“Artisti i Popullit” Gaqo Çako: Artistët e çojnë shoqërinë përpara, ata të mbushin me dashuri

818
Sigal


PERSONAZH/ Flet tenori i madh, “Artisti i Popullit” Gaqo Çako:  Kënga jonë popullore nuk duhet të deformohet por duhet çuar më tej

Tenori i madh, Artist i Popullit, i rreshtuar në emrat e mëdhenj të muzikës shqiptare si Ramiz Kovaci, Mentor Xhemali mbetet një nga yjet e skenës operistike shqiptare e atë europiane. Për mëse 30 vjet në TKOB, ai ka  përçuar aq shumë emocione për publikun shqiptar. Pardje pikërisht në këtë skenë me artistin e 80-vjetorit të lindjes së tij, u zhvillua një koncert- spektakël për nder të tij, ku u paraqitën pjesë nga operat të cilat janë pjesë e repertorit të tij. Në këtë koncert-përvjetor, interpretuan solistët e TKOB, kori dhe orkestra simfonike. Regjia ishte nga Nikolin Gurakuqi, dirigjent kori, Dritan Lumshi dhe dirigjent Edmond Doko. Nuk munguan surprizat ku përfshihet edhe një performancë nga vetë Gaqo Çako, shoqëruar nga i biri Pirro Çako dhe tenori Kastriot Tusha. Ishte pikërisht ora 19:30 kur tenori u paraqit në skenë. Çaste emocionale. Në piano Pirro Çako, ndërsa babai i tij Gaqo, këndon në skenë së bashku me tenorin e mirënjohur Kastriot Tusha, i cili ishte edhe nxënës i tij. Pas këngës salla e gjithë në këmbë. Duartrokitje frenetike. Mbi 800 vetë e ndezën sallën e TKOB, ku ajo dukej se do të shembej nga duartrokitjet. Një mbrëmje tejet emocionuese pikërisht ku Gaqo luajti për mëse 30 vjet dhe nxori mbi 36 role premierë. Një rast unik. Ai loton dhe përulet me respekt para spektatorit. Përulet me shumë dashamirësi si aristokrat i këngës lirike shqiptare. Por dhe në sytë e spektatorëve shikoje lot, pasi ai për shumë vite u ka dhuruar gëzim, gare, relaks dhe buzëqeshje. Ky është Gaqo. Një këngëtar i madh me shpirt bujar.

  Profesor Gaqo si ndihesh sot në këtë 80-vjetor përpara 800 fansave të tu dhe në sallën ku ke debutuar për mëse 30 vjet?

Ndodhen shumë i emocionuar për dy arsye. E para, që në këtë moshë që jam unë, 80 vjeç, spektatori më pret me duartrokitje dhe së dyti, ndihem i emocionuar se unë ndodhem këtu sot në këtë sallë ku kam bërë një karrierë shumë të gjatë. Me të vërtetë skena artistin e lumturon dhe unë mora guximin të dal sot në këtë skenë, të këndoj një nga këngët e rinisë por jo me forcën e rinisë. U mundova të jem sa më origjinal dhe të përcjell atë që ma mbante shpirti.

 Si mundët të këndonit aq bukur live në këtë moshë?

Nuk e di si kam kënduar, por ndjeva më shumë emocion në këtë moshë se sa në rini gjatë interpretimit të kësaj kënge. Besoj se nuk jam në atë nivel rinor, por këndova me zemër dhe shpirt që spektatori që më ka duartrokitur të ndjejë sadopak emocion nga unë.

Kur keni kënduar për herë të parë në këtë skenë gjigande?

 Unë për herë të parë si opera kam kënduar në vitin 1961 kur jam kthyer nga Rusia por nuk kam kënduar në këtë skenë por në skenën e Akademisë së Arteve, pasi atëherë nuk ishte ndërtuar TKOB. Fillimet e mia janënë Korçë, në qytetin tim të lindjes. Pikërisht në këtë qytet të dëborës, serenatat kanë qenë pjesë e çdo familje korçare dhe një argëtim për çdo njeri. Pikërisht në mbrëmje ne mblidheshim si të rinj dhe këndonim për dashurinë. Shumë shokë më thoshin ke zë të bukur dhe patjetër do të bëhesh një këngëtar i talentuar. Në fillim edhe nuk besoja. Kjo më bëri që në vitin 1952, të hyja në Lice, ku unë fillova të marr mësime të plota për muzikën, të formohesha, të edukohesha  saktësisht me këngën.. Mbasi mbarova liceun artistik, shkova për studime në ish BRSS (sot Rusi).

 Kur jeni kthyer nga ish BRSS dhe si jeni ndjerë aty, i ishte shkolla ruse e operës?

 Unë jam kthyer në moshën 27 vjeçare dhe ndenja aty katër vjet. Ajo ishte një shkollë e veçantë, një shkollë tepër serioze. Pedagogët ishin shumë të dashur dhe shumë, shumë të përgatitur. Mbi të gjitha aty ka pasur njerëz të mrekullueshëm që na donin shumë. Dua të theksoj se në sallonet e Operës së shkollës unë kam kënduar shumë. Aty çdo të shtune e të diel kam kënduar disa herë. Unë aty kam kënduar katër premiera të repertorit tim, që nuk është e paktë për atë kohë ku kishte shumë studentë nga rreth 40 vende të botës. Në sallën e Konservatorit këndonin vetëm studentë, jo profesionistë dhe salla mbushej plot. Aty këndonin vetëm studentët e shkëlqyer, jo kushdo. Ajo sallë kishte mbi 600 vende dhe përveç studentëve të gjitha vendet ishin me bileta të shitura. Thuajse gjithmonë kjo sallë ishte mbushur plot. Nuk mund ta imagjinoni. Aty viheshin në skenë të gjitha operat më të mira të botës. Aty kam parë në interesim të madh për operën por dhe pedagogë të jashtëzakonshëm.

 Kur dhe pse u kthyet?

Unë u ktheva në vitin 1961 kur u prishën marrëdhëniet me ish BRSS. Ishte e dhimbshme për mua ta lija shkollën në vit të fundit. Konservatori i Arteve atëherë ishte 5 vjet, ndërsa unë sapo kisha mbaruar vitin e katërt. Pra nuk e mora dot diplomën.

  Ku e mbarove vitin e pestë të Konservatorit të Arteve?

Vitin e pestë e mbarova në Shqipëri. Konservatori në Tiranë ishte hapur një vit më parë, pra në vitin 1960. Rektor i Konservatorit në atë kohë ishte Albert Paparisto, një nga muzikologët më të mirë që ka pasur Shqipëria (që ka disa vjet që është ndarë nga jeta). Paparisto ngelet një pedagog i aftë, i dashur, me vizion dhe me plot korrektësi. Njerëz të tillë  janë të paktë, pasi i ka ndihmuar jashtëzakonisht studentët dhe mua personalisht më ka ndihmuar shumë. Vazhdimisht më ka inkurajuar, më ka nxituar dhe më ka besuar shumë role. Pra në vit të pestë unë kam luajtur shumë role. Mbaj mend se ne ndaheshim në dy grupe, “Partizani” dhe “Dinamo”. Më grupin e “Dinamos” ishte Kristaq Paskali dhe me atë të “Partizanit”, unë.  Pra dhe shfaqjet ne i ndanim sipas tifozllëkut. Kur i kujtoj ndjej një nostalgji të madhe. Sa e kemi dashur skenën dhe artin.

 Më vonë a bëre ndonjë specializim?

Po, kam bërë një vit e gjysmë në Itali. Ishte vitit 1964. Aty bëra një specializim të avancuar. Nuk mund të them se shkolla italiane ishte më e mirë se ajo ruse, por di të them se dhe në Itali mësova shumë.

 Sa role premirë keni luajtur?

Më vjen keq që si kam numëruar si duhet., por me hamendje mund të them se kam luajtur rreth 35 role premierë. Ndërsa shfaqjet nuk mund të numërohen.

  Në kohën e monizmit në sa vende keni shkuar?

 Thuajse në të gjithë Europën dhe në shumë vende të tjera. Pra s’kam lënë skenë të botës operistike europiane pa shkelur. Pra më shumë kam shkuar në monizëm se në demokraci. P.sh në Turqi kam shkuar tre herë, në Itali dy herë, e me radhë Francë, Gjermani, Austri etj…

 Si shkonit, ishin ftesa personale apo shtetërore?

Në atë kohë kishte marrëdhënie kulturore ndërshtetërore. Pra shteti në këto marrëdhënie kulturore, në muzikën klasike më çonte vetëm në vende të ndryshme.

 Kjo jashtë Ansamblit shtetëror?

Po, jashtë Ansamblit, pasi me Ansamblin kam shkuar dhe në shumë vende të tjera. Pra unë shkoja nëpërmjet Ministrisë së Kulturës në marrëdhëniet kulturore që ajo kishte lidhur me simotrat e saj në Europë. Në atë kohë edhe tek ne vinin shumë artistë të huaj dhe ne çonim tanët.

 A mund të krahasohej Opera jonë e asaj kohe me operat europiane?

– Mund të them se ishim në nivel shumë të lartë, me shumë artistë të mirë. Kemi pasur dhe drejtues shumë të mirë. Ishim thuajse në atë nivel. Këtë e them pa as më të voglin dyshim.

 Po shkolla jonë e operës si ka qenë dhe a bëhej mitmarrja?

 Një shkollë shumë e saktë, shumë korrekte, shumë e disiplinuar, shumë profesionale.

Mitmarrja as që nihej si term. Unë sot e kam dëgjuar.

  E keni takuar ndonjëherë Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun?

Po, i kam takuar shumë herë dhe kam kënduar shumë herë para tyre. Ishin të interesuar për operën dhe artin. Njëherë kishin ardhur për të parë operën “Traviata” që po e zhvillonim në sallën e Akademisë së Arteve. Pas shfaqjes pati shumë, shumë duartrokitje. Pasi dolëm në skenë, na afrohet Enveri dhe Mehmeti. Enveri na thotë, ju lumtë, shumë bukur. Ndërsa Mehmeti ja pret, bukur, por shumë shpenzime keni bërë. I thotë Enveri, ore Mhemet, arti do para. Pa para s’ka art, s’ka ecuri.

 Në sa Festivale të RTSH ke marrë pjesë dhe sa çmimet të para keni?

Mund të them në 30. Pra nga 53 jam pjesëmarrës në 30 Festivale. Kam rreth  6 çmime të para dhe me të dyta apo të treta shkojnë mbi 50. Janë një numër i madh që nuk i kam dhënë rëndësi ti numëroj.

 Sot është bastarduar kënga popullore shqiptare, cili është mendimi juaj?

Ne kemi këngë shumë, shumë të bukura. Këngë që i pëlqen gjithë bota. Nuk kemi pse e deformojmë këngën popullore. Këtu duhet të ketë kujdes Ministria e Kulturës. Nuk mund të prishet kënga, nuk mund të transformohet. Këngëtari duhet ta çojë më para këngën dhe jo ta deformojë atë.

 Cili ka qenë mendimi i specialistëve të huaj për Operën shqiptare?

Kudo që kam shkuar më kanë thënë që keni një shkollë shumë të mirë. Kudo vlerësime. Edhe kur kanë ardhur këtu ata janë habitur me Operën e madhe të një vendi të vogël

 Kur shkoje jashtë shtetit dhe shikoje supermarkete të mbushura, makina luksoze dhe tregun tonë bosh çfarë mendoje?

 Nuk i kushtoja shumë vëmendje. Isha i dashuruar me atdheun tim, me vendin tim, me skenën e Tiranës. Sa shkoja dëshiroja të kthehesha në Tiranë, pasi këtu kam familjen, njerëzit, të afërmit, shokët, miqtë, ata që më njohin. Mua, kur largohem, më mungon Tirana njerëzit që më përshëndesin në rrugë, ata që takoj në çdo hap.

 Mendimi juaj për shokët artistë?

Janë të mrekullueshëm. Sot ata më bënë më të ri. Artistët janë njerëz të mrekullueshëm. Populli i do artistët e vet, i adhuron ata,  i respekton ata. Artistët e çojnë shoqërinë përpara. Ata të mbushin me dashuri. Janë ata që bëjnë dasmat, këngët, koncertet, gëzimet familjare. Ne jemi popull artistësh. Ne e duam artin, këngën muzikën, të bukurën.

Pirro Çako

Si je ndjerë sot në këtë festim madhështor të babait tuaj?

Është një ditë si një thikë me dy pres.

Pse?

Nga njëra anë jam i lumtur dhe me fat që kam mbi një baba të mrekullueshëm (se jo çdo këngëtar mund ta ketë 50 vjet babanë), nga ana tjetër unë jam mësuar që babanë tim ta shoh si është në disk, i freskët,i ri, i bukur. Mund të them super model, pasi ai ka qenë një mashkull tmerrësisht i bukur dhe unë i ruaj ato imazhet e jetës së tij vitale. Gaqo ka qenë dhe mbetet idhulli im. Pra babai është një tjetër gjë, ndërsa këngëtari Gaqo një tjetër gjë.

Në ç’drejtim e keni pasur idhull?

Në drejtim të bukurisë dhe të zërit brilant. Pra kjo është thika me dy presa që çdo ditë thellohet, pasi më jep kënaqësinë që ta kem çdo ditë e më  shumë, nga ana tjetër dhimbjen që nuk e shoh duke kërcyer. Është ajo fjala e urtë franceze, që unë se kam babin por doja ta kisha para syve duke kërcyer. Pra unë e kam babanë por nuk e shoh ashtu si dikur duke kërcyer plot gjallëri, pasi nuk e ka atë gjallërinë e shkëlqimin që unë vetëm di se si e kishte ai. Ndaj e lëmë mënjanë atë thikën me dy presa, jam shumë i lumtur që e kam babanë dhe besoj se do ta kem edhe për shumë vite të tjera.

 Por ai këndoi shumë bukur sot?

Ai mbetet talent i rrallë. Edhe gjyshja ime ka jetuar më shumë se 80 vjet dhe kishte një zë si të babit sot. Natyra i ka dhënë një dhunti të rrallë. Gaqo ka lindur për të qenë artist i rrallë.

 Do ta arrish ndonjë ditë Gaqo Çakon?

Se besoj. Unë thjesht kam vënë kokën tek këmbët e babait tim. Ai është gjeni ku natyra është treguar dorëlëshuar. Ai ka një gjen të veçantë dhe si tenor dhe si këngëtar të muzikës së lehtë dhe si këngëtar lirik dhe dramatik. Është një gamë shumë e ngushtë këngëtarësh botërorë që i këndojnë të gjitha gjinitë e këngës. Unë i kam ngjarë babait, kam disa gjëra të përbashkëta.  N.q.s natyra babait i ka hedhur shumë ngjyra të bukura në portretin e tij, disa cifla më kanë ngelur dhe mua. Unë kam diçka nga gjeni i tij prej gjeniu por kurrsesi sa ai.

 Të ka qëlluar ndonjëherë Gaqo?

Po, më ka qëlluar, por vetëm për muzikën.

Gaqo Çako ka lindur më 24 janar 1935. Mban titullin Artist i Popullit.

Tenori legjendar, Gaqo Çako, Artist i Popullit, është i rreshtuar në emrat e mëdhenj të panteonit të muzikës shqiptare si Ramiz Kovaçi, Mentor Xhemali, etj. Midis viteve 1957 dhe 1961 ai studioi në konservatorin “Çajkovski” të Moskës nën drejtimin e pedagoges Anna Soloviova. Pas kthimit në Shqipëri më 1961 ai u emërua tenor i përhershëm i Teatrit të Operës dhe Baletit të Tiranës, ku këndoi shumë nga rolet e para të repertorit operistik, duke u bërë kështu tenori kryesor për tri dekada me radhë. Përvoja dhe karriera e tij mjaft e pasur në operat “Traviata”, “Bohema”, “Rigoleto”, “Norma”, etj, si dhe operat shqiptare “Mrika” e Prenk Jakovës, “Lulja e kujtimit” e Kristo Konos, “Pranvera” e Tish Daisë, “Heroina” e Vangjo Novës, “Skënderbeu” i Prenk Jakovës e “Skënderbeu” i Abdulla Grimcit, “Komisari” i Nikolla Zoraqit, “Zgjimi” i Tonin Harapit, “Toka e jonë” e Pjetër Gacit, etj, e bëjnë atë me një karrierë të shkëlqyer. Mjaft i njohur edhe në skenat italiane, ku ai ka mbaruar konservatorin e Santa Cecillias. Zëri i tij është kthyer në objekt kënaqësie kudo që ai dëgjohet e shfaqet, në opera, në televizion, në radio, në salla të mëdha a të vogla koncertesh. Përfshirja e tij në të gjitha llojet e muzikës vokale ka si qëllim të vetëm t’i kënaqë dëgjuesit me pjesët që ai këndon. Edhe pse vlerën më të madhe ai e pati në interpretimet e roleve operistike, ai u popullarizua nëpërmjet këngës, veçanërisht atyre të Festivaleve të Radios.

Albert Z. ZHOLI