Artur Hoxha piktori që tregon si duhet jetuar liria dhe ëndrra

622
Sigal

Viti 2001 është kthimi i tij në Europë me ekspozime në Paris, Vjenë, Kopenhagen, Stocholm, etj., kurse 2008 e kthen përfundimisht në atdhe

Për piktorin që tashmë ka krijuar identitetin estetik onirik të vetin është vështirë të dallosh kufirin ndarës midis ëndrrës dhe realitetit, midis të shfaqurës dhe subkoshientes, midis të rastësishmes dhe përzgjedhjes. Ky është  thelbi i endjeve në pikturën e Artur Hoxhës.

Rrugëtimi i tij drejt njohjes fillon në vitin 1991 me emigrimin e tij për në Milano të Italisë. Me artin e tij të lirë tashmë prej kthetrave të Diktaturës mbytëse komuniste dhe me shpirtin ëndërrimtar ekspozon pikturat e veta në një mjedis privat në Milano. Në vitin 1994 takohet me Maestron e madh shqiptar Ibrahim Kodrën në studion e vet, prej të cilit që nga ajo ditë e derisa u nis për në Amerikë  në shtator të 1998-s nuk u ndanë. Marrëdhëniet e tij mëse miqësore me Maestron e sollën në kontakte me njerëzit e arteve në vizitat e shpeshta të tyre në mjediset e pikturës. Kështu nis rrugëtimin e ekspozitave që prej vitit 1995 në Galerinë e Arteve “Studio Panigatti”, ku edhe vlerësohet me çmim. Menjëherë pas kësaj ekspozite ftohet nga Shoqata Kulturore “Borgo degli Astisti” për t’u vlerësuar me çmimin “Nderim Internacional” me medalje të bronztë. Vazhdon ekspozitat në Bergamo, në Provincën e Komos, ku edhe realizojnë një ekspozitë kolektive së bashku me Maestron Kodra, Maestron e Skulpturës Pr. Arian Kalari e artistë të tjerë shqiptarë, për të vazhduar në Abbasia di Ciaravalle në Milano. Në 26 Janar 1998-s realizon ekspozitën  në Sallën Lampadario të Qarkut të Shtypit Italian në Pallatin Serbelloni, një ekspozitë kjo me vlera të veçanta, pasi u realizua prezantimi i talenteve të reja të Italisë ku mes personaliteteve të ftuara të fushave të ndryshme të Artit ishte edhe Maestro Kodra. I përzgjedhuri i këtyre talenteve të reja të shfaqura nëpërmjet Katalogut “Arte e Artisti” ishte pikërisht Artur Hoxha, të cilit iu bë ftesa të ekspozonte veprat e tij në këtë eveniment kulturor. I shoqëruar nga shtypi vazhdimisht mbërrin në Brera, ku e dhe realizoi tre ekspozita, gjithmonë me praninë e Maestros, si një mësues i përkushtuar ndaj nxënësit të vet për ta prezantuar me elitën e pedagogëve dhe mjeshtrave të pikturës së Shkollës Internacionale të Arteve të Bukura në Brera. Ndër Profesorët e Brerës një dashamirësi vlerësuese për veprën e tij kishte edhe Pr. Antonio Bataglia, i cili bëri pjesë të ekspozimeve të Shoqatës së vet edhe pikturat e Hoxhës në shumë vende të Europës. Rrugëtimi i ekspozitave e dërgon në Provincën e Krotones i ftuar nga Senatori dhe Presidenti i Provincës Karmine Esposito, ku edhe realizoi katër ekspozita në fshatrat arbëreshë me mbështetjen e UNICEF-it, disa organizatave kulturore vendore dhe të Administratës së provincës.

Në 1998-n deri në 2001-n rrugëton drejt Amerikës ku edhe ekspozon në Greenwich Village New York. Pas pak kohësh mbërrin në Nachville Tennessee, ku edhe ndërton Galerinë Personale. Realizon mësimdhënien e teknikës së tij origjinale për fëmijët dhe studentët e Universitetit Bell Made të qytetit. Rrugëton për në Detroit të Michigan-it, ku edhe ekspozon në Sharon Sims Studio Galery në Taylor, vazhdon ekspozimin në Freedom House të Detroitit e në qendra të ndryshme tregtare. Po në këto vite realizon ekspozime në Toronto të Kanadasë, në galerinë shtetërore State Building Galery e titulluar “Scream Against the war” me tematikë mbi luftën e Kosovës.

Viti 2001 është viti i kthimit të tij në Europë me ekspozime në Paris, Vjenë, Kopenhagen, Stocholm, Oslo për t’u kthyer përfundimisht në atdhe në vitin 2008. Ekspozita e tij e fundit për tani realizohet nën përkujdesjen e Fondacionit Grek të Kulturës në Tiranë nën motive të Mitologjisë Greke, që gjithmonë e ka tërhequr me pasion të madh vetë piktorin.

Udhëtimi jashtë vendit i dha flatra tematikës së pikturës bazuar mbi kujtimet mbytëse të Diktaturës, përvojave jetësore brenda vendit për t’i shfaqur ato jashtë kufijve të Shqipërisë. Ishte një rrugëtim për marrjen e një identiteti shqiptar jashtë atdheut, duke u rikthyer me përvojat e fituara në vendet e lira me qëllimin e heshtur t’i pasqyrojë ato më në fund në dheun e vet.

Për të kanë shkruar shumë kritikë artesh si Benedetta Cascella, Mariagrazia Paturzo, Aoristas (ARTECULTURA), Grazia Chiesa (D’ars Int. Magasine), Alda Gravignia (Arte piu Arte) e shumë gazeta e revista të kohës. Rrugëtimi i ekspozimeve të tij është i shoqëruar me  intervista të shpeshta në televizione e radio lokale përkatëse.

Arti i Hoxhës i karakterizuar nga mprehtësia therëse e detajeve, pafundësia e përjetës, liria dhe ëndrra, përmes elementëve realë dhe surealë kanë përmbushur qëllimin e tij shprehës përmes pikturës për t’u jetuar liria dhe ëndrra duke udhëtuar me shpejtësinë e erës, për të mbërritur në këndin e dëshiruar të qetësisë shpirtërore, i mbrojtur nga tingujt rrëmbyes e përthithës që e zgjojnë zhurmshëm nga ëndërrimet dhe që duan të rrëmbejnë lirinë dhe shpirtin e tij, siç shprehet vetë piktori.