Asllan Duçellari/ “Skrapari ynë”, libri që lartëson skrapallinjtë!

167
Nëpër libraritë e Tiranës sapo ka dalë libri më i ri i autorit Asllan Duçellarit, i titulluar “Skrapari ynë”, një përmbledhje me studime dhe materiale statistikore. Në këtë libër të botimeve “Jolanda” ndimesë kanë dhënë gjithashtu një grup autorësh si Zylyftar Plaku, Mimoza Nuredini, Prof. Dr. Ilia Telo dhe Arben Bejko. Libri do të promovohet në një ceremoni të veçantë ditën e diel, datë 19 prill 2015, ora 11, në Muzeun Historik Kombëtar
Të gjithë njerëzit e duan atdheun e tyre, po kështu duan fshatin dhe krahinën e tyre. Unë e dua shumë rrethin e Skraparit se në këtë rreth u linda, këtu kanë jetuar prindërit dhe paraardhësit e mi. Këtu mësova të flas gjuhën e bukur shqipe, këtu mësova të shkruaj. Arsimi dhe kultura që mora këtu ishin bazë e shëndoshë për arsimin e mesëm dhe të lartë që mbarova në rrethet e tjera.
Ka kohë që më ka lindur ideja për të shkruar për rrethin e Skraparit dhe për këtë jam konsultuar me me miqtë e mi nga rrethi dhe nga rrethet e tjera. Në revistën “Demografia” kam botuar artikuj shkencorë mbi zhvillimin ekonomik-social të rrethit të Skraparit. Botimi i këtyre artikujve shkencorë ishte hapi i parë për botimin e librit “Skrapari ynë”.
Shokët dhe miqtë e mi më kanë ndihmuar shumë në përgatitjen e këtij libri. Jam përpjekur që të jem objektiv në trajtimin e ngjarjeve dhe personave, pa ndikime partiake.
Libri “Skrapari ynë” është produkt i një pune të shumë njerëzve, të cilët kanë luftuar dhe kanë punuar në këtë rreth. 
Unë kam studiuar një literaturë të gjerë, kam studiuar arkivat e ndërmarrjeve dhe institucioneve të ndryshëm në mënyrë të veçantë dokumenta origjinalë të muzeumeve dhe arkivave të ndryshme. Në këtë kuptim përgatitja e këtij libri është punë e përbashkët e shumë njerëzve që përmenden në këtë libër. Unë kam bërë sistemimin e këtyre materialeve dhe kam dhënë mendimet e mia objektive.
Për përgatitjen e këtij libri kam përdorur një material të gjerë statistikor për ndërmarrjet dhe institucionet e rrethit, vjetarët statistikorë të Republikës, kam përdorur dokumenta origjinale dhe në mënyrë të veçantë edhe fotografi.
Në librin “Skrapari ynë” përmenden qindra emra njerëzish që kanë luftuar, që kanë drejtuar organet e rrethit, ndërmarrjet dhe institucionet, punonjës të thjeshtë dhe të talentuar.
Sigurisht nuk mund të pretendoj që gjithçka është trajtuar në këtë libër, prandaj ftoj studiues të tjerë që të bëjnë sugjerime dhe të japin dokumenta të tjera për përsosjen e historisë së krahinës sonë të nderuar dhe të respektuar, Skraparit tonë.
Me këtë rast dua të falenderoj të gjithë ata që më kanë inkurajuar për botimin e këtij libri dhe që më dhanë dokumenta origjinalë që janë paraqitur në këtë libër.