Artistja Silva Agostini është fituesja e edicionit të XX i çmimit “Onufri 2013”

574
Sigal

Vendimi i jurisë u bë publik në prani të mediave dhe disa nga artistëve pjesëmarrës në konkurs

Juria e përbërë nga Prof. Zef Paci, Prof. Mehmet Behluli dhe Jutta Benzenberg, shpalli në mënyrë unanime veprën në mediumin video “E kuqja e përbashkët” një nga 14 punët e paraqitura në ekspozitën ndërkombëtare të  “Onufrit të  XX” me temën “Elozhe dyshimit”.

Sipas vendimit të jurisë motivacioni që çoi në përzgjedhjen e kësaj vepre ishte:
Ndjesia e fortë e binomit dyshim/besim, i shfaqur në një mënyrë thelbësore të fuqishme. Pra, nëse flasim për dyshimin gjëja që na tërhoqi ishte faza, kur subjekti, i cili është i pranishëm brenda konceptit kuratorial, qëndron pezull dhe reflekton tension. Është një vepër ku mund të kridhesh menjëherë, një subjekt i pastruar nga zbukurimet e tepërta dhe i sjellë thjesht dhe  fuqishëm tek publiku. Imazhet e veprës vepronin fuqishëm duke mënjanuar një prirje lehtësisht estetizante. Gjithashtu menduam se duke qenë juri e një konkursi ndërkombëtar puna fituese duhet të ishte një vepër që përcillte në mënyrë të vlefshme një problematikë sa lokale aq edhe globale në një mënyrë të vetëmjaftueshme.
Vendimi i jurisë u bë publik në prani të mediave dhe disa nga artistëve pjesëmarrës në konkurs. Artistja fituese do të shpërblehet me shumën 500 000 (pesëqind mijë) lek, ndërsa një vlerësim special po për artisten fituese është akorduar nga kompania celulare Vodafone Albania. Në fjalën përshëndetëse drejtori i Galerisë Kombëtare z. Artan Shabani falënderoi në mënyrë të veçantë Kompaninë Vodafone Albania për mbështetjen jo vetëm në çmimin Onufri, por edhe projekte të tjera artistike në bashkëpunim me GKA.  Gjithashtu  Zoti Shabani  falënderoi njëri pas tjetrit të gjithë artistët pjesëmarrës  në “Onufri 2013” si dhe kuratorin e ekspozitës  Claudio Cravero dhe asistentin  Olson Lamaj.
Ekspozita e edicionit jubilar “Onufri 2013” me temën “Elozhe Dyshimit” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 2 shkurt.

Edicioni i XX i Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri” këtë vit trajtoi temën “Elozhe e Dyshimit”, e cila u kurua nga kuratori italian Claudio Cravero dhe Olson Lamaj. Ekspozita u hap në datë 26 Dhjetor 2013 dhe qëndron e hapur deri me datë 2 Shkurt 2014. Në këtë konkurs morën pjesë 12 artistë nga Shqipëria, Italia, Franca, Egjipti dhe Kosova.

Silva Agostini (Shqipëri)
Endri Dani (Shqipëri)
Flaka Haliti (Kosovë)
Elton Kore (Shqipëri)
Jasmina Metwaly (Egjipt)
Marzia Migliora (Itali)
Alban Muja (Kosovë)
Driton Selmani (Kosovë)
Irgin Sena (Shqipëri)
Ivi Topp (Shqipëri)
Py Verde (Francë – Itali)
Ergin Zaloshnja (Shqipëri)

******************************

Prej vitit 2014, BE fillon me programin e ri, i cili synon mbështetjen e kulturës dhe sektorit kreativ

 

Prezantohen mundësitë e aplikimit për “Creative Europe”

 Dje,  në ambientet e Ministrisë së Kulturës, u zhvillua takimi informues i programit më të ri komunitar “Creative Europe” 2014-2020 të BE, nga i cili institucionet kulturore publike dhe organizatat jo fitimprurëse të artit dhe kulturës në Shqipëri mund të përfitojnë nga nën-programin “Kultura”.

Eksperti z. Max Fras, në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje për qeverinë shqiptare për pjesëmarrjen në programet komunitare”, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, prezantuan mundësitë e reja për të përfituar nga programi i ri “Creative Europe”, referuar thirrjeve për projekt aplikimet më të afërta, kriteret e nevojshme që institucionet, subjekte shqiptare aktive në fushën e Artit dhe Kulturës duhet të përmbushin, si dhe njohjen me formatet e aplikimeve përkatëse. Pjesëmarrës në këtë takimin e sotëm ishin rreth 73 përfaqësues nga institucione publike, organizata private, fondacione kulturore, OJQ, shtëpi botuese, gazetarë të cilët gjatë takimit, përtej interesit të shprehur, u konsultuan dhe bashkëbiseduan mbi modalitetet teknike për përgatitjen e aplikimit dhe paraqitjen e projekteve si aplikantë potencialë, përkrah partnerëve në nivel europian. Në përfundim, përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës shprehën mbështetjen dhe organizimin e aktiviteteve pasuese, në nivel teknik, në mbështetje të subjekteve potencialë të mundshëm për të aplikuar në thirrjet e nën-programit “Kultura“ për vitin 2014. Ky takim si dhe me anëtarësimin i Shqipërisë në rrjetin letrar “Traduki”, është në vazhdën e nismave që Ministria e Kulturës ndërmerr për të t’u krijuar akses ndërkombëtar artit dhe kulturës shqiptare. Prej vitit 2014, BE fillon me programin e ri “Creative Europe”, i cili është një program që synon mbështetjen e kulturës dhe sektorit kreativ. Ky program përfshin 3 programet e mëparshme “Kultura”, “Media“ dhe “Media Mundus“ pjesë e programit „Kultura 2007 -2013“ duke synuar forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkufitar në lidhje me diversitetin kulturor. Programi i ri  përfshin periudhën 2014 – 2020. Në thirrjet për projekt propozimet me afat deri në muajin mars, mund të aplikojnë edhe institucionet dhe organizatat shqiptare aktive në fushën e Artit dhe Kulturës, por vetëm në nënprogramin “Kultura”.

Qëllimi i këtij takimi është njohja e mundësive të reja të aplikimit si dhe konsultimi  paraprak i formularëve të aplikimit për thirrjet për projekt propozime në këto fusha:

  • European Cooperation Projects (afati i aplikimit 5 Mars 2014);
  • European Platforms (afati i aplikimit 19 Mars 2014);
  • European Networks (afati i aplikimit 19 Mars 2014);
  • Literary Translation Projects (afati i aplikimit 12 mars 2014)

 Miratohen kriteret për konkursin e dramës shqipe

 Para disa ditësh, në selinë e Teatrit Kombëtar të Komedisë (TKK) u realizua mbledhja e Bordit Artistik, me këtë rend dite:

-Diskutim për miratimin e kritereve për konkursin e dramës shqipe.

 Në mbledhje morën pjesë anëtarët me të drejtë vote:  Mihal Luarasi, Enver Petrovci, Milto Kutali, Gulielm Radoja, Suela Konjari. Pjesëmarrja e pesë anëtarëve me të drejtë vote, referuar ligjit, përbën kuorumin e nevojshëm. Sipas Ligjit Nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike”, fillimisht anëtaret e pranishëm të BA nënshkruan deklaratën e konfliktit të interesave, sipas të cilës rezulton se asnjëri prej tyre është në kushtet e papajtueshmërisë me çështjet në diskutim.  Për gjithë sa më sipër, pjesëtarët e pranishëm në mbledhjen e BA, pasi ishin njohur edhe më parë me çështjen në shqyrtim vendosën:                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                      Të miratohen kriteret për konkursin e dramës shqipe 2014, si vijon: Të shkruara në gjuhën shqipe, komedi ose dramë, ose dramatizime nga letërsia shqipe. Të pa vëna në skenë dhe të pa botuara. Që mund të vihen në skenë me jo më shumë se 10 (dhjetë) aktorë. Që kërkojnë jo më shumë se dy tablo skenike të integruara në të njëjtën zgjidhje skenografike. Të paraqitura nga vetë autori, ose regjisori me miratimin e autorit. Të regjistruara si vepra origjinale nga Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit. Vendimi hyn në fuqi dhe shpallet pas vlerësimit të Buxhetit të vitit 2014 nga ana e Drejtorisë. Bordi Artistik: Mihal Luarasi, Enver Petrovci,  Milto Kutali, Suela Konjari,. Gulielm

Në Teatrin Kombëtar do shfaqet komedia “Kur njihesh në internet”

Teatri Shëtitës prezanton dt 1, 2, 6, 7. 8. 9. 13, 14, 15, 16 Shkurt ora 19:00 në sallën “Kadri Roshi” të Teatrit Kombëtar:
Komedinë “Kur njihesh në internet” nga Ray Cooney
Regjia- Kiço Londo

Interpretojnë:
Visjan Ukcenaj
Ermira Hysaj
Esela Pysqyli
Xhevahir Zeneli
Alesia Xhemalaj
Roland Saro
Ergys Çekrezi

Sinops
Një Xhon Smith i tmerruar është në një lëvizje frenetike të vazhdueshme për të mbajtur atë që nuk mban dot më: sekretin e dy familjeve paralele. Teknologjia është më e fortë se dëshira e individit, më e pamëshirshme, më e ftohtë. Xhoni vrapon sikur dëshiron të kapë kohën e humbur, të fshijë me një gomë magjike nëpërmjet gënjeshtrave bajate dhe situatave të komplikuara jetën e tij të deritanishme. Por këto situata riprodhohen brenda tyre, pikërisht sepse mënyra sesi janë ngjizur është e pamundur të prodhojë tanimë fenomene në favor të Xhonit.
Dy adoleshente që “kënaqen pa masë” nga romanca e tyre që përkon me koincidenca të çuditshme: një baba me emër dhe mbiemër të njëjtë, me moshë të njëjtë, dhe me profesion të njëjtë. Ata vendosin te takohen dhe këtu nis drama e Xhonit.