Artistë shqiptarë me famë botërore, të ftuar në Vatikan

182
Emrat e njohur të artit shqiptar do të interpretojnë më 3 shtator në koncertin kushtuar kanonizimit të Nënë Terezës më Vatikan. Inva Mula, Ermonela Jaho, Rita Ora, Ramë Lahaj, etj do të jenë pjesë e një mbrëmjeje të paharrueshme kushtuar figurës së shquar shqiptare. 
Kompozitori David Tukiqi, i cili ka kompozuar himnin kushtuar Nënë Terezës njofton në faqen e tij zyrtare se “himni kushtuar Nënë Terezës që unë kam kompozuar, titulluar “Vals Hyjnor”, do të interpretohet në Vatikan më datën 3 shtator 2016, në koncertin kushtuar kanonizimit të Nënë Terezës në 4 shtator 2016. Himni do të interpretohet nga diva Inva Mula së bashku me orkestrën dhe korin e filarmonisë së Kosovë, drejtuar nga mjeshtri Bujar Llapaj . “Është kurorëzim i idesë dhe punës së palodhur i gazetares Dijana Toska që mundësoi që Valsi Hyjnor të interpretohet në Vatikan”, thotë Tukiqi. Producentja nga Prishtina, Diana Toska, e cila në bashkëpunim me Ipeshkvinë e Kosovës dhe Filarmoninë dhe Operën e Kosovës po punon në organizmin e këtij koncerti, ka thënë se pjesëmarrja e këtyre artistëve në koncertin kushtuar Nënë Terezës do ta nderojë jo vetëm veprën e Nënë Terezës, por edhe mbarë kombin shqiptar. 
“Këta solistë, të cilët janë nderi i kombit tonë, kanë pranuar të vijnë dhe ta japin kontributin e tyre pa honorar. I kam kontaktuar qysh në fund të marsit dhe fillim të prillit dhe qysh nga atëherë janë të gatshëm që më 3 shator të jenë me ne”, ka thënë Toska. Mes artistëve të ftuar në koncert do të jetë dhe futbollisti Lorik Cana i cili do të recitoj poezinë e “Nënë Terezës”. Sekretari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Fatmir Koliqi, tha se viti 2016 do të shënohet në kishën katolike shqiptare, pasi që në këtë vit do të bëhet edhe shenjtërimi i Nënë Terezës. Don David Gjugja, nga radio Vatikani tha se Nënë Tereza është ikona ku Papa Françesku ka dashur të jetë emblemë e qytetërimit. Sipas tij, Papa ka vlerësuar që duhet të ketë shembuj të humanizmit që dha “Nënë Tereza”.