Nuk është e thënë që të jesh domosdoshmërisht i pasur, njeri i shquar i skenës, apo të bësh një vepër heroike për të merituar vëmendjen e të tjerëve, siç është bërë e modës, sot. Përndryshe, ndonjëherë (për të mos thënë kurdoherë dhe vetëm ata), lipset të pahtësohen pikërisht ata, që me sjelljen e tyre paqësore, dashamirëse ndaj kujtdo në nevojë – pa dallim kombëtar, fetar, apo tjetër – dhe për më tepër në dhé të huaj, nuk kursehen dhe nuk kanë përfitimin për qëllim të fundit. Disa ditë më parë Avni HAFUZI, preshevari siç dëshiron ai, dhe këmbëngul të vetëquhet shqiptar i Preshevës, kremtoi në shoqëri të një niveli të lartë 40 vitet e tij familjare dhe profesionale, që kur është vendosur në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.

Për këtë rast dhe me regjinë e Radio Televizionit të Kosovës – RTK, Avniu ka dhënë një darkë zyrtare – kuzhinë shqiptare, me këtë rast e kanë nderuar Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Budapest, zoti Arian Spasse, Konsulli i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Budapest, zoti Korab Mushkolaj, zoti Bók Mihály (kryetari i shoqatës ’Vám-Jövedéki és Adóügyi Szolgáltatások Szövetsége’), zoti Bertalan Farkas, astronauti hungarez, hulumtues i hapësirës, pilot luftarak, Hero i Republikës së Hungarisë – Këshilltar për Punë të Jashtme, zoti László Szalontai, Ekspert i Politikës së Sigurisë, pedagon pranë Universitetit ’Obuda’, zonja Erika Metzker, nga Departamenti i Politikave të Zhvillimit pranë Ministrisë së Burimeve Njerëzore, zoti Szimon Varga, Kryetar i Nënkomitetit për Pushtetin Vendor, Punëve të Jashtme dhe Buxhetit në Parlamentin Hungarez, zoti Uk Halilaj, Organizator dhe Themelues i Olimpiadës së Fëmijëve të Diasporës Shqiptare në Europë, si dhe shumë bashkëkombës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Presheva.

Avniun e mirë dhe të gjendur e njohin shumë prej nesh, ashtu siç rrallëkush mund të ketë ndonjë brengë, apo kërkesë të papërmbushur ndërsa është gjendur në Budapest për të kaluar disa ditë shlodhëse (qyteti i duhur për ta bërë), apo për ta tejpërshkuar, për më në veri të Europës. Dëshmitarët për këtë, nuk mund të mos kujtojnë Avniun si agjent turistik, udhërrëfyes i atyre që kanë qenë në rrugën e gabuar, apo se si shumë djem të ardhur nga zona e Hasit (bukëpjekës të lindur dhe duar-artë, do ta kishin thuajse të pamundur, apo të vështirë pa Avniun, të ngrenë bizneset e tyre të suksesshmë në shumë qytete të Hungarisë. Puna e tij mbështetëse në mbrojtjen e interesave të bashkëkombësve tanë, nxitjen e ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe, por edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes Hungarisë dhe Shqipërisë, kanë qenë ndër arsyet përse shteti mëmë, Shqipëria, i ka besuar atij detyrën e Konsullit të Nderit për Qytetin Pécs dhe krahinën përkatëse, ashtu siç institucioni i lartë i Presidentit të Republikës e ka vlerësuar me ’Medaljen e Mirënjohjes’, si edhe me çmimin ’Kalorës i Flamurit Shqiptar’. Avniu është gjendur në Hungari në vitin 1978.

Si fëmija i dytë ndër 6, nga një familje preshevare me të ardhura të pamjaftueshme, niset të kërkojë një fat më të mirë drejt Europës, me një rrugëtim fillimisht drejt Italisë dhe, më pas, për të përfunduar në Hungari. Ishte koha kur, në Hungari, gjendja politike dhe ekonomike ia lejonte dhe mundësonte tregtinë, me të cilën nisi veprimtarinë sipërmarrëse. Pas 3 vitesh që ndodhej në Hungari, në vitin 1981 do të zhvendoset për pak kohë në Austri dhe ai vit është shumë i veçantë për të, sepse pikërisht atëherë ka kurorëzuar bashkëjetesën me shoqen e tij të jetës, e cila është hungareze; janë ende bashkë dhe përjetojnë një martesë të lumtur dhe janë prindër të 5 fëmijëve të mbarë dhe dashamirës: Avnijeta, Fatimja, Avniu (i riu), Henrieta dhe Albini.

Në vitin 1990 Avniu kthehet në Hungari dhe, me kursimet nga puna në Austri, mundi të ngrejë ndërmarrjen e parë të pajisjeve elektronike.

Si sipërmarrës, ndërsa shoqëronte mallin nga jashtë vendit, është takuar shpesh-herë me punëtorët e doganës dhe, kureshtar e i interesuar për punën e tyre, i lind dashuria për profesionin e doganierit. Në vitin 1993, Avniu ngre ndërmarrjen doganore dhe logjistike, qujtur ’A&M Vámügynökség Speditőr Logisztikai és Terminál Kft’, që ka qenë e treta dhe njëra nga kompanitë më të mëdha në Budapest.

Për ata që nuk e dinë, nis – shkronjat A&M në emërtesën e ndërmarrjes, i përkojnë A për Albánia – Shqipëri dhe M për Magyarország.

Në profesionin e doganierit, si anëtar aktiv  i shoqatës së doganierëve hungarezë ’Vám-Jövedéki és Adóügyi Szolgáltatok Sövetség’ ka arritur ketë një emër të besuar. Fillimi ka qenë i vështirë për të si shqiptar; edhe në vazhdim ka pasur kohëra të vështira, kryesisht prej origjinës. Por, me punën dhe sjelljen e tij, ka mundur të bindë Qeverinë Hungareze, se, edhe pse i huaj, mundet të punojë qetësisht, duke respektuar rregullat e shtetit dhe të lëmisë doganore. Jo rastësisht, Drejtoria hungareze e Doganave dhe e Financës ia ka vlerësuar punën, disa herë, me mirënjohje profesionale. Me një familje të sigurt në krah, por edhe me përkrahjen e miqve, ai sot ka mundur të plotësojë ëndrrën e tij të kahershme që të tjerët të kenë një jetë më të mirë. Ka ndihmuar kudo ka mundur dhe këdo në nevojë. Për bamirësinë e tij Avniu ka fituar mirënjohje të shumta, ndër të cilat bien në sy: Kryqi i Tretë që ’Urdhëri i Paqes’ i Hungarisë i ka dhënë, mirënjohje shumë e çmuar për qytetarët hungarezë; disa komuna dhe bashki: Baranya, Komló; Somogy, Nagyatád dhe Soroksár e Budapestit e kanë vlerësuar me mirënjohje të këshillave përkatës.

Ndërmarrja e Avni HAFUZIT ka qenë po aq e dobishme, sa edhe shumë ndërmarrje të huaja me famë botërore që ndihmojnë trupin diplomatik në Budapest, në veprimtaritë bamirëse për të pastrehët, fëmijët jetimë, të moshuarit, apo ata me aftësi të kufizuara. Diku me veshmbathje, duke gjetkë me një sobë elektrike, apo tjetërkund me frigorifer, Avniu përfaqësuar denjësisht shqiptarët ndër bamirës ndërkombëtar.  Kryesisht për veprimtarinë e tij bamirëse, Avniu është emëruar krye-drejtues i ’Magyar IJKA Karate Szövetség’ (shoqata e karatesë) dhe Kryetari Ndërkombëtar i ’IJKA’, si mbështetës i olimpiadës së të rinjve. Edhe pse i huaj dhe jo i përkatësisë katolike, Avniut i është mirëbesuar anëtarësimi i ’Visegrádi Szent György Lovagrend’ (Kalorës i Shën Gjergjit të Visegrádit), madje duke ndryshuar rregullat, posaçërisht për anëtarësimin e tij.