Atleti Pistorius dënohet me 6 vite burgim për vrasjen e të dashurës

536
Atleti olimpik nga Afrika e Jugut, Oscar Pistorius është dënuar me 6 vite heqje lirie për vrasjen e së dashurës së tij, Reeva Steenkamp, në vitin 2013.
Vendimi i gjykatës vjen pas ndryshimit të akuzës, pasi fillimisht ai u dënua me 5 vite burgim për vrasje pa paramendim, ndërsa më pas në dhjetor të vitit të kaluar akuza u ndryshua në vrasje pas apelimit. Ai është dërguar menjëherë në burg pas dhënies së vendimit paraditen e kësaj të mërkure, e megjithatë sërish i jepet mundësia, si prokurorisë ashtu dhe mbrojtjes, që të apelojnë.
Pistorius, 29 vjeç, qëlloi 4 herë me pasojë vdekjen të dashurën e tij Reeva Steenkamp, teksa kjo gjendej pas derës së mbyllur të tualetit në shkurt të vitit 2013. Ai pranoi se e kishte qëlluar atë, por tha se kishte menduar se ishte një hajdut që kishte hyrë në shtëpinë e tij dhe se kishte vepruar në kushtet e të qenit i frikësuar. Në seancën e sotme prej rreth një ore, gjykatësi Thokozile Masipa tha se, pavarësisht rrethanave lehtësuese si rehabilitimi dhe keqardhja e tij, rrethanat rënduese peshojnë më shumë ndaj dhe ai dënohet me 6 vite heqje lirie, nga 15 vite burgim që parashikohet për vrasje.
Sigal