“Baleti po kthehet në teatër ceremonial si Garda e Republikës”

555
Sigal

FORUM/  Sa ndiqet baleti dhe problemet e tij. Flasin: Arjan Sukniqi, Altin Koruti:

Problemet e baletit janë të shumta. Sot dhe pse shohim një ecje përpara të baletit shqiptar, duhet të jemi konkretë, se përveçse në Tiranë, grupe, apo shoqata baleti në qytete të tjera janë inegzistente. Në shumë shtete të zhvilluara perëndimore, baleti është një ndër gjinitë më të zhvilluara të kërcimit, apo të vallëzimit, ndërsa në Shqipëri edhe pse arritjet janë të padiskutueshme, përsëri mund të themi, se kjo gjini kaq e bekuar e kërcimit, nuk ka gjetur vendin e vet. Në shtetet kryesore të Europës, trupat e baletit funksionojnë me kontrata dhe jo me emërime, pasi ato frenojnë zhvillimin. Ka disa mangësi në mënyrën e trajtimit të trupave të baletit në Shqipëri, ku megjithëse ne kemi një ndër shkollat më të mira në rajon, baleti nuk ka zënë vendin që i takon, ende nuk ka atë sukses që balerinët tanë kanë në vendet e tjera ku kanë konkurruar me sukses. Kjo edhe për vetë faktin se x apo y balerinë, në një sukses trupe, përcakton në mënyrë individuale se baleti shqiptar nis me këtë ditë. Këto janë teorizma shqiptare që nuk përballen me kërkesat, shijet, apo rregullat që përcakton bota e qytetëruar.

 Arjan Sukniqi

Problemet e baletit janë ato që ka arti shqiptar në përgjithësi. Në radhë të parë është investimi. Pak po investohet në art, po ashtu dhe në balet. Duhet të dalë një ligj që investimet apo të ardhurat nuk duhet të jepen nga Ministria apo shteti duke e kontrolluar tërësisht institucionin, duke e lënë atë të varur. Me këtë nuk dua të them që shteti të mos kontrollojë, jo, përkundrazi por të zvogëlojë hallkat burokratike. Varësitë nga Ministria, nga Drejtori të veçanta të saj, bën që TOB të jetë në varësi të një sistemi elektoral,  dhe kështu që teatri si pjesë elektorale të bëjë qoka partish. Pra të shoh në dritë të syrit vjen në pushtet që ti jap rrogën dhe jo të shohë artin të lulëzojë. Pra po kthehemi në teatër ceremonial si Garda e Republikës që merret vetëm me to. Kryesorja është se porsa kohë shteti do të investojë me pikatore në drejtim të artit, përderisa ai si jep vendin dhe financën e duhur artit, gjithmonë problemet do vijnë në rritje. Perspektiva duket e trishtuar, pavarësisht iniciativës personale të balerinëve apo artistëve.

 Në rajon a është konkurrues baleti ynë dhe cilat janë vlerat që spikasin?

Absolutisht që jemi konkurrues, për të mos thënë se, në rajon jemi më të mirët. Një kërcimtar i vjetër ka thënë që baleti shqiptar po rrënohet. Ky ish -kërcimtar i “madh” duhet të vijë të shohë shfaqjet, duhet të njohë balerinët tanë kudo në botë. Baleti nuk vjen me një ditë, apo nuk fillon kur të dojë x apo y. Ka të tillë kërcimtarë që mendojnë se, vallja shqiptare ka filluar me ta dhe ka mbaruar me ta. Këta njerëz i gënjen mendja. Ndaj them se, baleti ynë as mund të krahasohet në Ballkan. Baleti shqiptar ka bërë një hop cilësor që në Greqi ndihet shumë.

 Flet balerini Altin Koruti:

 Baleti është art masiv por shumë i vështirë. Jo çdo njeri mund të bëhet balerin. Ka specifika si art. Edhe kërkesat nuk janë të mëdha. Vështirësitë në kushtet e krizës globale rriten. Në Shqipëri ka një trup baleti shumë të mirë, por që edhe kërkesat janë të shumta. Kjo u tregua dhe në përgatitjen e  për baletit “Ëndrra e një nate vere”. Ky balet është mbështetur në veprën e Shekspirit, me muzikë të Mendelson Barthold, dhe në javën e parë të qershorit do të ngjitet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Koreografi dhe regjisori i kësaj premiere Arjan Sukniqi në  provat me trupat kombëtare të baletit,  ka thirrur nga Athina edhe dy primabalerinët më të njohur shqiptarë, të cilët prej 20 vjetësh zhvillojnë karrierën në shtetin fqinj, Greqi. Njëri prej tyre është solisti, apo kërcimtari i parë i TOB të Athinës, Altin Koruti

 Baleti, një profesion shumë i vështirë, por po aq i bukur, si e nise këtë rrugëtim?

  Kam mbaruar shkollën e mesme të baletit këtu në Tiranë, në shkollën “Jordan Misja”. Mbas përfundimit të shkollës së mesme u futa në TOB, ku punova një vit e gjysmë. Ishte koha e ndryshimeve të mëdha në Shqipëri, pra ishin vitet 1990 kur ne sapo përmbysëm një regjim. Edhe unë si shumë shokë të mi kisha dëshirën për të parë më shumë, për të mësuar më shumë, për të ecur më shumë në rrugën e bukur të baletit. Mundësia e parë që m’u dha ishte Athina. Mendova se, do na prisnin mirë, do gjenim punë menjëherë, pasi mendoja se isha i aftë që të pretendoja si balerin dhe në Athinë. Por në të vërtetë nuk ishte ashtu. Greqi vërtet ishte në vitet më të mira ekonomike, por aty kishin zbarkuar nga gjithë bota dhe ishte e vështirë të evidencoheshe që ën fillim. Ashtu si shumë shokë të mi edhe un ën fillim bëra punë të ndryshme derisa mu dha rasti të konkurroja në Teatrin e Operës dhe Baletit në Athinë. Angjelos Haxhis, ishte koreografi grek që më dha ndihmë që më dha orientimet e para. Ai ishte njëkohësisht dhe kërcimtar i parë të baletin e Athinës. Ai më sugjeroi  se si të bëja edicion për të fituar të drejtën që të hyja në TOB të Athinës.

 Të themi të drejtën këto role janë të gjithë të vështirë, kanë të gjithë specifikën e tyre, vështirësitë e tyre. Janë të bukura pasi janë të vështira. Por veten më keq e kam ndjerë tek pjesa “Liqeni i mjelmave”, ku ne e kërcejmë çdo verë në teatrin e hapur “Akropolis” dhe mbaj mend  se kërcimtar i parë, solist ishte Zelencki një kërcimtar nga më të mirët në botë  dhe unë kisha rolin e dytë pas atij, rolin e Shakaxhiut, gaztorit. Tre javë para se të jepja shfaqjen më kap një dhimbje mesi. U mërzita shumë, pasi nuk mund të bëja prova të plota. Kryesorja ishte se këtë rol e doja shumë, por njëkohësisht luaja me një personalitet botëror të baletit. Mjekët më qëndruan shumë afër. U thoja bëni çmos që të mos e le këtë shfaqje në mes. Ditën e shfaqjes u futa përsëri me dhimbjet e mesit, por nga adrenalina shpirtërore dhe nga entuziazmi i publikut, ku në teatrin e hapur kishte 5 mijë veta, më iku komplet dhimbja dhe e nxora rolin të plotë, sikur të mos kisha asgjë. Në fund duartrokitjet nuk kishin të sosur. Lotova nga gëzimi. Ishte një ditë e veçantë e karrierës time të cilën e çova me sukses në fund.