Asllan OSMANAJ: Një mijë euro dhuratë, bibliotekës së shkollës “Ali Podrimja”, në Bajram Curri

1233
Nga prapavështrimi, vite e vite përpara, dy personazhe me raporte të ndryshme ndërvarësie ishin “shqetësues” për njëri-tjetrin. Një shqetësim interesant pa kurrëfarë egërsie. Një mpleksje vetish, virtytesh e dukurish për një epilog njerëzor ngadhënjyes. Mësuesen Rabë Hoxhaj e tundonte një lloj problematike e nxënësit Blerim Gjonpalaj. Me gjithë përvojën dhe kredon e saj, me aftësi të spikatura nuk po qëllonte në “shenjë”. Mësuesja përballë Blerimit, nxënësit të urtë, nxënësit disi të veçantë. Për ndonjë nga kolegët e saj, Blerimin e mendonin disi me hije, pa qëndrueshmërie serioziteti. Përfundim i nxituar që bazohej veç në një problematikë. Në sytë e Blerimit dallohej qartë shkëlqimi, drita e mençurisë dhe një rebelim mallëngjyes.
Blerimi vinte nga Perajt e “Nikaj-Mërturit”. Trung i një shtëpie të madhe, me njerëz të urtë e punëtorë dhe me një dituri natyrale. Prindërit e tij; Lushi e Katrina, bashkëshortë të nderuar. Përpiqeshin ditë e natë për të shkolluar pesë fëmijët e tyre të zgjuar. Blerimi vogëlak pëlqente disa lëndë që mund t’i shërbenin për profesionet e ardhshme. Por ato lëndë, nga ëndërr iu kthyen në ferr. Shkaku ishin mësimdhënësit e tij, që pa u thelluar e fyen rëndë, ja copëtuan shpresat, i prekën krenarinë. Problematika ishte se ai nuk kishte libra, as mjete shkollore. Mësuese Raba, kur mësoi “sekretin”, pse heshte nga që i vinte turp e ndihmoi me tekste dhe libra jashtëshkollorë. Kur Blerimi i merrte libra dhe i referonte, shkëlqente.
Përvoja, do nismëtarë të guximshëm
Në 2009, kur Bashkia e Rrëshenit më përuroi një libër, timin mësova për gjendjen e vështirë të bibliotekës e Pallatit të Kulturës Rrëshen. Kufizime librash, mjetesh e veprimtarish kulturore-artistike. Përvojat njihen, por duheshin nismëtarët e guximshëm e të besuar. Kështu një grup i vogël me nismëtarë kryesore Gjergj Markun filloi komunikimin me emigrantët për të gjallëruar “tempullin e dijes e kulturës mirditore”. Dhe brenda pak kohe, biblioteka, Pallati i Kulturës u pasuruan dhe funksionojnë për ta pasur zili çdo trevë shqiptare. Tek realiteti tropojan, mësuesja Rabë Hoxhaj me përkushtimin e saj ka pasuruar pëlqyeshëm bibliotekën e shkollës “Ali Podrimja”. Dhe ndihmesa e Belerim Gjonpalit është një shtysë për këtë bibliotekë në nderim të mësueses së tij. Blerimi premton se veç mundësive personale po bashkërendon me biznesmen, me shoqata e grupime të shoqërisë civile në Shqipëri e Evropë që të ndihmojnë në bibliotekat e Tropojës. Pse të jetë i vetmi Blerim Gjonpali? Sa ish-nxënës tropojanë ka nëpër botë që kanë mundësinë të ndihmojnë bibliotekat e shumë shkollave. Kur janë dëshirat dhe mundësitë për ndihmesë në shumë drejtime për Malësinë e Mirë (Tropojën).Atëherë lypset përkushtim dhe nismëtarë të çiltër.
Ç’përfaqëson Blerim Gjonpalaj?
Nxënësi që para një çerek shekulli që shkëlqente kur mësuese Raba e përkrahte dhe e ndihmonte me fjalë të ngrohta, me ndonjë libër apo mjet mësimor që aq shumë i mungonin. Ai u largua nga Shqipëria fëmijë i vetëm pa asnjë mbështetje. Edhe shkollën e mesme e filloi në Belgjikë. Blerimi i zgjuar u shkollua në kryeqendrat evropiane. Përfundoj disa fakultete në gjuhë të ndryshme dhe magjistraturat; në filozofi kulture e shkencat politike. Në profilin e tij veç ligjëratave shkencore u aftësua si profesor vizitues në filozofi, në ekonomi dhe hartues e menaxhues i shumë projekteve. Ideator, skenarist dhe regjisor i disa dokumentarëve. Autorë i mjaft studimeve dhe librave në shumë gjuhë të ndryshme. Veprimtar dinamik në organizatat social-kulturore dhe në shumë shoqata e grupime me problematika njerëzore, jo vetëm në Belgjikë. Në letërkëmbim shkruhet: “Dhurata ime simbolike është mirënjohje për mësuesen Rabë Hoxhaj që më rastisi të ndikoj për së miri për mua dhe shumë si unë. Shkollarët kanë nevojë për mësues që rrezatojnë nga dashuria kur japin njohuri. Që përmirësohen nga ndërveprimi me nxënësit…”. Dhe sot ky person i kompletuar me shkollim me përmasa të gjëra përfaqëson shpirtin tipik kombëtar njerëzorë. Gjithçka e ka fituar me mundimin e djersën e tij e ka financuar në ndihmesë të emigrantëve në nevojë, të të rinjve, të sportit dhe të fushave të kulturës e të dijes. Shpresojmë që të mos jetë i vetmi shembull frymëzimi!

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datës 22.12.2015
Sigal