Aurora Ndoj: Muzika, një ëndërr që filloi realizimin e saj që në fëmijërinë time…

555
Buzëqeshja, thjeshtësia dhe padyshim, çiltërsia e këngëtares Aurora Ndoj të krijon hapësirë komunikimi. Ndryshe nga skena, në bisedë, zëri i saj është i butë, i qetë dhe fjalët, të zgjedhura. Në skenë potente, me zë që njihet sapo nis të këndojë, ajo është një nga bilbilat e muzikës shqiptare dhe më konkretisht, e trevave të veriut. Besnike e këngës së mirëfilltë popullore shqiptare dhe një artiste e kompletuar, ajo të bën ta dëgjosh me vëmendje në skenë dhe natyrshëm, në bisedën që realizuam me të për gazetën tonë !
-Ke shumë këngë dhe klipe, por unë do të doja të ndaleshim pak te klipi i fundit, ‘Bota jemi unë e ti’. Si erdhi ky klip, kush e realizoi këngën, me pak fjalë më thuaj bashkëpunëtorët e këtij projekti?
Po, klipi im më i fundit titullohet ‘Bota jemi unë e ti’, një bashkëpunim me këngëtarin Eri Qerimi. Klipi është një prodhim i ‘Musical’ TV dhe është realizuar nga Alban Arifi dhe Aleksandri.

-Cilat janë studimet e Aurorës ? 
Unë jam diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin Shtetëror të Tiranës.
-Si qëndron raporti midis punës, vlerësimit moral dhe atij monetar të një këngë që ti realizon dhe më pas, e këndon për publikun ? 
Unë mendoj se të investosh për veten është gjëja primare në karrierë, por zgjedhjet që ne bëjmë në produktin muzikor që linçojmë, duhet të jenë shumë të kujdesshme, pasi ato e tregojnë rezultatin final.

-Jeta profesionale shkon mirë, po për atë private çmund të na thuash? 
Jeta private shkon po aq mirë. 

-Më konkretisht, a ka një dashuri në jetën e Aurorës ?
 Po, jam e dashuruar dhe shumë e lumtur.
-Çfarë mbani mend nga fëmijëria juaj ? 
Mbaj mend që kam qenë pjesëmarrëse në festivalet e Beratit dhe Gjirokastrës, soliste. Muzika ishte një ëndërr që filloi realizimin e saj që në fëmijërinë time.

-Familja juaj përbëhet nga…
Prindërit e mi, katër vëllezërit e një motër, nipa e mbesa. 

– Tre cilësi që ju karakterizojnë…
E sinqertë, këmbëngulëse dhe vetvetja…

-Shoh që i kushton rëndësi kurimit të imazhit… E bën vetë apo ia le në dorë të tjerëve? 
Nuk jam shumë e dhënë, por zoti më ka mbajt me hatër (buzëqesh). Gjithçka është gjenetike dhe natyrale.

-Je ndër këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar, për sa i përket gëzimeve të tyre familjare. A ndihesh e privilegjuar? 
Ndihem, madje shumë e privilegjuar, sepse është kënaqësi më vete të këndosh dhe të shikosh gëzim tek familjet shqiptare, qofshin ato brenda apo jashtë kufijve.
– Ke një peng, një dëshirë që nuk të është plotësuar ? 
Unë nuk pendohem asnjëherë për gjërat që bëj. I mendoj shumë mirë, ndaj nuk kam ndonjë peng. Nuk kam gabuar diku, nëse ka ndodhur diçka që nuk ka shkuar si duhet, mund të jetë faji i të tjerëve ndaj ua le të tjerëve brejtjen e ndërgjegjes. E ndiej veten të realizuar dhe jam e lumtur. 

-Kujt i jeni mirënjohëse për çdo gjë që keni arritur në jetë ? 
Mirënjohja e parë është ndaj zotit dhe familjes sime që më kanë përkrahur gjithnjë, sepse e vetme nuk do të arrija suksesin. Miqtë janë gjithashtu një mbështetje e rëndësishme dhe dashamirësia e tyre më bën t’i jem mirënjohëse. 
-Le të fantazojmë pak, ku e sheh veten pas dhjetë vitesh ? 
Unë nuk jam tip që i planifikoj gjërat, por i fantazoj në kokën time dhe ashtu më shkojnë. Kjo ka të bëjë me energjinë pozitive të njeriut dhe deri më tani, Zoti mi ka sjellë gjërat siç kam dashur. Këtë vit e shoh veten në karrierë, me këngë e klipe të reja. 
-A ke frikë nga plakja? 
Jo, nuk është se e mendoj këtë gjë dhe prandaj nuk kam frikë. 

-A ka Aurora ndonjë sekret ende të pathënë që ta ndajë më lexuesit tanë ? 
Nuk kam sekrete, por dua t’ju them se jam e lumtur që nëpërmjet kësaj interviste më bëtë pjesë të ‘Telegraf’, e duke ju falënderuar pamasë ju uroj një dimër të bukur…ushqehuni mirë dhe dëgjoni muzikë të mirë..!

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 05.12.2015
Sigal