Artistët shqiptarë vlerësohen në Bienalen “Stemperando”

551
Në Muzeun Historik Kombëtar, nën kujdesin e Institutit Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Itali dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Trashëgimisë dhe Kulturës në Itali, Ambasadën e Shqipërisë në Itali, Rajonin e Piemontes, Ministrinë e Kulturës në Shqipëri, Shoqatën Ndërkombëtare të Kritikëve të Artit dhe Institutin Italian të Kulturës në Tiranë, u çel dje edicioni i radhës i veprimtarisë “Stemperando”.
Edicioni i këtij viti e pati startin e tij në Torino, më 6 Shkurt 2015 dhe për të vazhduar më tej si vend mikpritës është zgjedhur Tirana dhe përkatësisht Muzeu Historik Kombëtar. Pas Tiranës, Bienalja “Stemperando” do të mbylli ciklin e saj në Romë. Në këtë ekspozitë të rëndësishmë ndërkombëtare, marrin pjesë 43 artistë nga e gjithë bota, nga ku 18 janë shqiptarë dhe kontribuojnë me artin e tyre në njohjen e vlerave kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare. Ekspozita është një nismë e kuratorit shqiptar z. Alfred Milot Mirashi dhe z. Anselmo Villata drejtor i Institutit Kombëtar të Artit Bashkëkohor në Itali, të cilët këtë vit kanë zgjedhur Shqipërinë dhe Muzeun Historik Kombëtar si vendin mikpritës për të pritur Bienalen dhe për të prezantuar veprat e artistëve vendas dhe të huaj. Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin personalitete të artit nga italia dhe Shqipëria, përfshi Ministren e Kulturës Kumbaro dhe drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar Melsi Labi. Drejtori Labi, në fjalën e tij përshëndetëse, u shpreh se, “Jam i nderuar dhe krenar që ndodhem sot këtu për të përshëndetur artistët nga e gjithë bota, që kanë marrë pjesë në këtë edicion dhe veçanërisht artistët shqiptarë që na kanë përfaqësuar më së mirë në Bienalen “Stemperando”. Gjithashtu edhe znj.Mirela Kumbaro u shpreh shumë e nderuar dhe e kënaqur duke përshëndetur me shumë përzemërsi këtë nismë. “Arti është rruga e vetme dhe më e mirë që mund të afrojë Shqipërinë me Europën, sepse të jep mundësinë të tregosh identitetin tënd dhe vlerat artistike kombëtare. Jemi të kënaqur që miqtë tanë italianë na e japin këtë mundësi sot dhe sigurisht mirënjohjen do jua rikthejmë në të njejtën mënyrë kur Bienalia të mbahet në Muzeun Historik Kombëtar në Prill”, tha ajo. Drejtori z. Anselmo Villata gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij që edicioni i këtij viti kishte si vend mikpritës Shqipërinë duke vlerësuar të gjithë artistët shqiptarë për veprat e tyre të artit. Bienalia “Stemperando” do të qëndrojë e hapur në Tiranë deri në 10 Maj.
Sigal