Aurel Thëllimi: Puna në teatër, përgjegjësi e madhe

748
Aurel Thëllimi është personazhi i rradhës në rubrikën “Tendenca Verore”. E ndan jetën artistike mes Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, skenës së festivaleve, videoklipeve, e deri në ambientet ku këndon “live”. Për eksperiencën pothuajse 2 dekadëshe, Thëllimi ka folur për “Telegraf”

Aurel, përshëndetje! Brenda një harku 2-vjeçar ke arritur të sjellësh 3 hite tepër të suksesshme. Ke qenë skeptik për pritshmërinë e publikut para se të konfirmohej suksesi?

Normalisht jam pak skeptik, sepse tek ajo që bëj futen ndjenja dhe logjika, dhe do doja që ai emocion pozitiv të përcillet dhe tek shijet e tregut.

Me profesion prezantohesh si këngëtar. Të vlen më shumë puna në Teatrin e Operas dhe Baletit, apo puna në ambiente familjare dhe rinore?

Të dyja kanë emocione shumë të kundërta. Është emocion pozitiv të këndosh për njerëzit, sepse e “prek” nga afër spektatorin, e veçanërisht kur “shkrihesh” e këndon me ta. Puna në Teatrin e Operas dhe Baletit është përgjegjësi shumë e madhe. Është punë e studiuar dhe kolosale, pasi ke mbikëqyrës, siç janë regjisori dhe dirigjenti. Të kesh rolin e një personazhi, duhet të dish si ta zbërthesh atë! Jam detyruar të luaj rolet e një personazhi të një kohe të caktuar dhe të një moshe të caktuar. Përgjegjësia është e madhe, sepse spektatori që të dëgjon është një individ që e njeh mirë muzikën, kompozitorin, partiturën, dhe duhet të jesh i saktë!

Sapo ke mbyllur pjesëmarrjen në Maratonën e Këngës Popullore, ku publiku vlerëson me duartrokitje. Mendon se “e kalove fazën”?

Unë e kam kaluar me kohë “fazën” pasi jam një këngëtar i afirmuar, por për mua Maratona ishte një kënaqësi, pasi kalova disa ditë shumë të bukura me miq të mi këngëtarë atje.

Ke debutuar në skenën shqiptare në vitin 1998. Duke marrë parasysh që në Shqipëri sapo kishin mbaruar trazirat, çfarë kujton nga ai vit në festival?

Në atë periudhë, kushtet kanë qenë të vështira për të bërë muzikë të bukur, sepse diskutohej problemi nëse festivali do bëhej “live” apo me “playback”. Ishte një evolucion në marrëdhënie me tregun. Koha kishte ndikuar, sepse ishim të tkurrur dhe më të ngurtë për të bërë atë që donim.

Koha jote është shumë e limituar. Arrin t’i japësh vëmendje maksimale familjes, bashkëshortes dhe fëmijëve?

Partnerja ime punon me mua në Teatrin e Operas dhe Baletit. Nga 24 orë që ka dita, vetëm pak orë janë ato larg partneres, në momente që unë dal me shoqërinë. Mundohem t’i bëj mirë të dyja “rolet”.

Përveç familjes, je dhe pjesë e një familjeje tjetër, asaj të këngës “S’ka si ne”. Marrëdhënia me pjesëmarrësit e tjerë në këtë hit të 2016-s?

Blerina, Anxhela dhe Eriku, në rradhë të parë janë miq shumë të mirë, pastaj kolegë! Kënga “S’ka si ne”, përveçse na lidhi shumë me njëri-tjetrin, na afroi dhe si miq, duke dëgjuar dhe mësuar nga njëri-tjetri.

Projekti i radhës nga Aureli?

Po afron fillimi i sezonit në Teatrin e Operas dhe Baletit, në të cilin nuk e di ç’më pret, duke u nisur dhe nga mungesa e drejtorit, që bën pak dilematike ardhjen e pasuesit të tij, duke marrë parasysh programin që do vihet etj. Është pak stresuese, sepse nuk e dimë çfarë na pret. Të tjerat i lëmë surprizë.

Klajd Heta
Sigal