Bankat e nivelit të dytë, dëmtuan klientët me kontrata të paligjshme

1015
Të dhënat e siguruara nga BIRN, tregojnë se një numër bankash të nivelit të dytë në Shqipëri, përdorin praktika të debatueshme dhe shpesh të paligjshme për t’i detyruar klientët e tyre të nënshkruajnë marrëveshje me dëm ekonomik për ta – ndërkohë që autoritetet mbikëqyrëse bëjnë një sy qorr dhe një vesh shurdh ndaj të drejtave të konsumatorëve. Në vitin 2007 A.G. nënshkroi një kontratë kredie me bankën NBG Albania me vlerë 24 mijë euro, për të financuar blerjen e një apartamenti në Tiranë. Për tre vitet e para, kredia do të kishte një normë interesi fikse vjetore prej 6.25%, ndërsa më pas norma vjetore e interesit do të përllogaritej sipas formulës Euribor+3.75%. A.G, i cili foli në shkëmbim të anonimatit, kujton se pritja në bankë kur shkoi të kërkonte financimin për blerjen e shtëpisë ishte e ngrohtë dhe për 3 vite me radhë ai i pagoi këstet e kredisë në ditën e caktuar në kontratë, duke respektuar me përpikëri marrëveshjen që kishte firmosur. Megjithatë, kjo marrëdhënie ndryshoi rrënjësisht në vitin 2010-të, kur mori një telefonatë nga një punonjës i NBG Albania. Punonjësi i la një takim me drejtuesen e degës, e cila nga ana e saj i kërkoi që ai të firmoste një shtesë në kontratë që e ndryshonte formulën e interesit nga Euribor + 3.75%, në një vlerë interesi fikse vjetore 7.5% – një normë më të lartë se ajo që A.G, kishte paguar deri atë ditë. “Më thanë: Duhet të ndryshosh kontratën sepse kështu parashikohet,” kujton A. G., i cili në fillim refuzoi, por i vënë nën presion dhe kërcënime pranoi të firmoste kontratën e re edhe pse ajo ishte kundër interesit të tij. A. G. tregon se drejtoresha e bankës e pati kërcënuar, se kundër dëshirës së tij banka do ta rriste normën e interesit në 7.5 % dhe nëse ai nuk e paguante do ta raportonte si kreditor të keq.“Në rregull ti e di, ne do ta shënojmë në kontratë që normën e interesit e ke 7.5%, nëse nuk paguan me këtë interes ti do të dalësh kreditor i keq,” kujton ai t’i ketë thënë drejtoresha. “Në fund e firmosa kontratën sepse po më bëhej një presion shumë i madh,” shtoi ai. A.G. nuk ishte i vetmi kredimarrës që atë ditë nën presionin e punonjësve të NBG Albania u detyrua ta ndryshonte kontratën. Sipas tij në degën e bankës tek rruga e Durrësit në Tiranë “kishte një radhë të madhe,” dhe që atëherë ai ka njohur shumë raste të tjera. NBG Albania nuk ju përgjigj një kërkese për koment mbi rastin e kredimarrësit A. G. Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që ajo nuk është e vetmja bankë që i ka ndryshuar kontratat e bazuara në Euribor, por një praktikë e ngjashme është ndjekur gjithashtu nga të paktën tre banka të tjera të nivelit të dytë. Ndryshimi pa miratimin e konsumatorit të kontratave të bazuara në Euribor është vetëm një nga mënyrat me anë të të cilave bankat shkelin rëndom të drejtat e klientëve të tyre. Praktika të debatueshme janë regjistruar edhe me kreditë e lidhura me bonot e thesarit, tarifat e dëmshpërblimit për mbylljen e parakohshme të kredive, si dhe marrëveshjet e ndaluara me noterët dhe kompanitë e sigurimeve. E kontaktuar nga BIRN Banka e Shqipërisë u shpreh se nuk ka konstatuar probleme me kontratat e kredive dhe nuk ka marrë ankesa për to, por megjithatë shtoi se që në vitin 2011, një vendim i Këshillit Mbikëqyrës i detyron bankat e nivelit të dytë të mos i ndryshojnë kontratat e kredisë pa pëlqimin e klientëve. Ndryshe nga Banka e Shqipërisë që nuk e reklamon sportelin e saj të ankesave, Sektori për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik bën fushata ndërgjegjësimi dy-tri herë në vit dhe regjistron qindra ankesa nga konsumatorët-shumë prej tyre të lidhura me bankat. 
Kontratat e lidhura me “Euribor”
Gjatë vitit 2016-të, sistemi bankar në Shqipëri e mbylli vitin me fitim në vlerë 9.27 miliardë lekë, ose 68 milionë euro. Por 2016-ta nuk ishte një vit ideal për bankat, pasi fitimi neto i tyre ka një rënie krahasuar me 2015-ën. Shkaku kryesor për rënien e fitimit është edhe tkurrja e kredisë së re. Pavarësisht kësaj, sipas përpunimeve që kanë bërë institucionet financiare ndërkombëtare në Shqipëri, raporti mes normës së interesit të kredisë dhe depozitës në një vit kalendarik është mjaft i thellë. Që nga viti 2002 deri në 2015-ën, norma e interesit mesatar të kredive është 6% më e larte se interesi mesatar i depozitave, gjë që ul ndjeshëm riskun operacional të bankave në Shqipëri. Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2017-të, flasin për një rikthim të fitimit të bankave, i cili në krahasim me një vit më parë është rritur me 300%. Në periudhën janar-mars bankat fituan 4.8 miliardë lekë, ose 35 milion euro. Pjesën më të madhe të fitimit e ka sjellë zëri “të ardhura nga veprimtari të tjera”, i cili përfshin shërbimin e kursit të këmbimit dhe komisionet bankare. Nga ky zë bankat fituan në tre muaj 17 milion euro ose 2.4 miliard lekë. Për Autoritetin e Konkurrencës tregu bankar në Shqipëri është në kushtet e një konkurrence monopolistike, ndërsa Banka e Shqipërisë thotë se nuk është në tagrin e saj që të vlerësojë konkurrencën në këtë treg. Në raportin vjetor ajo thotë se 70% e aktiveve zotërohet prej 4 bankave nga 16 që numëron Shqipëria. Ndërsa për Shoqatën e Bankave termi “konkurrencë monopolistike”, nuk është koncept ekonomik por frazeologji. Deri më sot sistemi bankar në vendin tonë ka qenë i kërcënuar vetëm nga kreditë e këqija dhe peshën e mospagesës së detyrimeve për to e kanë mbajtur gjithmonë klientët që kanë paguar këstet në rregull. Eksperti Selami Xhepa, Zv/Rektor për Shkencën dhe Metodologjinë në Universitetin Europian të Tiranës dhe studiues i ekonomisë në vite, thotë se rasti ndryshimit pa dëshirën e klientit të kredive të lidhura me Euribor-in është shembulli tipik sesi bankat janë të paafta për të përballuar risqe operacionale, duke i veshur kostot konsumatorëve. Por për të ky lloj biznesi nuk është i ndershëm kur kontratat ndryshohen në formë detyruese.
Normat e interesit bankar, në momentin e ribursimit
Normat e interesit kanë ligjësinë e tyre që është norma e interesit për koston e parasë në momentin që bëhet disbursimi, plus marzhin e fitimit të bankës nga veprimtaria e subjektit që kreditohet.” shton ai. Xhepa sqaron se në këtë fenomen duhet të kishte ndërhyrë Banka e Shqipërisë.“Vetë banka qendrore duhet të ushtrojë presion dhe kontroll për mënyrën se si sistemi bankar i menaxhon rreziqet nga kredia, normat e interesit , kursi i këmbimit,”shton ai.Norma ndër-bankare Europiane, Euribor, është një normë interesi ditore referencë e publikuar nga Instituti Europian për Tregjet e Parasë, e bazuar mbi normën e interesit me të cilat bankat i japin hua të pasiguaruar njëra-tjetrës. Para vitit 2015-të Euribor-i publikohej nga Federata Europiane e Bankave. Në vitin 2007, kur A.G. nënshkroi kontratën e kredisë me bankën NBG Albania, norma mesatare e Eurobor-it ishte 4.1 %. Ndërsa në vitin 2010 kur përllogaritja e interesit nga banka duhet të kalonte nga norma fikse në atë lidhur me Euribor-in, norma mesatare ishte vetëm 0.6 %.Për shkak se banka e detyroi në mes kërcënimeve në vitin 2010-të të nënshkruajë një shtesë kontrate me normë interesi vjetore 7.5 %, A. G., përllogarit se vetëm për atë vit ka paguar 540 euro më shumë. Gjatë viteve të tjera, e gjithë shuma që banka ka marrë padrejtësisht nga ai është mbi 3750 euro, nëse llogaritet me interesin 0.6% të Euriborit, dhe jo me interes më të ulët.“Kisha 6.25% normë fikse interesi 3 vitet e para. Pra, banka realisht kishte fituar në një vit e gjysmë nga ulja e normës së interesit të euribor-it, sepse dhe pse ishte ulur Eurobor-i unë paguaja 6.25%,” shprehet A.G.“Unë i qëndrova kontratës, e kisha fikse 3 vitet e para, fikse e pagova, edhe pse me humbje. Kur erdhi koha të fitoja unë, aty banka ndërhyri dhe më tha jo.” shton ai. Ai kujton, se ditën kur u detyrua të firmoste shtesën e kontratës, dega e NBG Albania kishte një radhë të madhe, dhe shumë klientë janë detyruar të firmosin shtesa të ngjashme kontrate. Metodat e përdoruara nga punonjësit e bankës për t’i bindur klientët nuk ishin aspak ortodokse.“I bënin presion që ta bënin 6 dhe dukeshin sikur i bënin nder dhe po i vinin normë interesi 5%. Ata që nuk pranuan të firmosnin, kontrata lihej në heshtje dhe vazhdonte kësti me 5% interes. Raste të ngjashme me ndryshimin e kontratave kanë bërë edhe bankat e tjera tregtare në Shqipëri: Union Bank, Tirana Bank dhe Raiffeisen Bank. BIRN ka siguruar kopje të kontratave të cilat janë ndryshuar nga bankat në dëm të konsumatorit.Të tre bankat nuk i përgjigjën një kërkesë për koment nga BIRN, megjithatë një punonjëse e nivelit të lartë pranë Union Bank, e cila preferoi të fliste në kushte anonimati, tha se ndryshimi u bë sepse bankat ndryshe do të përballeshin me humbje të mëdha, madje dhe falimentin.“Në kohën që kishin kontrata afatgjata për interesin e depozitave në euro, të cilat ishin dhënë kredi, papritur interesi që merrej për referencë u ul dhe kjo do të sillte edhe një faliment nga ana e bankave,” tha ajo, duke nënvizuar se “bëhet fjalë edhe për kredi 20 milionë euro.”“Rënia e nivelit të Euribori-it, gjeti të gjitha bankat të pambrojtura, ishte diçka që nuk u parashikua dhe për mua ka qenë një gabim i sistemit bankar,” shtoi ajo. Sipas zyrtares së Union Bank, pas rënies së interesave të Euribor-it, banka i kishte ndryshuar të gjitha interesat në euro, por nënvizoi që klientët ishin treguar mirëkuptues dhe nuk ishte përdorur presioni.“Ne kemi ndryshuar të gjitha kontratat në euro dhe klientët janë arsyetuar lidhur me këto ndryshime dhe kanë rënë dakord me bankën,” tha ajo.“Në asnjë rast nuk është bërë presion nga ana e bankës tonë dhe ia kemi shpjeguar klientëve tanë, ata kanë pranuar,” shtoi zyrtarja e Union Bank. Një tjetër burim brenda sistemit bankar i tha BIRN, se Banka e Shqipërisë në auditet e saj nuk i ka pasur në fokus kontratat e bankave me klientët, çfarë mund të shpjegojë pse fenomeni i ndryshimit të kredive me Euribor nuk është raportuar.“Rasti i kontratave të kredive mund të duket shumë i vogël për një auditues, sidomos për ata që vijnë nga Banka e Shqipërisë,” tha ai. “Interesi më i madh është nëse ka rrezik të likuiditetit për bankën dhe sa rrezikohet shëndeti i saj nga kreditë e këqija,” i njëjti burim shtoi.
Sigal