Artan Shabani: Politikanët që grabiten piktura me vlerën e 10 milion eurove

763
Sigal

INTERVISTA/ Flet Drejtori i Galerisë së Arteve, Artan Shabani

Drejtori i ri i Galerisë së Arteve, Artan Shabani,  duket se e ka marrë seriozisht problemin e inventarit, gjendjes aktuale, mirëmbajtjes dhe riparimit të veprave të artit, si pikturat, skulpturat, ikonat etj.. Sipas Shabanit deri tani nga institucionet shtetërore kryesisht nga ministritë, kryeministria, Presidenca, Drejtoria e Shërbimeve qeveritare janë mbledhur rreth 90 për qind e veprave të artit si piktura apo skulptura, por vërehet se shumë prej tyre mungojnë në inventarin fizik të këtyre institucioneve. Ne do të ndjekim të gjitha rregullat për gjetjen apo zhdëmtimin e tyre. Problem tjetër në Galeri është rivlerësimi i arkivit, pra i pikturave apo skulpturave, të cilat duhet të jenë sipas standardeve të sotme, pasi ato janë vepra të realizmit socialist dhe vlerësimi apo kuotacion është bërë si për atë kohë, deri në 300 euro, kur sot një vepër e tillë vlerësohet 30 herë më shumë.

 Një nga problemet e shumta që diskutohet sot në Galeri është dhe inventari i veprave pamore, ku thuhet se ka mungesa. Si do ta komentonit këtë fakt?

  Kultura është themeli, është baza  e një kombi së bashku me gjuhën dhe traditat. Përsa i përket këtij thesari  të kulturës dhe arteve vizive situata prezantohet në këtë mënyrë. Kemi një fon që Galeria e Arteve e konservon, ku janë 5 mijë vepra arti, ku pjesa dërrmuese janë vepra nga periudha e realizmit socialit dhe kishim në këto 30  vitet e fundit vepra të shpërndara nëpër Institucionet shtetërore, dhe publike që do të thotë nëpër ministri, në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, Ministria e Jashtme, Presidenca e Republikës, Kryeministria, etj.. Në të gjitha këto struktura kemi pasur veprat tona të ekspozuara, dhe nj ndër prioritet që unë kam pasur dhe kam si drejtues i galerisë së Arteve është që rikuperimi dhe mbledhja e të gjithë këtyre veprave, për fondin  e galerisë Kombëtare. Rreth 90 për qind e këtyre veprave, janë mbledhur.

 Pra 5 mijë janë së bashku me të shpërndarat?

Po rreth 5 mijë së bashku me ato që janë shpërndarë nëpër këto institucione dhe me ato që kemi në depon apo të ekspozuara këtu në Galeri.

 Këto vepra arti janë vetëm piktura?

Jo, janë piktura, piktura në vaj në akuarel, në linoleum, skulptura, në gur, në bronz në mermer. Pra janë një gamë e gjerë veprash. Midis tyre ka dhe vepra me dimensione të konsiderueshme si një pikturë monumentale e Fatmir Haxhiut që është rreth 6 metër e gjatë, deri tek vizatimet dhe akuarelet e ndryshme. Ky është fondi ose më mirë të themi thesari i veprave pamore.

 Çfarë ndodh me këto vepra?

Me këto vepra duhen  rivlerësuar, d.m.th, e të shikohen në aspektin artistik, apo moral të fjalës, por edhe në aspektin ekonomik, pra vlera e tyre reale. Pra, të dali vlera, apo kuotacioni i saj. Si çdo shtëpi ka një kuotacion, si çdo tokë ka një kuotacion, ashtu dhe një vepër pamore duhet të ketë një kuotacion një vlerë. Këto vlera vërtet  nuk janë për t’u shitur, por duhet të kenë një vlerë të kuotimit të saj, vlerën ekonomike. Pra sa kushton Vangjush Mio, sa Kushton Skënder Kamberi, Sali Shijaku,  Nestor Jonuzi, etj..

 Si do të vlerësohen ekonomikisht këto vepra, kush do t’i vlerësojë, këto kritere?

Po, këto vepra do të vlerësohen ekonomikisht në bazë të kritereve  serioze që vlerësohen kudo në botë, me një komision serioz me profesionistë. Ne kemi informacion të vazhdueshëm për merkaton e artit, për historinë e artit dhe të artistëve tanë. Ky rivlerësim do të bëhet dhe për dinjitet të artit tonë, pasi këtu kemi vepra të piktorëve tanë më të mëdhenj, më të mirë, si ata që përmenda më lart dhe rezultojnë që kushtojnë, apo janë vlerësuar 300 euro, kur në fakt ky treg i sotëm ato i klasifikon shumë më lart, rreth 20 apo 30 herë më shumë. Ndaj ne, do t’u japim të gjitha këtyre veprave kuotacionin e tyre. Kjo do të jetë një pasaportë që do i bashkëngjitet veprës që më vonë askush të mos ketë  abuzime. Kështu një vepër as mbivlerësohet as të mos nënvleftësohet. Kjo bëhet edhe me qëllim që një ditë kur këto vepra të dalin nga galeria Kombëtare, nëpër ekspozita, në një muzeum  të Europës apo botës, kur të pritet bileta e sigurimit, të jetë mbi bazën e një vlere reale.

 Ndoshta ka dhe probleme të tjera?

Po, problem tjetër është se kualiteti, shëndeti i çdo vepre. Pra a është për restaurim dhe në çfarë grade restaurimi është. Kjo do të thotë se, cili është niveli i restaurimit, të këtyre veprave. Ne kemi një laborator që ka nevojë për materiale, për kushte, sepse, në kushte të tilla, që nuk përputhen me kushtet e galerive jashtë vendit, ne kemi nevojë për donatorë, sponsor dhe sensibilitet që duhet të ketë biznesi, apo shoqëria shqiptare për pasuritë kombëtare. Po kështu ky sensibilizim duhet të bëhet për monumentet e kulturës, ku përfshihen ikonat, skulpturat, folklori, etnografia dhe arkitektura.

Në fakt kushtet e ruajtjes në depo apo dhe në ambientet e ekspozuara, a janë për një qëndrim konservim normal?

Për mendimin tim personal  kushtet e ruajtje, mbajtjes dhe konservimit, janë të diskutueshme dhe të pamjaftueshme. Kjo jo dhe për faj të drejtuesve dhe punonjësve. Unë nuk dua të gjykoj  dhe të paragjykoj, por mund të them se janë mbajtur brenda mundësive që janë paraqitur dhe brenda po këtyre caqeve. Nuk them se janë mbajtur keq, por mund të them se kushtet adekuate, specifike, nuk janë optimale për të mbajtur këto vepra arti.

 Si mund të eliminohen disa nga mangësitë në ruajtjen, mirëmbajtjen dhe konservimin e këtyre veprave?

E para duhen dizifektuar ambientet e GA. Veprat dëmtohen nga larvat, nga mizat, nga minjtë, nga lagështia, thatësia, pra janë një sërë faktorësh që përmblidhen në pasaportën e çdo vepre arti. Këto kushte duhet të jenë sidomos në magazinat, ku konservohen këto vepra arti. Por ka dhe kushte të tjera për publikun. Pra, duhen dhe kushte  normale edhe për publikun që ai të mos vijë me dorashka brenda në galeri, apo me pardesy të rëndë. Duhen kushte normale jo luksoze.

 Ju thatë janë mbledhur nga inventari 90 për qind i veprave, po këto 10 për qind, ku ndodhen?

 Them që 90 për qind të veprave janë mbledhur në tre muaj. Institucioni i  fundit që kemi pa mbledhur është Kryeministria, ku po bëjmë inventarin dhe hyrjen e veprave në galerinë e Arteve. Nga të gjitha institucionet ka humbje, por nuk është bërë vlerësimi real. Ajo do të thuhet pas disa ditësh në një konferencë të veçantë për shtyp.

 Ku ka konkretisht humbje?

Kryesisht ka në Presidencë, në Kuvend, në Ministrinë e Jashtme, në Shërbimet Qeveritare, mund të them se  në shumicën e institucioneve të larta ka humbje.  Ne këto vepra që kanë humbur do t’i bëjmë prezent së shpejti, me emër, mbiemër, me përmasa, me emërtim. Pas inventarit do të ndjekim procedurat dhe me ato le të mirën organet kompetente si Prokuroria. Një ndër prioritetet  e mia ka qenë kjo mbledhja e veprave sipas inventarit dhe denoncimi i humbjes së tyre.

 Këto vepra po mblidhen sepse qeveria “Rama” i ka dhënë prioritet sistemit të edukimit përmes kulturës, pra mbrojtjes së kulturës. Është hera e parë që bëhet mbledhja e këtyre veprave pas 30 vjetëve. Fal  dëshirës dhe sensibilitetit që ka qeveria “Rama”. Kjo nismë  është një performancë e re që na jep shumë ndjeshmëri si vend. Ne të gjitha mungesat do t’i bëjmë prezente në bazë të rregullave dhe të merren masat në mënyrë rigoroze dhe profesionale për dëmet dhe mangësitë në vite.

Albert ZHOLI/ Drejtpërdrejt

  Biseda me z. Artan Shabani, Drejtor i Galerisë së Arteve, i cili nxori në pah problemet që ka ky institucion, kryesisht të mbarsura, tregon se, sa pak janë vlerësuar piktorët dhe skulptorët tanë. Shumë vepra të tyre janë vlerësuar 300 euro, ku disa prej tyre nuk gjenden as në inventar. Menjëherë të shkon në mend se këto piktura, diku flenë, diku zbukurojnë, diku janë koleksion, pasi bëhet fjalë për vepra që kanë dalë nga duart e piktorëve më të mirë shqiptarë si, Kamberi, Shijaku, Jonuzi, Shoshi, etj.. Kam marrë pjesë në të gjitha ekspozitat që kanë hapur piktorët apo skulptorët tanë këto 15 vjetët e fundit dhe kam parë se me sa mund e djersë  e nxjerrin ata bukën e gojës. Njëkohësisht kam parë dhe ekspozita të shumë piktorëve të huaj në vendin tonë. Kur shihja çmimet e kripura që ata vinin në skeletin e pikturave çuditesha. Një pikturë 40×40 cm kushtonte deri ne 1000 euro, kur pikturat më të bukura të piktorëve tanë që janë pjesë e Galerisë së Arteve kanë një çmim 300 euro me përmasa 1×1 metër. Dhe sot i sheh piktorët tanë që mezi mbajnë shtëpinë me profesionin e tyre. Por më e keqja, tashmë shumë piktura të tyre nuk dihet se ku janë dhe kush i ka përfituar, ku mendja të shkon edhe ndoshta janë shitur diku me çmim marramendës (pra mendohet 6 mijë deri në 8 mijë euro). Ky është paradoks. I zoti, se di ku e ka veprën që ka qenë në galeri, i panjohuri bën biznes apo zbukuron shtëpinë me artin dhe djersën e piktorëve që mezi përcjellin muajin në shtëpi. Dhe bëhet fjalë për piktura me vlerë që të heq mendjen e kresë. Rreth 6 mijë euro. Një çmim ëndërr për piktorët që për ta një shumë e tillë do ti bënte të jetonin mes pabesueshmërisë.