Artistët shqiptarë urojnë Gëzuar Vitin e Ri 2016!

736
Para çdo ndeshje kombëtare këndohet dhe himni kombëtar. Ai është magjepsës, pasi të tilla janë tingujt e tij. Kënga është gjinia më e thjeshte e muzikës vokale. Kënga bashkon poezinë me muzikën në një të vetme. Përcaktimi gjini vokale tregon se në këngë, vendi kryesor i takon zërit të njeriut. Ai shqipton fjalët dhe këndon melodinë duke i bere fjalët me shprehëse. Kënga mund të jetë vokale ose solo. Kënga është recitimi i një vjershe të shkruar, të dëgjuar apo krijuar nën përcjelljen e instrumenteve muzikore. Zakonisht kënga është një lloj kallëzimi fonik i një ngjarje të vërtetë apo të imagjinuar dhe të stolisur me fjalë zakonisht të bukura e të rrjedhshme njëra pas tjetrës. Si do që të jetë, si çdo gjë edhe kënga si e tillë ka rrugën e zhvillimit të saj që nga “recitimi” i thjeshtë deri tek kënga e instrumentalizuar. Vlera e këngës edhe pse nuk është e saktë është sepse nëpër mjet saj popujt e vjetër i kanë mbajtur kujtesën e përbashkët të një shoqërie. Kjo rëndësi e këngës natyrisht që ka filluar të bie me arsimimin e shoqërive dhe ka marrë gjithnjë e më tepër anën argëtuese. Dukuria e përshkrimit të ngjarjeve nëpërmjet këngëve ende është e pranishme tek popujt pa të drejtë arsimimi sipas vullnetit të tyre. Shoqëritë e kulturuara, të kulturuara në aspektin e artit dhe jo të zhvilluara ekonomikisht, e kultivojnë edhe më tej traditën e të parëve në moton “çka thotë zemra nuk mund të shprehet me letër”. Llojet e krijimit të këngëve janë të ndryshme, nga shoqëria në shoqëri e nga populli në popull. Viti që po lëmë pas pati një ditë të shënuar, për herë të parë në historinë e futbollit, Shqipëria merr pjesë në Kampionatin Europian që do të zhvillohet në Francë në vitin 2016. Kombëtarja shqiptare ngriti në piedestalin e duhur ëndrrën shumëvjeçare të tifozëve të vet. Ishte një ngjarje që bota sportive e quajti surprizë. Ishte një ngjarje që na ka bërë më krenarë, më të afruar me njeri-tjetrin, më largpamës. Viti i ri do të ketë të tjera risi. Ne jemi pjesë e Europës dhe 2016, besoj do të na gjejë jo vetëm gjeografikisht, por edhe pjesë reale e BE. Koha punon për Shqipërinë. Për këtë finalizim rol ka dhe këngëtari Kastriot Tusha, i cili me zërin e tij ka mobilizuar lojtarët e kombëtares. Këtë gjë duan të shprehin, në këtë urim të përbashkët disa nga këngëtarët më të mirënjohur shqiptarë. Puna e tyre ka bërë që Shqipëria të respektohet.
Kastriot Tusha, “Mjeshtër i Madh”
Ndihem krenar që kam ndihmuar sadopak tek Kombëtarja jonë në fitoret e saj, për të marrë pjesë në finalet e Euroipianit 2016 në Francë, duke kënduar himnin kombëtar para zhvillimit të shumë ndeshjeve. Jemi në pragndarjen e viteve. Dhe në këtë pragndarje bëhen shumë bilance. Po t’i shohësh me syrin e një njeriu asnjanës themi me plot gojën se Shqipëria nga viti në vit po bën shumë përparime. Por ajo që do ndalem është se arti në Shqipëri po merr vlerësimin e duhur. Nga dita në ditë shohim aktivitete nga më të ndryshmet në raste festash kombëtare, por edhe ndërkombëtare. Populli ynë është popull artdashës, një popull që do të bukurën, do të përparuarën, do zhvillimin. Besoj se Viti 2016 do jetë viti që do shënojë negociatat përfundimtare për hyrjen në BE! Gëzuar vitin e ri 2016! Gëzuar të gjithë shqiptarëve kudo që janë, mirësi, begati, suksese, mirësi. Një urim edhe për këngëtarët që me zërin e tyre kanë bërë emër duke çuar lart emrin e Shqipërisë! Gëzuar vitin e Ri 2016!
Alida Hisku, “Mjeshtre e Madhe”
Ju flas nga Gjermania, aty ku është atdheu im i dytë. Ne këtu jemi një komunitet jo i paktë që çdo ditë jemi me sy dhe zemër nga atdheu. Këtu ka shumë këngëtarë që kanë bërë emër, ka shumë muzikantë të dëgjuar. Pra jemi një komunitet me emër. Duke jetuar dhe punuar në një vend demokratik, e ndjejmë frymëmarrjen e demokracisë, të lirisë së fjalës edhe në atdheun tonë. Liria është e shenjtë. Ndaj viti 2015 do të kujtohet si një vit i shumë risive edhe në fushën muzikës, këngës. Tashmë në Shqipëri zhvillohen disa festivale dhe konkurse për zërat e rinj dhe këngët që marrin pjesë në Festivalin Europian. Kjo është një konkurrencë që rrit seriozitetin dhe cilësinë. Gëzuar vitin e ri 2016 bashkëkombësit e mi kudo në botë. Nga Gjermani po ju nis një tufë lule nëpërmjet gazetës së mirënjohur “Telegraf”. Gëzuar 2016!
Kozma Dushi, “Mjeshtër i Madh”
Edhe ky vit ishte i pasur me aktivitete muzikore. Festivali i RTSH ishte sërish një ngjarje e madhe e muzikës. Po troket një vit i ri, një vit që ndoshta do të na japë shansin për të bërë hapa përpara për të hyrë në BE. Viti 2015 ishte vit i punës, ndryshimeve transformimeve dhe Viti që lamë pas ishte një vit i rrallë, një vit i veçantë, një vit që nuk do të përsëdytet, një vit që na mbushi me krenari dhe besim për të ardhmen. Zhvillimet e Shqipërisë ndihen kudo në të gjitha fushat. Ndërsa kur flasim për artin mund të them me shumë bindje, se ai është paraprijës në përparimin e Shqipërisë drejt Europës. Ne këngëtarët kemi përgjegjësi, pasi arti, kultura janë virtytet dalluese të një kombi që e dallojnë dhe e vlerësojnë nga kombet e tjerë. Besoj se muzika, kënga e kanë lartësuar shumë emrin e Shqipërisë. Ndaj me këtë rast ju uroj të gjithëve gëzuar vitin e ri 2013! Suksese, begati, lumturi në familje!
Petrit Lulo, “Mjeshtër i Madh”
U rritëm me këngën, por plakemi me këngën, por kënga na mban të rinj. Kënga të emocionon dhe kënga shqiptare pëlqehet kudo në botë. Vitet rrjedhin, ecin me ritmin e tyre. Arti shqiptar po ecën në gjurmët e traditës duke u bërë në i hapur, më i pëlqyer, më sugjestiv. Gëzuar Vitin e Ri 2016! Gëzuar të gjithë së bashku dhe ta ngremë një dolli për unitetin, për bashkimin. Vitit 2016 qoftë viti i shqiptarëve, viti i realizimit të ëndrrave shekullore! Gëzuar bashkëkombës kudo që jeni!
Bashkim Alibali, “Mjeshtër i Madh”
Si ta filloj urimin? Me këngë, me këngën e dashurisë njerëzore, me tingujt e himnit kombëtar. Shqipëria, atdheu ynë, është atdheu më i bukur. Për çdo ditë e shoh të hedh shtat, të marr pamje dhe ngjyrime emocionuese. Ne artistët si pjesë e këtij kombi të lashtë, kemi bërë të pamundurën që emri i saj të ngrihet lart e më lart. Arti shqiptar, i ka kaluar kufijtë e Europës dhe po bëhet me famë në botë. Kemi bërë shumë por dhe më shumë kemi për të bërë. Kjo për vetë faktin se jemi një popull që kemi pritur më shumë stuhi dhe padrejtësi se fqinjët tanë. Nga ky 100 vjetor na del një detyrë. Ta duam më shumë Shqipërinë. Ta duam më shumë njeri-tjetrin. Ta duam më shumë flamurin. Gëzuar vitin e ri 2016! Jeta e çdo shqiptari të jetë një këngë e bukur!
Luan Zhegu, “Mjeshtër i Madh”
Iku si pa kuptuar edhe një vit. Iku si pa kuptuar mes dilemash, festivalesh, konkurseve të muzikës, mes qindra këngëve të reja të këngëtarëve të ndryshëm. Kënga, muzika po e lartëson emrin e Shqipërisë kudo në botë. Teksa shoh Shqipërinë mes përparimit, zemra më gufon dhe ndihem më i ri. Jemi populli më i vjetër i Europës dhe na takon të jemi në gjirin e saj. Na takon ne artistëve që me punën tonë, me artin tonë, me skenat tona ta çojmë Shqipërinë në vendin e nderit. Gëzuar Vitin e ri 2016! Ky vit le të jetë për të gjithë shqiptarët kudo në botë, viti, i përparimit, vëllazërimit, zhvillimit, viti i artit! Besoj se do të jetë dhe viti i hapit më të madh për të qenë pjesë e Europës. Gëzuar!
Mevlan Shanaj: Më shumë u zhurmua, se sa u ndërtua
2015 ishte një vit i kursyer në suksese, më shumë pro dhe kundra, një vit që tronditi simbolin kombëtar me një ” krijim” të përçudnuar “autochtonus”, që futi për herë të parë shqiptarët në Europë me futboll, një vit me reformën territoriale të arritur teorikisht, një vit që kulturën e ka lënë në dremitje, ndërsa arsimin në det të hapur, mjekësinë pa busullën, kurse politikën e ka lënë dordolec të pandryshuar. Më shumë u zhurmua, se sa u ndërtua. Ky vit ndoshta do quhet viti i zgjimit nga gjumi për detyrimet ligjore. Për 2016 nuk pres që konflikti i interesit të bëhet çështje për shqiptarët, pa të nuk mund të ketë as reformë në drejtësi. Nuk pres që do të funksionojnë sindikatat. Nuk pres të frenohet dhënia e çdo gjëje me koncesion. Jam me fat se këto që them nuk i lexojnë ata që kanë mundësi ta ndryshojnë Shqipërinë. Nuk pres të largohem nga Shqipëria asnjëherë. Duhet theksuar se individët shqiptarë, kur kanë mundësi dhe kushte, kanë potenca të mëdha që ende nuk po shfrytëzohen. Duhet besuar, se foshnjat e Shqipërisë do të na gjykojnë rreptë për mënyrën se si e konceptojmë shtetin ne sot.
Sigal