Astrit Çerma: Lufta dhe paslufta

72
Lufta?! Si ore s’është bërë luftë? Hë. Është bërë që… Ç’të them??!!.. Po…Hë. Unë e di ç’kam hequr për të rrëfyer si veteran luftën që më 44-ën e këtej. Hë. Unë e di, të keqen vëllai, si e kam vërtitur për të mos ma…vërtitur…Hë… Unë e di…Ja: Më 1944, gjermano-ballistët po afroheshin me shpejtësi. Urdhri erdhi i prerë: Të mbahen dy orë sa të lëviz te spitali partizan. U caktuam ne të 9-të. Te gryka Kadriu mitralier bashkë me Pilon ndihmës, zunë shkurret. Toli me automatik dhe Gjini me granata pas murrizit. Alushi me tyt-gjatën rrëzë plepit. Zykua me dykëmbëshin në pozicion tek ulluku. Fatriu me patickën tek trapi. Myrtua nën gëmushë. Unë tek vrima për teposhtë. Ç’të them? Hajde luftë, hajde… Luftë e madhe… Erdhi urdhri, u prapsëm… Ja, kështu, ja… Po, do ti.. Më 51-in Fatriu shkau nga Titua i Jugosllavisë edhe firaksi. Gjinit me 53-in, seç ju kruan brinjët andej nga kufiri dhe nuk u bë më i gjallë… Ç’të thoja më 54, në 10 vjetorin e betejës?! Le që kush të linte xhanëm të thoshe ato që duheshin thënë? Hë. Bëra si bëra dhe nga 9 që ishim më 44, i bëra 7 me 54… Po, na erdhi 64-ra… 20-vjetori të keqen vëllai bashkë me sukseset madhështore, patëm edhe humbje. – Nuk u bën të gjallë me Pilua dhe as Myrtua. Të parin e mori ne qafë Stalini, ndërsa te dytin gradat. Morën në qafë edhe ç’i mbante trau i shtëpisë edhe më tej. Eeee. Ja, kështu. Bëra si bëra dhe ç’të bëja? – Rrëfeva rrëfimin.- Gjermano-ballistët po afroheshin me shpejtësi. Urdhri erdhi i prerë: Të mbahen dy orë. U caktuam ne të nëntë..të shtatë…Hë…Ne ore: të 5…Te gryka Kadriu mitraljer bashkë me Pil …Lëre.., ndihmës, zunë shkurret. Toli me automatik dhe Gjii…Ai…Oiii..me granata pas murrizit. Alushi me tyt-gjatën rrëzë plepit. Zykua me dykëmbëshin në pozicion tek ulluku. Fat..Ha-ha e He, he….me patickën tek trapi. Myrt…Yh…Eh, Uhh… nën gëmushë. Unë tek vrima për teposhtë. Ç’të them? Luftë e madhe…Erdhi urdhri, u prapsëm… Me 70-dhjet e përpjetë u zbulua se Zykua bënte çu-çu-çu me Mao Ce Dunin, për të tharë puset e naftës. Eee…Mirëpo..U tha vetë, thau dhe rrënjë e degë te fis e stërfisit. Ndërsa Toli zgjati leshtë e kokës, u vesh “zving” e plluq e plluq me liberalizmin dhe…vajti në hale të gomarëve me kërriç e stërkërriç. Me 82-83 imperializmi amerikan hëngri Kadriun. Alushin, që s’e hëngri dot nga topi, e hëngri gopi…nga bridhte qerratai…Jaaa, kështu. Kështu…Ç’të them???… Mos më nga… Me ‘84, në përvjetorin e 40 u katandis kokoshi një thelë…Eh… Mbeta unë … – Gjermano-ballistët po afroheshin me shpejtësi. Urdhri erdhi i prerë: Të mbahen dy orë. U caktuam ne të nën… të shta… të pes… të, tre. Jo, ore… Eh, deh more, deh. UNË… demede… Fap tek e gryka mitraljer e më të kërcyer tek shkurret me automatik si ndihmës, o burra me granata pas murrizit, bam e bum me tytgjatën rrëzë plepit, tek ulluku dykëmbëshin në pozicion e paf, paf me patickën tek trapi nën gëmushë, deri sa u hodha në sulm tek vrima për teposhtë… Ja kështu, jaaa. Hajde, lufte, o të keqen, hajde… Ore… Erdhi urdhri pa u prapsa se… He, he…Po pse, mbeti me kaq thua ti? Jo ore, jo… Më 93-94 ashtu erdhi meseleja dhe do ti…mu sulën gjermanët dhe ballistët dhe…më dhjenë edhe mua… Si e qysh? Ehh, lëre mos e nga… Ç’të them???? Edhe në them…Çë?… Më 1994 e më tej, mua, që e kisha rrëfyer rrëfimin për 45 vjet mu ngritën ballistët e “ma rrëfyen”…rrëfimin. – Komunisto – Partizanët po afroheshin me shpejtësi. Urdhri erdhi i prerë për gjermano-ballistët: Të mbahen dy orë. U caktua… Cak-cak, d.m.th-ne… Bam tek gryka me atomatik, bum tek shkurret, me granata, o burra pas murrizit, me tyt-gjatën, varda rreze plepit me dykëmbëshin drejt ullukut, e paf-pyf paticken tek trapi, nën gëmushë dhe yxhym, tek vrima për teposhtë… Jo luftë, por…batërdi… Eh të keqen vëllai, të keqen… Ore… Ardhi urdhri, por pra s’u sprapsen e s’u prapsën ata,vazhdojnë. Ashtu, si lanë leshtë, po na shkulin, leshtëëë! Heee.
Shkrimi u botua në Gazetën telegraf më datë 28.11.2015