Arsida Mezuraj sjell në shqip romanin “Telashe dashurie” të Adele Parks

1738
Sigal

Këto ditë, shtëpia botuese “Pegi” nxori në qarkullim librin “The state We’re in” të autores Adelë Parks.

Libri me një fjali: Rendja pas dashurisë ideale dhe lumturisë nuk ka fund kurrë.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Sa gjasa ka që, një i panjohur, ulur pranë teje në avion, të jetë e shkruar të të ndryshojë jetën? Sidomos kur duket se, tjetri është krejt e kundërta jote, në çdo drejtim. Xhoi është një optimiste e pashoqe, në kërkim të shpirtit binjak te çdo burrë që takon. Ajo kërkon të ndalojë dasmën e ish të dashurit të saj, duke ndjekur një të kaluar që duket më e bukur se e ardhmja; Dini po merr arratinë nga e shkuara e tij: një fëmijëri e dhimbshme dhe një baba që po vdes, të cilin s’e ka njohur kurrë. Ai është një cinik i vendosur, përvojat e hidhura të jetës e kanë mësuar të mos i zërë besë askujt. Njerëzit mund të të befasojnë. Për aq kohë sa zgjat fluturimi nga Londra në Çikago secili prej tyre zbulon te tjetri diçka që as e dinin se ia kishin nevojën.

Për shkak të të shkuarave vetjake, ata s’do të jenë kurrë të lumtur bashkë, por në çastin që zbresin nga avioni fillon udhëtimi i tyre i vërtetë…

Publiku i interesuar

Për të gjithë ata që mbeten romantikë të pashërueshëm, që nuk humbasin shpresën në kërkimin e dashurisë dhe njeriut të ëndrrave. Për të gjithë ata që jeta i ka zhgënjyer, por që s’humbasin besimin se ajo është e bukur, gjithsesi. Për të gjithë ata që duan të mësojnë të falin dhe të vazhdojnë jetën në paqe.

Mbi autoren

Adele Parks, është lindur në Angli, ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi Angleze në universitetin “Leicester”. Në vitin 2000, boton romanin e saj të parë Playing Away, i cili u quajt si romani debutues më i shitur i atij viti. Qysh prej asaj kohe, ajo ka botuar plot 13 romane brenda 13 vjetëve. Konsiderohet si një prej shkrimtareve femërore më të dashura për publikun dhe një nga më të shiturat, me mbi dy milionë kopje, në Britaninë e Madhe. Romanet e saj janë përkthyer e botuar në 25 gjuhë të botës. Shquhet për trajtimin e çështjeve të mprehta të jetës sonë aktuale me stilin e vet të drejtpërdrejtë dhe pa dorashka. Adele Parks shkruan artikuj dhe tregime të shumta për gazeta dhe revista kombëtare dhe shpesh shfaqet në radio e televizion për të folur mbi çështje të rëndësishme letrare dhe sociale. Është Ambasadore e Agjencisë së Leximit për “Six Book Challenge”, një organizëm që inkurajon lexuesit e rinj për t’u bërë edhe më të pasionuar pas librave.

Kritika

Ajo është një vëzhguese e hollë e marrëdhënieve me gjithë luhatjet e tyre dhe historitë e saj të rrëmbejnë gjithnjë, po aq sa dhe të zbavitin. Daily Mirror

I ëmbël, i drejtpërdrejt dhe i paharrueshëm.

Lisa Jewell

Një vëzhgimi mprehtë mbi jetën familjare, sa idilike, po aq dhe të tmerrshme, si dhe për individët që e përbëjnë atë. Personazhet janë që të gjithë njerëz, te të cilët mund të kesh besim… dhe fundi? Absolutisht mahnitës!

Our Book Reviews

Një përrallë zemërdrithëruese mbi dashurinë dhe humbjen, me një përfundim që do t’ju lërë pa gojë.

Mike Gayle

Një histori dashurie drithëruese që kalon kufijtë e brezave. Nuk janë të shumtë autorët që krijojnë personazhe me kaq shumë të meta e gjithsesi fort të dashur.

Glamour

Një lexim i detyrueshëm. Romantik, e po aq i vërtetë, kjo është një histori dashurie prekëse me personazhe të paharrueshëm.

Jenny Colgan

Një eksplorim i mrekullueshëm i dashurisë.

Katie Forde

Adele Parks është një vëzhguese e hollë e natyrës njerëzore.

Kathleen Tessaro

Romani i ri fantastik dhe zemërthyes i Adele Parks do t’ju lërë shije të paharrueshme.

Chris Manby

Vëzhgues i hollë, origjinal dhe i shkruar për mrekulli, ky është libri im i preferuar deri më sot nga Adele Parks.

Sun

Një histori romantike, e butë dhe prekëse që do t’ju rrëmbejë qysh në faqen e parë.

Closer

Historia është hipnotizuese dhe fundi epik sa të prek shpirtin. Adele ka krijuar një galeri personazhesh që mbulojnë gjithë spektrin moral njerëzor. Ky roman është një triumf i madh.

We love this book

Një histori e shkruar me zgjuarsi dhe tragjikisht e bukur, e mbushur me empati dhe pendime, që do t’ju mbetet gjatë në mendje. Telashe zemre është një histori mbi dashurinë, familjen, braktisjen dhe qetësimin e fantazmave të së shkuarës. Një përrallë që s’të hiqet nga mendja e që do t’ju shkaktojë pështjellime. Në këtë roman, Adele Parks ka arritur kulmin e saj. Do ta rekomandoja vazhdimisht këtë libër.

Handwriçen Girl