe kishte mbuluar Vetëtimat dhe brigjet. E di. Edhe kur të vdes, ditë me dëborë do të jetë.”

Dhe ashtu ndodhi vërtetë. Atje në brigjet detare të Dhërmiut më duket se çdo mëngjes e mbrëmje ai ligjëron me vetë shpirtin e tij rebel dhe botën e thellë mesdhetare dhe mërmërit vargjet e tij.

Rrëmbem’ o dallg’ e bukur, si pirati,

Dhe më bashko me kapedanë trima,

Zemër-delfina e t’ashëpr vetëtima.

 

Te kull’ e Jetës ku na shkruhet fati,

Të derdhemi, o dallgë, e ta hedhim n’erë!

Të shoh edhe unë – edhe ne –parëverë!