“Aulona Interfolk”, Festivali që mbushi një dekadë

1106
Sigal

Mbrëmja e vonë e datës 14 maj, do të shënonte edhe finishin e Edicionit të 10-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona International Folk Festival”, që u zhvillua për tre netë me rradhë.  Ky edicion, i pazakontë, i ndryshëm nga paraardhësit, mblodhi mijra qytetarë vlonjatë, që përjetuan atmosferën festive të krijuar nga folklori më shumë se evropian, nga ngjyrat e kostumeve, ritmi dhe bukuria e valleve dhe këngëve popullore të ansambleve nga vende të ndryshme të Evropës dhe nga Kina e largët.  Festivali “Aulona Interfolk”, që shënon edhe startin e sezonit turistik në Vlorë, u shndërrua edhe në këtë edicion, në mjedisin ku mblidhen dhe gërshetohen traditat e popujve, ku shkëmbehen kultura, ku, muzika është gjuha e vetme dhe aq e kuptueshme për artistë që vijnë nga skaje të ndryshme të kontinentit dhe më gjerë

-Nata finale-

Edicioni i 10-të i Festivalit, përcolli këto mesazhe. Gara ishte vetëm simbolika formale,  pjesa e strukturës së një aktiviteti të tillë që, u finalizua në natën finale. Ansambli “Epirus”, nga Selaniku(Greqi), u shpall fitues i Edicionit të 10-të të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”.  Mes të gjitha grupeve pjesëmarrëse, që u përfaqësuan me vlerat e traditave shpirtërore të folklorit nga vendet dhe trevat e ndryshme nga Ballkani, Evropa e Azia, artistët nga vendi fqinj u vlerësuan më të mirët. Në një atmosferë festive, në skenën e Festivalit që, ndryshe nga edicionet paraardhëse, ishte vendosur në një hapësirë moderne e funksionale përgjatë “Lungomares” se re të qytetit, Kupën e Edicionit të 10-të e dorëzoi Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Duke përshëndetur fituesit e këtij aktiviteti dhe të gjitha grupet pjesëmarrëse në Festival, si edhe artdashësit e shumtë, ai veçoi vlerat e këtij festivali, të cilin e cilësoi një aktivitet jo thjesht të përmasave ndërkombëtare, por një mundësi njohjeje dhe bashkëpunimi për të përcjellë imazhin e Vlorës në botë. Ai tha se, në këtë festival gërshetohen kulturat dhe pjesëmarrësit njohin e mësojnë traditat respektive. “Ashtu siç është ky Festival, e tillë është edhe Vlora jonë, e cila do të donim të ishte e të gjithëve, e juaja, njerëzve dhe të afërmve, miqve e bashkëkombasve tuaj”, u shpreh ai, ndërkohë që i ftoi artistët pjesëmarrëse nga vende të ndryshme, të vijnë në Vlorë edhe në të ardhmen. Ansambli “Epirus” nga Greqia, u përfaqësua me një repertor të pasur, ku përfshiheshin këngë dhe valle nga treva të ndryshme të vendit fqinj, mes të cilave edhe vallja e njohur “Zorba”, apo “Çamiko” etj. Juria e Festivalit, nderoi me Kupën e 10 Vjetorit të “Aulona Interfolk”, Ansamblin nga Quanzhou(Kinë), “Minnan Folk”. Është hera e parë që në këtë Festivali Folklorik Ndërkombëtar, por edhe në aktivitete të tjera të ngjashme që zhvillohen në Shqipëri, merr pjesë një grup folklorik nga Kina.

-Festivali, si një dimension shpirtëror dhe vlerash-

Për tre netë me rradhë, ky aktivitet, që është shndërruar tashmë në një traditë, mblodhi qindra mijra artdashës, qytetarë, vizitorë e turistë të huaj, që ndodhen në qytetin e Vlorës, duke krijuar një atmosferë tepër festive përgjatë “Lungomares”. Në ndryshim nga edicionet paraardhëse, skena e këtij festivali u vendos në një mjedis të hapur, funksional e modern, pranë kësaj shetitoreje, i konceptuar dhe përshtatur për aktivitete kulturore, sipas një projekti bashkëkohor.  Në të morën pjesë 10 ansamble folklorike nga vendi dhe bota, mes të cilëve, “Epirus”, Selanik, Greqi, “Minnan Folk”, Guanzhou, Kinë, “Lidhja e Prizrenit”, Kosovë, “Kremikovci”, Sofje, Bullgari, “TDA Dizdancis”, Jelgava, Letoni, “Çitta di Orosei”, nga Sardenja, Itali, “Toplan”, Giraltovce, Sllovaki, Ansambli “Krahu i Shqiponjës-Taip Madani”, Vlorë, Grupi Polifonik i Dukatit, Vlorë, Ansambli “Vaçe Zela”. Në dy netët e para të këtij aktiviteti, grupet pjesëmarrëse performuan nga repertori i tyre, ndërkohë që, në natën e tretë, u interpretuan pjesë të zgjedhura. Mes risive të Edicionit Jubilar të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona Interfolk”, ishte përfaqësimi për herë të parë i një ansambli nga një vend aziatik, siç ishte Kina, si edhe vendzhvillimi i këtij aktiviteti në një hapësirë përgjatë “Lungomares”. Gjithashtu, prania e Ansamblit “Çitta di Orosei” nga Sardenja, që u mundësua me mbështetjen e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, u vlerësua mjaft nga specialistët, të cilët veçuan karakterin thellësisht burimor të folklorit që ata prezantuan. Këngët polifonike sarde, apo instrumentat muzikorë si Launedat, një flaut antik i vjetër 3000 vjeçar me origjinë etruske, me dy gypa të mëdhenj dhe një më të vogël, punuar me dorë, një tambur i veçantë i bërë me dorë, me lëkurë të vërtetë që ngrohet me ajër përpara se të përdoret, apo kërcimi “bricu” dhe “passo” torrado, që janë valle tradicionale që ngjasojnë me valet ballkanike, ose hapat e valles shqiptare, tërhoqën vëmendjen e organizatorëve dhe u pëlqyen nga publiku. Po ashtu, u pëlqyen edhe vallet ritmike letoneze, sllovake e bullgare, ndërkohë që u përcollën me ngrohtësi  interpretimet e grupeve të Dukatit etj. Prania e këngëtarëve të njohur Besiana Mehmedi nga Maqedonia e Shkodran Tolaj, nga Kosova, u dhanë gjallëri të veçantë netëve të festivalit, ku shkëlqeu gjithashtu prezantimi i Silvana Braçes, e shndërruar në një ikonë të “Aulona Interfolk”.

-Kryebashkiaku Dritan Leli, pritje zyrtare për ansamblet pjesëmarrëse-

Përfaqësuesit e grupeve pjesëmarrëse, u pritën në një takim të veçantë edhe nga Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili i falenderoi për pjesëmarrjen në Festivalin “Aulona Interfolk”. “Me shumë përulësi mund të them që, unë, si përfaqësues i Bashkisë së Vlorës, si përfaqësues i qytetarëve të Vlorës, jam i nderuar që, në këtë qytet, janë mbledhur kaq shumë artistë të vlerave të traditës, që përcjellin folklor dhe, përmes tij, kulturë, në të gjitha trevat dhe vende të ndryshme”, u shpreh ai, ndërkohë që, garantoi se do të vijojë të mbështesë këtë aktivitet të përmasave ndërkombëtare, si një vlerë e vërtetë për qytetin. Kryebashkiaku, Dritan Leli, ishte mes festivalistëve edhe në performimin e tyre dhe në foton e realizuar në Monumentin e Pavarësisë në Sheshin e Flamurit, si edhe në sheshin “Tri Racat”, ku ai përgëzoi pjesëmarrësit, ndërkohë që vizitoi edhe mjediset e Panairit të produkteve lokale, ku falenderoi Agjencinë e Zhvillimit Ekonomik Lokal, AULEDA, që u bë pjesë e Ditëve të Festivalit.

-Konsullja e Italisë, Znj. Luana Micheli, ceremoni zyrtare-

Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Znj.Luana Micheli  dha një pritje zyrtare për Ansamblin e Sardenjës “Çita di Orosei”, si dhe përfaqësuesit e grupeve të tjera pjesëmarrëse. Në këtë ceremoni, që u zhvillua në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë, Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli dhe Drejtori i Përgjithshëm i Festivalit, vlerësuan kontributin e zonjës Micheli, për mbarëvajtjen e Edicionit të 10-të të AIFF dhe aktiviteteve të tjera në qytet. Nga ana e saj, Konsullja Micheli, citoi se, aktivitete të tilla i shërbejnë njohjes së kulturave respektive. Ajo u nderua me Çertifikatën e Mirënjohjes.

-Breshani: AIFF, në mbështetje të turizmit-

Për kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Rajonit të Vlorës, Arben Breshani, Festivali “Aulona Interfolk”, është një nga ato ngjarje që i shërbejnë veç të tjerash, zhvillimit të turizmit në Vlorë dhe, sikundër deri tani, do të mbështetet edhe në vazhdim nga komuniteti i biznesit.

Harilla Koçi