Artistët Rudina dhe Elis Hyshmeri: Kufijtë e jetës sonë familjare me atë artistike, thjesht janë të shkrira në një

163

Elis Hyshmeri dhe Rudina Hyshmeri, familje artistësh

Kufijtë e jetës sonë familjare me atë artistike, thjesht janë të shkrira në një

Është e rrallë, që në jetë të takosh një çift artistësh, thuajse të së njëjtës fushë krijimtarie, sikurse Elisi dhe Rudina Hyshmeri. Duke biseduar me Elisin, në një moment, ai pohon, se edhe kur mundohet të fle, shqetësimi për veprën e pambaruar është i tillë, saqë atë e risjell në mendimet e tij imazhin e saj dhjetëra herë dhe diçka që nuk e ka arrirë e ngacmon, e shqetëson… Elisi e pohon se te Rudina, përveç cilësive që ka, të qenit artiste ishte vlerë e shtuar. Ndërsa Rudina pohon, se as tani në marrëdhëniet me Elisin, nuk e kupton dot ku janë kufijtë e familjes me ato të artit, por nuk i kursejnë kritikat ndaj njeri tjetrit, duke dashur të arrijnë suksesin. Tek njeriu, sinqeriteti është virtyti më i çmuar. Si prindër, tek fëmijët e tyre nuk diktojnë në zgjedhjet që ata bëjnë, por japin gjithçka t’i ndihmojnë…

– Elis, rastësia apo ishte zgjedhja juaj, që bashkëshortja të jetë artiste?

-Nuk ishte qëllim, por fati e deshi që ajo përveç gjithë cilësive që unë pëlqeja të kishte edhe këtë vlerë të shtuar.

– Si bashkëshortë, njëri –tjetrin e këshilloni, e kritikoni, për punën e secilit?

-Mendoj që një vepër e mirë kalon përmes shumë kritikave. Është fat për ne që njohim profesionet e njeri – tjetrit, dhe, të siguroj që jemi të dy kritikë shumë të ashpër.

– Cili është elozhi më i bukur që ju ka bërë bashkëshortja për një vepër që ju keni realizuar? Po kritika më e hidhur?

-Zakonisht nuk ka elozhe, por vlerësimin për një vepër e shoh në buzëqeshjen e saj admiruese. Në shumicën e rasteve nuk ma bën qejfin. Jam gjithmonë gati për kritikat e saj, edhe pse ndonjëherë i përjetoj keq. Në fund të fundit çdo kritikë shërben për përmirësimin e veprës…

– Po e anasjella, që ju i keni bërë veprës së realizuar nga bashkëshortja?

-Edhe unë nuk para ia kursej kritikat, se normal ma ka borxh…Nga ana tjetër s’kam pse mos të pranoj suksesin e saj.

– Pranon ide nga bashkëshortja? Po ti, a i jep ide?

-Ne jemi gjithmonë të hapur në lidhje me ide të reja, qofshin këto të mijat apo të sajat. Madje nuk mund të mos diskutojmë për çdo krijim të ri .

– Si prindër, përse gëzoheni që edhe fëmijët e kanë të trashëguar ADN-n e artistit?

-Nuk mund të them që gëzohemi, duke parë vështirësitë që ka rruga e artit, por nga ana tjetër nuk mund të privojmë asnjë dëshirë të tyren. Ne do të jemi një mbështetje e fuqishme për ta në çdo zgjedhje.

– Çfarë dëshironi që fëmijët tuaj të marrin nga Ju? Po nga bashkëshortja?

-Nga unë do të doja të merrnin përkushtimin, kurse nga bashkëshortja vendosmërinë.

– Po çfarë do të dëshironit që fëmijët tuaj të mos marrin nga ju?

-Në ditët e sotme ka ardhur koha e atij që di të duket. Do të doja që fëmijët e mi të jenë menaxherë të mirë të vetes së tyre.

– Po, cili merak ju shqetëson kur shikoni që edhe fëmijët tuaj ndjekin monopatin e artit?

-Përgjegjësia që kam si prind për t’i kalitur fort që të jenë të aftë ta kalojnë lehtë atë.

– A shikoni ngurrim tek brezi i ri t’i përkushtohet krijimtarisë, artit, ta ushtrojë talentin, kur është i ndërgjegjshëm që në fillim, se nuk do ketë as karrierë, por as mundësi të mbushë xhepat, në krahasim me ndonjë tjetër profesion?

-Shpeshherë po, por mendoj që është i pa justifikuar, duke pasur parasysh kërkesat e tregut për grafistë, fotografë, kameramanë, skenografë, disenjatorë, arredues dhe së fundi piktorë e skulptorë.

Rudina Hyshmeri

– Sa pranoni këshilla nga bashkëshorti për krijimet? Kur jeni më e predispozuar që bashkëshorti t’jua thotë? Në ide? Gjatë penelimit? Apo kur e realizon pikturën?

-Jam e lumtur që kam një kritik të përhershëm në krijimtarinë time dhe mendoj që nuk e kanë të gjithë këtë fat. Duke e ditur se sa e rëndësishme është për ne paraqitja dinjitoze, madje edhe atëherë kur vepra është modeste. Ne nuk i bëjmë kurrë qejfin kot njëri – tjetrit dhe kjo është në të mirë të punës.

– Sa i nxit fëmijët të marrin monopatin e artit?

-Nuk kam ndërmend as të nxis dhe as të ndaloj ndonjë prej fëmijëve të mi në lidhje me zgjedhjet që do të bëjnë për veten e tyre. Vajza e madhe duket se ka zgjedhur artin figurativ edhe pse njeh edhe një instrument muzikor. Dhe mendoj që nëse do vijojë siç e ka nisur do të shkojë larg. Kurse për dy të vegjlit mendoj se është shpejt të folur.

– Rastësia apo ishte zgjedhja juaj, që bashkëshorti juaj të jetë artist?

– Gjithmonë kam menduar se doja një të llojit tim për të shtyrë jetën edhe atëherë kur askush nuk ishte shfaqur në horizont. Dhe sot mendoj se e kam pasur mirë!

– Debati për krijimtarinë e njëri – tjetrit sa kohë merr në jetën tuaj familjare?

-Mund të them që është pjesë e përditshmërisë sonë. Nuk mund të kuptoj se ku janë kufijtë e jetës sonë familjare me atë artistike, thjesht janë të shkrira në një…

– E shikon artin tuaj si profesion që të sigurosh mirëqenien materiale të familjes tuaj?

-Mirëqenia është utopi. Lufta e njeriut për të përmirësuar jetesën ka lindur me të dhe nuk besoj se ka një fund. Por mendoj se kur bën profesionin që do dhe përkushtohesh sa duhet, gjithçka është e mundur.

Mund të më përshkruani si e keni përjetuar ndonjë zhgënjim nga ndonjë krijim juaji?

-Zhgënjimi është i dobishëm për artistin ai e shtyn atë të përmirësohet. Personalisht nuk dorëzohem lehtë, thjesht e grisim dhe vazhdojmë nga e para…

– Nëse do të pyesnin, çfarë do të dëshiroje të ndryshoje tek njerëzit sot?

-Do të doja që gjithkush të ishte i sinqertë me veten. Mendoj se njohja dhe pranimi i vetes për atë që jemi na bën njerëz më të mirë.

– Po tek shoqëria jonë?

-Paragjykimet. Kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një pengesë për të na bërë një shoqëri moderne.

– Cilat padrejtësi ju revoltojnë?

– Të gjitha padrejtësitë janë të dhimbshme por ajo që më duket mizore është kur shoh prindër që gënjejnë veten dhe fëmijët e tyre, duke i shtyrë të mbarojnë universitete me mesatare 6.

– Ku ndryshon Rudina mësuese nga Rudina piktore?

-Rudina mësuese është e duruar, kërkuese sipas stadit të nxënësit dhe shumë e gatshme për ndihmë. Kurse Rudina artiste është e heshtur, e ashpër me veten dhe shumë e përfshirë në proces.