Barbana Dini: Të mos këndosh live, nuk je këngëtare

145

E bukur, e talentuar dhe inteligjente. Tri veçori që përmblidhen tek këngëtarja shkodrane, Barbana Dini. Motorët e karrierës së saj u ndezën me pjesëmarrjen në Festivalin e Këngës në RTSH në 2004, pas pjesëmarrjes në “Ethet e së Premtes”. Ka shkëlqyer si aktore në filmin “Fluturim pasioni” me regji të Arian Çuliqit, nën ekskluzivitetin e RTVSH. I ati, një shkrimtar mjaft i vlerësuar. I vëllai, kantautor mjaft unik në skenën shqiptare. Më shumë për “Telegraf”, na flet vetë Barbana…

Barbana, përshëndetje! I mungon ekraneve shqiptare. Pse ky pushim?

Kam “munguar” disi në ekrane, pasi jeta ime profesionale është komportuar në intepretimin “live”. Intensiteti i koncerteve dhe angazhimeve të suksesshme nuk më ka bërë ta ndjej aq të nevojshëm marketingun televiziv nëpërmjet videoklipeve, por kjo s’do të thotë që në të ardhmen e afërt të mos ndodhë diçka e tillë.

Mbrëmjeve live nuk iu ndahesh! Përveçse të ndihmojnë të jesh pranë me publikun tënd, a janë dhe një shkollë e mirë muzike për ty, për të mbajtur zërin në formë?


Patjetër që po. Muzika “live” është formimi im profesional. Edukatën e të kënduarit e kam fituar që në moshë të vogël në shkollën e festivaleve ndërkombëtare apo të atij për fëmijë në Shkodër. Të mos dish të këndosh “live” do të thotë të mos jesh këngëtare!

Vëllai yt, Ergi, dallon në muzikën shqiptare me stilin e tij unik. I bëni kritika njëri-tjetrit rreth projekteve tuaja?

Bisedat dhe diskutimet rreth muzikës bashkëkohore, rrymave dhe teknikave të reja të interpretimit, janë pjesë e përhershme e bisedave tona. Ergi është një vokal i rrallë, me një talent të veçantë, por që fatkeqësisht, tregu informal dhe i çoroditur muzikor në Shqipëri, ia vështirëson karrierën. Sidoqoftë, me vullnetin dhe ambicien e tij, ai bën hapa përpara duke sjellë koncepte muzikore dhe origjinalitet në tregun e vjetruar të muzikës së “tallavallizuar” shqiptare.
Vera e sivjetshme të gjen duke pushuar apo duke punuar?
Për këngëtaret, stina e verës është “piku” i punës. Një këngëtar nuk e koncepton dot togfjalëshin “pushime verore” sepse për të nuk ekziston.

Çfarë kritike pozitive apo negative ke ti për këngëtarët sot në Shqipëri?


E vetmja gjë që mund të them është se këtu, këngëtar mund të bëhet kushdo që s’di të këndojë, mjafton të ketë mbështetjen financiare.
Me kë nga këngëtaret shqiptare ke më tepër afrimitet?
Afrimitet dhe miqësi kam me mjaft këngëtarë e këngëtare. S’dua të përmend emra, sepse pavarësisht se jo të gjithë janë të njëjtë për mua në aspektin miqësor, në aspektin profesional ndaj të njëjtën konsideratë pothuajse për të gjithë. Sidoqoftë, shoqëria me Anjeza Brankën tashmë ka vite që vazhdon të jetë e afërt!

Kënga jote e preferuar në repertorin tënd, për të cilën ndihesh krenare që “i ke vënë vulën”?

Repertori im ka mjaft bashkëpunime të realizuara me emrat më të spikatur të muzikës shqiptare, duke filluar nga Flori Mumajesi, Pirro Çako, Adrian Hila etj. Por kënga që unë veçoj dhe e konsideroj monumentale në të gjithë komponentët është “Thërret Prizreni, mori Shkodër”.

Klajd Heta