Artistët shqiptarë vlerësohen në Torino në Bienalen “Stemperando”

492
Sigal

Drejtori Labi: “Arti është rruga e vetme që afron Shqipërinë me Europën” 

 Torino: U mbajt ceremonia e hapjes së edicionit të VI të Bienales Ndërkombëtare të Veprave të artit në letër “Stemperando”. Ekspozita është një nismë e kuratorit shqiptar Alfred Milot Mirashi dhe Anselmo Villata, drejtor i Institutit Kombëtar të Artit Kontemporan në Itali, të cilët këtë vit kanë zgjedhur Shqipërinë dhe Muzeun Historik Kombëtar si vendin mikpritës për të pritur Bienalen dhe prezantuar veprat e 43 artistëve, nga ku 18 janë artistë shqiptarë. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin personalitete të artit në Itali, artistë italianë dhe shqiptarë ndërsa si përfaqësues nga Shqipëria ishte drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, z.Melsi Labi. Drejtori Labi në fjalën e tij përshëndetëse u shpreh: “Jam i nderuar dhe krenar që ndodhem sot këtu, për të përshëndetur artistët nga e gjithë bota, që kanë marrë pjesë në këtë edicion, dhe veçanërisht artistët shqiptarë që na kanë përfaqësuar më së mirë në Bienalen “Stemperando”. Arti është rruga e vetme dhe më e mirë që mund të afrojë Shqipërinë me Europën, sepse të jep mundësinë të tregosh identitetin tënd dhe vlerat artistike kombëtare. Jemi të kënaqur që miqtë tanë italianë na e japin këtë mundësi sot dhe sigurisht mirënjohjen do jua rikthejmë në të njëjtën mënyrë, kur Bienalia të mbahet në Muzeun Historik Kombëtar në Prill”. Drejtori Anselmo Villata gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij që edicioni i këtij viti kishte si vend mikpritës Shqipërinë, duke vlerësuar të gjithë artistët shqiptarë për veprat e tyre të artit. Bienalia “Stemperando” do të qëndrojë e hapur në Torino nga datat 6 Shkurt- 8 Mars dhe do të vijë në Tiranë për publikun shqiptar nga datat 8 Prill- 10 Maj.

Blerina BRAHO