“Babeta shkon në luftë”…me këngë

775
Sigal

INTERVISTA/ Flet këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore, Babeta Shahini

Ajo jo vetëm që ka një emër tepër interesant, por dhe albumet klipet i ka po kaq interesante. Albume të tillë si “Si karamele”, “Kili-Kili” janë mirëpritur së tepërmi duke e kaluar parashikimin e këngëtares. Por ajo sërishmi nuk kënaqet pasi së fundi ka nxjerë klipin e ri “Ti fantazon” që është po aq i suksesshëm sa klipet e parë. Por ajo është modeste sepse deklaron se pjesa më e madhe e suksesit i takon bashkëshortit, kompozitorit të talentuar, Ilir Balla, të cilin ajo e ka njëkohësisht edhe shok dhe mik. Është një çift ideal, ku të dy punojnë dhe ndihmojnë njeri-tjetrin në çdo kohë.

Klipi i fundit “Ti fantazon” ka pasur sukses të jashtëzakonshëm. Si është ndjerë me këtë klip Babeta?

Jam ndjerë më së miri. Kjo për shumë arsye, por ajo më kryesorja është se klipi ka pasur  sukses jashtë parashikimeve të mia. Ndoshta ka ardhur dhe nga titulli intrigues i këngës.

Sigurisht kompozitor i këngës është bashkëshorti juaj, Ilir Balla?

Po. Ajo as që diskutohet. Ne punojmë orar dhe pa orar, punojmë natë e ditë. Tashmë e njohim njeri-tjetrin në detaje. Iliri e di se çfarë këngësh këndoj unë, di gustot e mia, di dhe të metat. Ndaj ai është shumë i kujdesshëm në krijimtarinë që e krijon enkas për mua.

Kjo do të thotë që Iliri kompozon edhe për këngëtarë të tjerë?

Sigurisht. Ndoshta është nga kompozitorët më të suksesshëm të këngës popullore shqiptare. Ai ka dhe studion e tij që punon dhe krijon në mënyrë sistematike. Së fundi ka kompozuar një këngë popullore për këngëtaren Darina Gjebrea. Ngelën të dy palët të kënaqur. Darina është një këngëtare e kompletuar dhe me shumë emër.

A është Iliri xheloz ndaj teje?

Asnjëherë. Ai është një bashkëshort korrekt që di ta dallojë punën, artin, nga familja. Madje ai më nxit për shumë gjëra që unë nguroj. Psh, në disa veshje edhe pse janë disi dekolte, Iliri ja përshtat këngës duke më thënë kjo është veshja që të shkon. Kurrë s’më ka thënë gjë për veshjen.

Cila është veshja juaj e preferuar?

Në ditë të zakonshme veshje sportive. Pantallonat xhinse janë preferenca ime. Ndërsa në spektakle apo në klipe fustane,t dhe sipas rastit edhe minifundet e pranueshme, jo të ekzagjeruara.

Po ti a je xheloze për Ilirin?

Mbase dhe jam, por s’di ç’të them. E ngatërruar kjo pyetje, por di të them që kam një bashkëshort korrekt, që më vlerëson, që më jep forcë dhe ka shumë anë pozitive…Kjo më bën që ta besoj dhe deri diku të mos jem xheloze.

Suksesi dhe shitja e albumit “Si karamele” të vuri para një prove të re?

Po. Ishte një gjetje kompozicionale dhe poetike e albumit. Ishte një album shumë i suksesshëm dhe i kompletuar ku secila këngë ishte më e bukur se tjetra.

Dhe më pas albumi “Kili -Kili” duket shumë intrigues… 

Në këtë album autori  bëri një gjetje origjinale për t’ia përshtatur tregut. Autori i tekstit A. Trebicka, ka mundur të luajë mjeshtërisht me vargun në tërë shtrirjen e tekstit. Pra ishte teksti ai që intrigoi në fillim, dhe më pas erdhën muzika dhe unë si këngëtare. Kjo poezi si fabul ishte një ninullë për meshkujt. Është dhe për të qeshur pasi të gjithë jemi mësuar të dëgjojmë apo të krijojmë ninulla vetëm për fëmijët. Kjo është si metaforë në krijim. Pra, ja e veçanta, një ninullë për meshkujt … Kushdo habitet me tekstin. Një ninullë për meshkujt?! Asnjë nuk ka parë në treg më parë. Lexoni disa rreshta nga teksti:

Çfarë ke shpirti im/Je gjithmonë serioz/ Hajde, zemra ime/ Se kam qejf të loz./ Kili, kili, unë të ngacmoj/ Të gjithë burrat e botës janë njësoj. Besoj se ka humorin, por edhe ngacmimin brenda. Eshë një këngë komplekse dhe e vetmja në llojin e vet. Në brendësi është dhe provokimi femëror ndaj seskit mashkull, pasi në fund të fundit cili është ai mashkull sado serioz,  që nuk do të tundohej nga një provokim femëror? Ky album ka 8 këngë që të gjitha kanë afërsisht të njëjtin nivel artistik. . Për të nxjerrë këtë album kam seleksionuar plot 16 këngë, pra gjys për gjys. Po veçoj disa nga titujt “Zot o zot”, “Gogozheli”, “O ma”, “Bateria Full”, “Çamçakëzi”, janë tituj të panjohur nga veshi i dëgjuesve.

Ky lloj albumi duket si më i veçanti …

E drejtë,  pasi këngët e këtij albumi nuk janë këngë të mirëfillta, karakteristike popullore. Jo! Këto këngë janë si një risi pasi janë një ndërthurje e këngës popullore tipike shqiptare me këngën moderne. Mund të them që është prodhimi i parë shqiptar i këtij lloji. Pra ka folk  dhe modernizëm.

Është e madhe gardëroba e Babetës?

Po. E madhe. Profesioni ynë i ka këto… Çdo vit një dorë e madhe parash hidhen për veshjen. S’ka rrugë tjetër.

Ndoshta është thënë, por ju keni zë të veçantë dhe një emër të veçantë!

E vërtetë. Të gjithë ma thonë këtë. Emri im është emri i një vajze luftarake që e ka zgjedhur im atë nga filmi “Babeta shkon në luftë”.  Një film që ai e kishte shumë për zemër. Kur po rritesha më thoshte shpesh ashtu dua të bëhesh si Babeta. Por në fakt unë nuk jam shumë trime, por jam shumë punëtore.

 Si i keni marrëdhëniet me librin?

Jo aq të mira. Nuk dua të justifikohem ,por s’kam dhe aq kohë, pasi këngë të reja, incizime, aktivitete, koncerte, dasma etj. Tek tuk blej ndonjë revistë për të parë modën, por edhe për të parë botën e thashethemeve për ne artistët. Shumë herë gjejmë gjëra të pa dëgjuara..

Po ti vetë të kanë qëndisur ndonjë thashetheme gazetarët?

Për atë Zot, deri tani jo! Edhe unë jam shumë korrekte dhe nuk bëj lëvizje të tepërta. Po u fute në duart tuaja!…