“Arvanitët dhe Aristidh Kola”

647
Sigal

Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Institutin e Librit dhe Promocionit dhe Shtëpinë botuese TOENA, organizuan konferencën përkujtimore, me rastin e 70-vjetorit të lindjes së juristit dhe studiuesit arvanit Aristidh Kola. Në konferencë ishin të pranishëm Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Z. Melsi Labi, Drejtori i Drejtorisë së Arkivave Z. Gjet Ndoi, studiues dhe dashamirës të juristit arvanit Aristidh Kola. Konferencën e hapi Nëndrejtori i Muzeut Historik Kombëtar, studiuesi Dorian Koçi, i cili ftoi Drejtoreshën e Institutit të Librit dhe Promocionit Znj. Irena Toçi të mbante fjalën e para në panel, si botuese e librit të njohur të Aristidh Kolës “Arvanitët dhe prejardhja e Grekëve”. Në konferencë referuan dhe përkujtuan figurën e nderuar të Aristidh Kolës, studiues dhe miq të tij nga Shqipëria dhe Greqia, si Prof. Dr. Nasho Jorgaqi, Prof. Dr. Irakli Koçollari, studiuesi Behar Gjoka, studiuesi Hysni Ndreu, Kolec Traboini, dhe pa harruar miq të tjerë të juristit Kola. Në fjalën e tij, mes të tjerash Prof. Dr. Nasho Jorgaqi u shpreh se: “Aristidh Kola bashkoi gjithë arvanitasit nga Atika, Hidra, Poro, Specia e deri në Peleponez”.

Aristidh Kola konsiderohet si një nga veprimtarët më të rëndësishëm të ringjalljes kulturore arvanitase gjatë viteve 1980-2000. Ai është studiuesi, avokati dhe publicisti, i cili në librin e vet “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve” i bëri jehonë sërish mitit pellazg të origjinës së përbashkët greko-shqiptare, që nga lashtësia, dhe ripohonte me krenari se, 90 nga 100 heronj të Kryengritjes janë arbër.